Ndryshimet në stilin e jetesës, ulin rrezikun për kancerin

Prishtinë | 23 Jan 2023 | 19:56 | Nga

Shkurti është muaji Kombëtar i Parandalimit të Kancerit në Shtetet e Bashkuara dhe Instituti Amerikan për Studimet e Kancerit po i ripërtërin përpjekjet për të informuar publikun se si ndryshimet në stilin e jetesës mund ta ulin ndjeshëm rrezikun e disa prej llojeve më të zakonshme të kancerit. Fushata ka marrë shtysë edhe nga rezultatet e një studimi masiv që ka konfirmuar pa mëdyshje lidhjen mes diabetit dhe obezitetit me disa lloje kanceri.

Shkencëtarët thonë se një stil i shëndetshëm jetese përfshin pesë faktorë thelbësorë: Të mos pish duhan, ta mbash nën kontroll peshën, aktivitet i rregullt fizik, një dietë e shëndetshme dhe moderim në konsumin e alkoolit.

Duke analizuar të dhëna të grumbulluara nga 340 mijë vetë në gjithë botën, studiuesit në Britani arritën në përfundimin se ata që i plotësonin të pesta këto kritere, kishin 32 për qind më pak gjasa të prekeshin nga kanceri i mushkërive, gjirit ose prostatit, llojet më të përhapura të kancerit.

“Kur analizon faktorë si obeziteti, mund të shohësh rezultate të ndryshme, që nga studimi në studim ndryshojnë fare pak, por kur i krahason të dhënat e tyre në një analizë të gjerë, vërtet të ndihmon të krijosh një ide të qartë të asaj që po ndodh”.

Doktoreshë Anne McTiernan, një studiuese në Qendrën “Fred Hutchinson” për Studimin e Kancerit në Siatëll, thotë se ritmi i përhapjes së diabetit dhe obezitetit po rritet pasi ushqimet me nivel të lartë yndyre, sheqeri dhe kripe janë kudo.

Shumë vetë e dinë që duhet t’i shmangin ushqimet e shpejta. Por meqenëse janë të pranishme kudo, shumë vetë e kanë të vështirë të ndryshojnë dietën, shkruan zeriamerikes. Por doktoreshë McTiernan thotë se njerëzit nuk duhet të presin që qeveria ose industria e ushqimeve të shpejta të vendosin për ta.

“Unë do të thosha që duhet të mirinformohen, të ndjekin me kujdes nëse me kalimin e kohës shtojnë peshë, nëse kanë rrezikshmëri më të lartë nga kanceri dhe të zgjedhin se çfarë të bëjnë për vete dhe për familjen”, thotë ajo.

Shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara po punojnë për një analizë të thjeshtë gjaku që mund të diktojë disa lloje kanceri në një fazë shmë më të hershme, duke shtuar shanset për të ndalur zhvillimin e tij.

“Për disa njerëz, një tregues i hershëm për kancerin mund të bëhet një udhërrëfyes për t’u ndërgjegjësuar që mund të jenë të rrezikuar dhe për të bërë ndryshime dhe ndoshta marrin iniciativën për këto ndryshime”, thotë doktoresha McTiernan.

Ajo thotë se studimet e saj tregojnë se kur dikush që është obez ose mbi peshë, humb peshë apo dikush tjetër fillon të bëjë aktivitete fizike, rreziku i kancerit zvogëlohet mjaft.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme