22 “mega-shkatërrimet” që e fundosën Kosovën

Prishtinë | 30 Gus 2021 | 16:26 | Nga Agron Hoti

Kosova për 22 vite çlirim është sulmuar në mënyrë aq brutale nga brenda dhe jashtë (kryesisht nga masa subverzive serbe e ruse dhe aleatë të tyre duke i fryrë zjarrit të përçarjes ekstreme jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri) për të krijuar realitet artificial me qëllim demoralizimi të masave të gjera popullore se kinse këtu po vdisnin njerëzit urie, e kjo në kohën kur standardin jetësor që kemi sot kurrë në histori s’e kemi pasur dhe kur mbipesha nga ushqimi me bollëk është bërë problem kombëtar. E kur situata do të arrijë të qetësohet dhe njerëzit ta kuptojnë hilen e madhe që po i përgatitej Kosovës në maskën e ‘shpëtimit’, do të jemi dëshmitarë të gjallë që Kosova për 22 vite çlirim dhe vetëm 13 vite shtetësi ka arritur 22 ‘mega-shkatërrime’ bile më shpejtë se çdo shtet në botë në moshën 13-shtetvjeçare.

E 22 “mega-shkatërrimet” që e “fundosën” Kosovën janë si më poshtë:

1. Kosova ka arritur që për një periudhë prej më pak se 2 apo 3 vite pas luftës ta përfundojë rindërtimin e të gjitha shtëpive dhe vendbanimeve të shkatërruara duke zhukur kështu çdo gjurmë të luftës. Këtu kontribut të madh ka dhënë mërgata jonë, ndihmat ndërkombëtare si dhe zelli i qytetarëve për t’iu kthyer tokës mëmë. Më poshtë se shkrumbi e hiri i vitit 1999 nuk kishte ku të shkojë Kosova. E Bosnja e Hercegovina edhe sot nuk i ka zhdukur gjurmët e luftës. As Evropa s’ka arritur t’i zhdukë gjurmët e Luftës së Dytë Botërore më shpejt se sa Kosova, kjo është fakt;

2. Edhe pse Kosova gjatë periudhës 1999-2007 ende s’ishte bërë shtet, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, përkundër pengesave serbe dhe ruse, kishte arritur të bëhej pjesë e të gjitha nismave, organizatave dhe mekanizmave rajonale si palë e barabartë me Serbinë, Bosnjen e Hercegovinën dhe tërë rajonin. Anëtarësimi në CEFTA (viti 2007) dhe në Traktatin e Energjisë për Evropën Juglindore (2006), etj., ishin shembujt më tipikë të integrimit rajonal.

3. Politika e Kosovës nga 1999-2008 ka punuar ngushtë me SHBA dhe BE për ta shpallur pavarësinë e njohur nga mbi 110 shtete të botës. Kush e mendon që ka qenë e lehtë tërë kjo mega-ndërmarrje ndërkombëtare për të cilën kanë vdekur miliona shqiptarë, e ka ngatërruar planetin. E bashkësia ndërkombëtare e ndihmoi politikën tonë, sepse i besonte që ta shpallte pavarësinë e ëndërruar me shekuj dhe të fillonte shtetndërtimin e Kosovës. Falë kësaj pavarësie sot njerëzit në Kosovë jetojnë të lirë dhe më mirë se çdo herë në historinë mbi dymijë vjeçare të Kosovës;

4. Kosova gjatë periudhës 2008-2019 si asnjë shtet deri me sot në botë ka arritur që për një afat rekord ta kompletojë tërë mozaikun kushtetues, ligjor dhe institucional brenda dhe jashtë saj, e tëra kjo edhe falë bashkëpunimit me SHBA dhe BE. Fakti që pushtetet në Kosovë e njohin dhe pranojnë tërë këtë mozaik bile edhe e lavdërojnë e konfirmon mega-arritjen e Kosovës. Të marrësh Kosovën e vitit 2021 të gatshme me tërë mozaikun kushtetues, ligjor, institucional si dhe bazë solide të zhvillimit ekonomik është dhurata më e madhe për ata që sot e gëzojnë, por që mundohen t’i heshtin me çdo kusht. Fakti që institucionet e Kosovës, më të rejat në botë, kanë arritur që përkundër vështirësive të plotësojnë dyfishin e kritereve që kishte rajoni për CEFTA, Traktat të Energjisë, MSA, liberalizimi të vizave etj. gjithnjë sipas Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian e konfirmon më së miri arritjen e madhe institucionale. Fakti që sot Forcat e Armatosura të Kosovës marrin pjesë nëpër misione ndërkombëtare flet vet që Kosova ka shënuar të arritura të jashtëzakonshme, e kjo arritje u bë pikërisht nga institucionet e Kosovës të mbështetura nga SHBA e BE;

5. Kosova edhe pa qenë shtet 1999-2007 edhe pasi është bërë shtet 2008-2021 ka arritur të organizojë zgjedhje demokratike në nivel lokal dhe qendror të pranuara dhe lavdëruara ndërkombëtarisht si shembull për tërë rajonin. Vetë fakti se tranzicionet dhe rotacionet politike kanë ndodhur pa kurrëfarë dhune e telasheje e konfirmon progresin e Kosovës drejt demokracisë më shpejtë se çdo vend në rajon, ndaj kjo hedh plotësisht poshtë çdo pretendim për kapje shteti, se përndryshe pushtetet s‘do të mund të ndërroheshin pa dhunë e çmendurira siç shpesh kishte ndodhur në rajon dhe botë. Në shtete të kapura s‘mund të zhvillohet siç është zhvilluar në Kosovë industri e paparë mediale e fjalës së lirë, sindikata e shoqëri civile më të konsoliduara se në çdo shtet në rajon. Ka liri mediale më shumë se në çdo shtet të rajonit, ndaj edhe kjo hedh poshtë çdo pretendim se mediat e shoqëria civile dhe sindikatat ishin të kapura;

6. Kosova që nga viti 1999 deri në 2021 nuk ka pasur as edhe një herë të vetme trazira socio-ekonomike, të cilat do të mund ta konfirmonin varfërinë ekstreme siç mundoheshin ta paraqisnin oportunistët e qarqet dashakeqe duke lypur me llupë vetëm pikat e dobëta e duke heshtur qëllimshëm të fortat. Fakti që sipas Bankës Botërore Kosova ka pasur rritjen ekonomike më të madhe në rajon gjatë periudhës 2008-2019 tregon më së miri se pse nuk ka pasur trazira socio-ekonomike. Fakti që Kosova që nga 1999 deri në 2021 ka pasur rritjen ekonomike më të madhe në Evropë dhe pse jo më stabilen prej plus minus 4% (sipas Rushir Scharma). Fakti që Kosova e pati kaluar krizën financiare globale të vitit 2008 pa trazira socio-ekonomike siç patën ndodhur në Greqi e vende tjera të BE-së flet shumë për zhvillimin ekonomik të Kosovës sigurisht brenda mundësive, rrethanave dhe pengesave të vazhdueshme nga brenda dhe jashtë. Fakti se kamatat e bankave kanë rënë nga afro 15-20% sa ishin para shpalljes së pavarësisë në më pak se 4% në vitin 2021 e konfirmon zhvillimin ekonomik të Kosovës. Fakti që Kosova nga shkrumbi e hiri i vitit 1999 ka arritur që deri në vitin 2021 të rrisë pagat e sektorit publik më shumë se çdo shtet në rajon dhe të ketë vlerësime pozitive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për qëndrueshmëri makrofiskale flet shumë për ecjen e jashtëzakonshme përpara, për ata që duan ta shohin;

7. Kosova vetëm pas shpalljes së pavarësisë, pra 2008-2011 kishte arritur ta stabilizonte furnizimin me rrymë elektrike kundrejt reduktimeve të shpeshta e ashpra që shkatërronin ekonominë. Anërarësimi i Kosovës në Traktatin e Energjisë për Evropën Juglindore në vitin 2006 si dhe përkushtimi politik i Kosovës i mbështeshtur fuqishëm nga SHBA e BE e kanë stabilizuar furnizimin me rrymë. Ishte pikërisht stabilizimi i furnizimit me energji ai që mundësoi rritjen më të madhe ekononike në rajon sipas Bankës Botërore dhe pse jo në Evropë. Një vend që s’ka energji, s’ka ekonomi, lufta kryesore sot në glob bëhet për furnizim me energji;

8. Kosova për 22 vite çlirim dhe 13 vite shtetësi ka arritur ta zhdukë hendekun e standardit jetësor fshat-qytet. Kjo është e arritura më e madhe dhe më e shpejtë në glob që Kosova ka arritur ta bëjë, thjeshtë e jashtëzakonshme. Asnjë shtet në Evropë dhe botë nuk ka mundur ta zhdukë më shpejtë këtë hendek se sa Kosova. Ndërkohë alamet rajone e shtete në glob si tërë Amerika e Mesme dhe Jugore, Kina, India, Indonezia, Rusia, Evropa Juglindore, Turqia, Greqia, etj, edhe pse tashmë disa sosh janë ndër ekonomitë më premtuese në glob, s’kanë arritur dhe as do të arrijnë ta zhdukin hendekun e standardit jetësor fshat-qytet. Sot pra në Kosovë jetohet me të njëjtin standard si në fshat ashtu edhe në qytet, kurse para lufte dallimi ishte si nata me ditë. Shikoni sot fshatrat në Shqipëri, Bullgari, Rumani, Serbi, krahasoni me Kosovën dhe ejani flasim;

9. Kosova sipas Bankës Botërore dhe USAID, gjatë periudhës 2008-2021 ka qenë ndër ekonomitë më të përmirësuara në glob dhe në top vendet në glob që ka ndërmarrë reformat e nevojshme në favor të zhvillimit ekonomik. Fakti që Kosova ka depozitat bankare në rritje, sistem bankar stabil dhe likuid, ulje graduale të kamatave dhe rritje të eksporteve edhe në pandemi, tregon që baza e sektorit privat tashmë është shtruar dhe projeksionet janë premtuese, gjithnjë duke marrë parasysh vështirësitë me Serbinë, izolimin nga BE, etj. Me trendet që është duke ecur, Kosova deri në vitin 2040 pritet që ta stabilizojë tërë infrastrukturën, ta fuqizojë sektorin privat së paku në nivel me rajonin dhe që së paku ta balancojë bilancin tregtar, nëse eksportet nuk tejkalojnë importet;

10. Kosova për 22 vite çlirim dhe 13 vite shtetësi ka arritur të nënshkruajë dhe ratifikojë mbi 500 marrëveshje ndërkombëtare. Vetë fakti që çdo vit BE, SHBA, Gjermania, Institucionet Financiare Ndërkombëtare (p.sh. Banka Botërore, EBRD, KfW, etj.) dhe shumë shtete tjera nënshkruajnë dhe ratifikojnë me Kosovën marrëveshje të shumta financiare mes 150 deri në 300 milionë EUR e konfirmon që tërë bashkësia ndërkombëtare i besonte plotësisht shtetit të Kosovës, përndryshe s’do të nënshkruheshin të gjitha ato marrëveshje, që të gjitha të dokumentuara, ratifikuara e dekretuara që nga 1999 deri në 2021;

11. Kosova, pra institucionet e saj që oportunistët dhe qarqet dashakaqe i shanin, ndërsa sot të njëjta i lavdërojnë duke u thënë se kanë shënuar progres të paparë, duke plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE ka arritur që në vitin 2016 ratifikojë Marrëveshjen Stabilizim Asociim (MSA) si hapin e parë gjigant drejt integrimit evropian. MSA nuk do të përsëritet më, Kosova do të lëviz në hapa tjerë të integrimit evropian;

12. Kosova më shumë se çdo shtet në rajon dhe Evropë ka dhënë kontributin e saj në luftën ndaj radikalizmit fetar dhe terrorizmit global. Për këtë ka marrë lëvdata edhe nga vendet më të fuqishme në glob. E paramendoni sa të reja i kishte Kosova institucionet për një sukses aq të madh ndërkombëtar;

13. Kosova më shpejtë se çdo shtet në Evropë ka përmirësuar infrastrukturën e saj duke i hapur kështu rrugë zhvillimit më të shpejtë në rajon të konfirmuar edhe nga Banka Botërore dhe USAID. E të gjithë e dinë se Kosova në vitin 1999 ishte bërë shkrumb e hi, pastaj para vitit 1999 kishte vetëm 5% rrugë të asfaltuara duke qenë tërësisht e përjashtuar nga rrugët rajonale. Këtë mosinvestim dhe mega përjashtim socio-ekonomik Serbia pushtuese e bënte me qëllim, sepse Serbia e di mirë që kombet zhvillohen përmes rrugëve, prandaj Serbia me aleatë vazhdimisht insistonte që Kosova të mos ndërtonte autostrada. Të gjitha këto mega-investime Kosova i ka bërë duke e mbajtur borxhin publik më të ultin në Evropë për kokë banori në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Për më tepër vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe BE e kanë konfirmuar që Kosova ka rrugët më të sigurta në rajon;

14. Kosova ka pasur dhe ende ka bumin më të madh në rajon të ndërtimeve në qytete dhe fshatra. E bumi i ndërtimeve e konfirmon që në Kosovë ka pasur dhe ka kapital të madh financiar. Bumi i ndërtimeve vazhdon edhe sot me ritme të papara, mjafton të krahasojmë Prishtinën me kryeqytetet e rajonit, një Prishtinë së cilës sot mund t’i sillesh përreth pothuaj së tërës me autostrada klasi, diçka që sot e ka veç Athina, Beogradi, Zagrebi e Shkupi e ende s’e kanë Tirana, Podgorica, Sarajeva, Sofja, Bukureshti, etj;

15. Kosova ka arritur të ketë numër më të madh të veturave për kokë banori në rajon, përfshirë veturat e reja, pa përfshirë këtu numrin e makinerive tjera të rënda. Ndërkohë që para lufte s’i shihje dy tri vetura në një fshat e mos të flasim për makineri të rënda;

16. Kosova, edhe pse e penguar fort nga Serbia, ka arritur që edhe pas vitit 2008 deri në 2021 me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare të anëtarësohet në të gjitha organizatat dhe mekanizmat pasuese rajonale si palë e barabartë me Serbinë dhe të gjitha shtetet e rajonit. Si para pavarësisë ashtu edhe pas saj Kosova vazhdimisht i ka hyrë integrimit rajonal, nuk ka pritur ç’thotë Serbia, sepse po ta kishim pritur ç’thotë Serbia, as pavarësinë s’e kishim shpallur. Nëse presim që me presion tonin ta gjunjëzojmë Serbinë, atëherë e kemi ngatërruar planetin. Hyrja e Kosovës në të gjitha nismat (njëjtë sikur Serbia) në Procesin e Stabilizim Asociimit, Paktin e Stabilitetit, CEFTA, Procesin e Berlinit, ratifikimi i MSA-së, e shumë nisma e marrëveshje tjera e konfirmojnë këtë, të gjitha të faktuara;

17. Kosova për dallim prej vendeve të rajonit ka bashkëpunuar pa asnjë rezervë me Tribunalin e Hagës dhe së fundmi me Gjykatën Speciale, ndërsa shtetet e rajonit vazhdimisht e kanë bojkotuar këtë proces. Përderisa Kosova ka marrë lëvdata të mëdha për këtë bashkëpunim, asnjëherë s’është shpërblyer sa dhe si duhet për këtë, shih këtu izolimin edhe sot nga BE me mosliberalizim të vizave për Kosovën;

18. Kosova sipas Sipas World Justice Project 2020 ka ecur në Sundim të Ligjit më shumë se çdo shtet në rajon si dhe sipas Crime Index by City 2021 në 109 qytete të Evropës, kryeqytetet e BE-së e rajonit prijnë sa i përket niveleve të larta të krimit, ndërkohë që Prishtina nuk figuron fare. Ndërkohë Serbia përpos që gurgullon nga korrupsioni, krimi dhe e kaluara gjenocidale ndaj rajonit, edhe sot vazhdon të mos i njeh kufijtë e rajonit, të flirtojë hapur me Rusinë e Kinë, ta poshtërojë BE-në dhe megjithatë të ledhatohet nga ajo;

19. Kosova më shumë sesa çdo shtet në rajon dhe Evropë ka qenë tërësisht e rreshtuar kah perëndimi dhe në këtë drejtim ka dëshmuar bashkëpunim të plotë. Kosova për 22 vite çlirim e 13 vite shtetësi asnjëherë s’i ka kthyer shpinën SHBA-së e BE-së, asnjëherë s’i ka kundërshtuar marrëveshjet që vijnë nga SHBA. Nënshkrimi i Kosovës së Marrëveshjes së shtatorit 2020 në Shtëpi të Bardhë ka qenë ndoshta i pari dhe i fundit nga politika shqiptare dhe kjo ka qenë një e arritur kolosale për Kosovën për ta rikonfirmuar rreshtimin krah perëndimit ku për shqiptarët “lind dielli”. Fakti që Kosova bashkëpunonte ngushtë dhe nënshkruante marrëveshje në Shtëpi të Bardhë, me BE-në dhe përkundër pengesave serbe e ruse arrinte të futej në të gjitha nismat, organizata, mekanizmat dhe projeksione rajonale si e barabartë mes të barabartëve flet më së miri për orientimin tërësisht properëndimor të saj;

20. Kosova është anëtarësuar në Bankë Botërore, Fond Monetar Ndërkombëtar, FIFA, UEFA dhe shumë e shumë mekanizma tjerë ndërkombëtarë. Po të mos ekzistonte besim në politikën e Kosovës, kjo sigurisht që nuk do të ndodhte. Përkundrazi, Kosova që nga viti 1999-2021 ka bashkëpunuar ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe çdo projeksion ekonomik e ka bërë në bashkëpunim të ngushtë me FMN, SHBA dhe BE, faktet flasin vetë;

21. Kosova ka arritur të sigurojë ngrohje dhe furnizim me ujë 24 orë për Prishtinën, të zgjerojë rrjetet e ngrohjes nëpër qytete, si dhe ka përmirësuar dukshëm furnizimin me ujë nëpër tërë Kosovën, ashtu sikundër që ka filluar me ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza për qytete të mëdha, diçka për të cilën njerëzit as që kishin ëndërruar. Përpos kësaj Kosova qysh në vitin 2015 (me vetëm 7 vite shtetësi) në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare kishte arritur të bënte projeksione të jashtëzakonshme për ujë (për pije, ujitje, energji, kanalizime) deri në vitin 2034; të gjitha projektet sot janë duke ecur sipas atyre projeksioneve. Kush ka pritur që të rregullohen të gjitha problemet për 22 vite çlirim dhe 13 vite shtetësi në një vend me thes të tërë të shkyer, e ka ngatërruar planetin;

22. Kosova për 22 vjet çlirim dhe vetëm 13 vite shtetësi, edhe pse e penguar fuqishëm nga Serbia dhe Rusia, ia ka arritur të bëhet pjesë e të gjitha projeksioneve të rrjeteve infrastrukturore rajonale: rrugore, ajrore, hekurudhore, dixhitale, telefonike, gazit, rrymës elektrike, etj. Kjo sepse Kosova dhe Shqipëria i dinë më së miri pasojat e izolimit dhe mosintegrimit në rrjete rajonale dhe evropiane. Më së shumti Kosova ka ecur në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është në rrugë të mirë drejt Malit të Zi dhe Serbisë. Miliarda EUR janë shpenzuar dhe pritet të shpenzohen në kuadër të Procesit të Berlinit, Procesit të Stabilizim Asociimit dhe nga SHBA, të gjitha projektet e realizuara janë të prekshme dhe të matshme për ata që duan t’i shohin;

Sigurisht që Kosova nuk ka mundur që për 22 vjet çlirim e vetëm 13 vite shtetësi të bëhet as Zvicër e as Gjermani, sepse rrethanat e tmerrshme historike nëpër të cilat ka kaluar e pamundësonin një gjë të tillë, pavarësisht dëshirave, ëndrrave dhe pritjeve. Por ama, nga shkrumbi e hiri dhe nga shkretimi i qëllimshëm dhe planifikuar i pushtuesit serb që nga 1945 deri në 1999, duke mos harruar këtu edhe gjendjen super të mjerë të popullit shqiptar të trashëguar që nga Perandoria Osmane, rënia e saj e deri në 1945, Kosova sot përbën rast unik në botë, ku për vetëm 22 vite çlirim dhe vetëm 13 vite shtetësi edhe pse ende e izoluar nga Evropa dhe me 100 pengesa nga Serbia e Rusia, ka arritur që megjithatë të bëhet shtet me të gjithë aparatin e nevojshëm shtetëror, me sektor privat në zhvillim e sipër, kuptohet dhe me vështirësi në qeverisje, përfshirë keqpërdorimet korruptive dhe shpërdorimin e resurseve njerëzore, sfida këto të cilat sikurse çdo në shtet në botë do të na shoqërojnë edhe në të ardhmen dhe nuk do të përfundojnë kurrë, pavarësisht trumpetimeve shterpe.


Të ngjashme