Zyrtarja e ambasadës së SHBA-së: Kosova në rrugë të duhur për korrupsionin

Prishtinë | 11 Dhj 2018 | 16:27 | Nga Emine Shehu

Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin ekzekutiv”.

Alison Storsve nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, ka shprehur gatishmërinë e ambasadës që të ndihmojë shtetin e Kosovës në parandalimin e konfliktit të interesit. Sipas saj, Kosova po shkon në rrugë të duhur.

Praninë e tre ministrave në tryezë e quajti shenjë të mirë.

“Ne si SHBA jemi të përkushtuar për luftën kundër korrupsionit dhe fokusi në konfliktin e interesit është e duhur sepse është ligji për të që ka kaluar këtë vit.  Ne presim nivel të transparencës dhe partneritetit dhe presim përkushtimin tuaj. Prezenca juaj sot është shumë mirë”, tha Strorsve.

Rreze Hoxha, Grupi për Studime Politike dhe Juridike, ka paraqitur raportin me të gjeturat për pushtetin ekzekutiv.

“Nga hulumtimi, bazuar në deklarimet e pasurive kemi identifikuar që nga 2000 zyrtarë gjithsej, 238 prej tyre mbajnë më shumë se dy pozita, më shume se 49 marrin edhe pension nga buxheti i Kosovës.  Identifikimi zyrtarëve që mbajnë poste në UP, ku ka të tillë katër apo pesë që mbajnë pozita të tilla. Ky hulumtim ka identifikuar zyrtarë që janë përfitues edhe të statutit të veteranit dhe trupave të tjera të forcës”, tha Hoxha.

“Ne si organizata kemi kërkuar që secili te na ofrojë qasje në lista të mëditjeve dhe çdo pagese tjetër që bëhet në kuadër të buxhetit të Kosovës. Institucionet që nuk kanë kthyer përgjigje janë, Ministria e Punëve të Jashtme na ka kthyer përgjigje dje, Ministria e Financave, Ministria e Tregëtisë dhe Industrisë, komuna në Dragash, Mitrovicë e jugut, veriut, Zubin Potok, Podujevë etj. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Policia , Inspektorati, QKUK, etj, kanë kthyer përgjigje të mangëta”, shtoi Hoxha.

Sipas Hoxhës, duke u bazuar në të dhëna të plota, Zyra e kryeministri, ka gjithsej 388 zyrtarë nga të cilët, 364 prej zyrtarëve marrin shtesa nga buxheti i Kosovës.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se mangësitë në këtë fushë deri më tash kanë ndodhur për shkak të një politike jo të qartë, ndërsa vlerësoi se tashmë një politikë e tillë është krijuar.

“Bashkë me partnerët ndërkombëtarë, kemi arritur ta kemi një ligj që në masë të madhe kursen buxhetin e Kosovës. Kemi parë raste kur zyrtarëve iu shkonin paga në 22 mijë euro dhe ka pasur rroga që shkonte deri në 30 mijë euro. E kemi pas një situatë të tillë si mungesë e një politike të qartë. Mendoj që tash e kemi një politikë të re në fuqi. Jemi në një proces tepër të rëndësishëm kur do ta definojmë qartë deklarimin e zyrtarëve të lartë për pasurinë. Jemi duke e shikuar numrin e njerëzve që e deklarojnë atë pasuri dhe pastaj të kemi vlerësim të qartë dhe ku mund të kompensohen dhe ku nuk mund të kompensohen”, tha Tahiri.

Luftimi i konflikti të interesit është i rëndësishëm edhe për ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Ky i fundit tha se duhet të luftohet që të mos shkatërrohet besimi në institucione publike.

“Luftimi i konfliktit të interesit në thelb lufton arkitekturën që ngritët për një fenomen të korrupsionit prandaj e konsideroj shumë të rëndësishme, prandaj do jem më konvencional sepse ka filli të shkatërrohet pak besimi në institucione publike.  Në ato iniciativa që i kemi pas, si revidimi listës esenciale, që krijon bazën e blerjes së barnave që është mundësi manipulimi që në fillim.  Nëse baza legjislative është e rrethuar atëherë neve ma mbetet të shohim implementimin e saj”, u shpreh Ismaili.

Sipas Ismailit, vet ministria e shëndetësisë ka vuajtur nga korrupsioni i tillë dhe qytetarët kanë humbur besimin dhe kjo sipas tij, nuk duhet të tolerohet.

Se lufta kundër korrupsionit është në agjendë të Kosovës si dhe duhet për aspirata për futjen në Bashkimin Evropian, e thotë ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar.

“Lufta kundër korrupsionit është në agjendë të Kosovës si dhe duhet për aspirata për futjen në be. Sa i përket ministrisë, ka pesë raste, duhet ta shikojmë. Nëse vlerësohet se ka raste të konfliktit të interesit atëherë do ta bëjmë zgjidhjen. Edhe ne brenda kur kemi pasur dilema për konflikt interesi jemi drejtuar në Agjencinë e Kundër-korrupsionit”, tha Yagcilar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme