Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka lansuar aktivitetin e titulluar “Intervistë me Gjyqësorin”, të cilin synon ta bëjë aktivitet të përvitshëm me qëllim të matjes së progresit në sektorin gjyqësor nga viti në vit.
Në tryezë u tha se pavarësisht përparimit të dukshëm që është bërë në aspektin e zbatueshmërisë së kontratave e që është reflektuar edhe në raportin e Bankës Botërore që mat lehtësinë e të bërit biznes, ende mbeten shumë sfida të cilat duhen adresuar nga ana e institucioneve vendore.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, foli për planet afatgjata të Ministrisë së Drejtësisë që kanë për synim fuqizimin e sektorit privat, përfshirë por duke mos u kufizuar vetëm në incimin e Rishikimit të Sektorit të Drejtësisë, që do kontribuonte më tej në fuqizimin e pozicionit të bizneseve. Ministri Tahiri shprehu zotimin e tij për marrjen në konsideratë të rekomandimeve të Odës Ekonomike Amerikane dhe organizatave të tjera për shtyrjen përpara të reformave të nevojshme në sektorin e drejtësisë, duke falënderuar Odën Amerikane për kontributin e saj në këtë drejtim përgjatë viteve të kaluara. Ai tha se viti 2018 do të jetë vit i sundimit të ligjit për shkak të aktiviteteve të shumta reformuese të cilat do të ndërmerren.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, foli për fuqizimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe Gjykatës së Apelit përmes rritjes së numrit të gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesional. Ai inkurajoi bizneset që të shfrytëzojnë metodat alternative për zgjidhjen e kontesteve, duke ndikuar kështu edhe në zvogëlimin e lëndëve të vjetra.
Përfaqësuesit e Odës Amerikane, USAID dhe UNDP-së, që ishin pjesë e panelit, kanë folur lidhur me rolin e tyre dhe përkrahjen e vazhdueshme ofruar institucioneve të drejtësisë përmes programeve dhe projekteve të tyre, duke theksuar edhe nevojën e shtimit të përpjekjeve për luftimin e korrupsionit në gjyqësor.