9 kushtet e Bundestagut dhe keqkuptimi me BE-në!

Prishtinë | 01 Tet 2019 | 20:34 | Nga Lutfi Dervishi

9 kushtet e miratuara nga Budenstagu gjerman që Shqipëria të hapë negociatat me BE-në janë lexuar në mënyra të ndryshme nga qeveria dhe opozita. Qeveria i sheh si dritë jeshile dhe shpërblim për reformat, ndërsa për opozitën shtimi i kushteve do të thotë se janë bërë hapa prapa.

Pas dy javësh Këshilli Europian do të marrë vendim për të hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vota e Gjermanisë është e rëndësishme. Por mjafton një nga 28 vendet anëtare të BE-së të thotë jo dhe Shqipëria rrezikon të humbasë edhe më tej kohë të çmuar.
Mbetet të shihet nëse 9 kushtet e Bundestagut janë të mjaftueshme për të akomoduar dyshimet që kanë vende si Hollanda apo Franca.

Ndryshe nga Shqipëria, për Maqedoninë e Veriut rruga duket më e lehtë. Për të nuk pati asnjë kusht.

Hapja de facto e negociatave do të bëhet pas plotësimit të detyrave të shtëpisë. Pas plotësimit të 9 kushteve janë 35 kapituj që do të negociohen. Në fakt nuk do të ketë negociata, por përveshje mëngësh për të plotësuar angazhimet.

Hapja dhe mbyllja e 35 kapitujve (që kanë të bëjnë pothuaj me gjithçka që nga institucionet, drejtësia, mbrojtja konsumatorëve etj) do të thotë transformim total i vendit. Kjo rrugë nuk është as e lehtë dhe as e shkurtër.

Vendeve të rajonit si Kroacia apo Sllovenia i janë dashur plot 10 vjet.

Shqipëria nuk do të hyjë në BE. Shqipëria nuk do të shkojë asgjëkundi. Do të vijoj të qëndrojë këtu ku ka qenë në shekuj. Shprehjet “Europa nuk na do”, janë më shumë shprehje injorance në rastin më të mirë dhe në më të shumtën e rasteve janë justifikime për të mbuluar dështimet. Hapja dhe mbyllja e 35 kapitujve nuk e çon Shqipërinë në Europë, por e ndërton Europën në Shqipëri.

Vendimi i Bundestagut erdhi pas disa orë debatesh dhe vota nuk ishte unanime.

Të ngjashme