10 arsye pse Ramush Haradinaj duhet të bëhet president

Prishtinë | 13 Nën 2020 | 21:53 | Nga Rasim Selmanaj
  1. Haradinaj, edhe pse ka një të kaluar të bujshme, ai sot nuk rron me bindje të së kaluarës, por i mban si promemorie historike, ndërsa politikën e ka veprim jo vetëm ditor, por vizion me objektiva ndërnacionalë. Në takime e konferenca ndërkombëtare, qoftë si kryeministër, qoftë si lider i një subjekti politik, si gjithmonë, ai nuk është ndier aspak inferior, ai u shfaq i barabartë në mes të barabartëve.
  2. Haradinaj sa ishte kryeministër, nuk pranoi zgjidhje të imponuara, por i zhveshi ndërskamcat dhe i degradoi politikat meskine, qoftë të inskenuara nga brenda, po ashtu edhe nga jashtë. Pra, ai është i vetmi që veproi si Prijës i Vendit, foli si i tillë, qëndroi si i tillë, pa prishur miqësinë e përhershme me miqtë tanë evropianë dhe amerikanë.
  3. Haradinaj, kudo dhe kurdo, edhe kur ngeli i vetëm, mbrojti interesat e shtetit të vet, të popullit të vet. Ai nuk lejoi që politika e brendshme të bëhet politikë jashtme. Përpara tij u përul diplomacia ogurzezë, sepse asnjë lider i sotëm kombëtar a ndërkombëtar, nuk ka bërë për vendin e tij sa ai.
  4. Gjatë shkëlqimit të tij si kryeministër, mbi të ranë akuza smirëzeza, që dëmtonin rëndë Kosovën dhe krijonin mjegullnajë kudo në kancelaritë evropiane. E akuzuan se me qëndrimet prej prijësi se “prishi miqësinë” me ndërkombëtarët! Dhe, pikërisht në këtë kohë, ai u prit si hero nga forcat ushtarake amerikane, sepse jo një herë u ngjan atyre; i prerë në vendime, konstant në qëndrime, tamam si një veteran amerikan i luftës, nga Vietnami e këndej.
  5. Përderisa të tjerë liderë, dikur merreshin me njëri- tjetrin, Haradinaj nga UÇK hyri në TMK, madje ishte katalizatori i saj. Dhe, më vonë, po Haradinaj u vu përballë Gjykatës Ndërkombëtare, duke dëshmuar tri herë radhazi se lufta e UCK-së ishte e drejtë dhe e pastër.
  6. Përderisa interesa të huaja të sponsorizuara nga Beogradi ishin për hapjen e kufijve shtetërorë dhe zhbërjen e sovranitetit të Kosovës, Ramush Haradinaj, me çdo kusht, ishte dhe mbeti për ruajtjen e kufijve shtetërorë. Dhe jo vetëm kaq, Ramush Haradinaj i vuri taksë 100% Serbisë dhe e mbajti atë, pavarësisht presioneve të papara nga brenda dhe jashtë.
  7. Përderisa të tjerë liderë në diskutimet me palën serbe dhe ndërkombëtare, lanë pezull thesarin më të madh të tokës shqiptare, Trepçën, Ramush Haradinaj, me ligj, e futi nën ombrellën shtetit të Kosovës.
  8. Përderisa të tjerë liderë ia ruanin sedrën e Serbisë, duke u marrë me çështje teknike për “poena politikë”, Ramush Haradinaj shfrytëzoi të drejtën për mbrojtje-themeloi Ushtrinë e Kosovës.
  9. Përderisa të tjerë liderë, në çdo takim ndërkombëtar silleshin si fëmijë të zonjës së zezë, Mogherini-t, Ramush Haradinaj i tha stop politikës së njëanshme alla Mata Hari. Pra, Haradinaj nuk lejoi të sillej si ‘palë e tretë’, por tamam si Zot Shtëpie.
  10. Përfundimisht, edhe sot kur kërcënimet vijnë hapur nga vetë presidenti serb, Vuçiqi, për një konflikt të mundshëm me Kosovën, vënia në krye e Haradinajt është garancë madhe e sigurisë kombëtare, por edhe e stabilitetit në rajon.

Prandaj, Ramush Haradinaj për këto arsye dhe shumë të tjera duhet të bëhet president i Republikës së Kosovës!

(Autori është deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës)

Të ngjashme