Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanal të Ibër-Lepencit po kthehet në normalitet.
Ministrja Rizvanolli ka shkruar në Facebook se të shtunën vonë ka filluar furnizimi me ujë në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.
Pas dëmeve që ka shkaktuar shpërthimi me eksplozivë, reduktime të ujit ka pasur edhe në Drenas, Fushë-Kosovë e Obiliq.
Furnizimi me ujë pritet të normalizohet edhe në këto komuna.
“Furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanal të Ilbër Lepencit po kthehet në normalitet! Mbrëmë në orët e vona ka filluar furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit. Sot, uji tashmë është lëshuar për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj. Brenda pak orësh pritet të normalizohet furnizimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit!”, ka shkruar ajo.