A do të kapet shansi për stabilitet qeverisës?

Prishtinë | 06 Jan 2020 | 17:34 | Nga Arbër Zaimi

Sa herë debatohen të mirat e të këqijat mes sistemeve përfaqësuese proporcionale e atyre majoritare, apo të përziera, kritikët e proporcionalit thonë se ky lloj sistemi prodhon fraksionizim të spektrit politik në shumë parti, volatilizim të trupës votuese (domethënë mungesë të stabilitetit brendapartiak, gjë që çon në vështirësi të institucionalizimit të vetë partive), vendosjen e partive të vogla në kushte të kingmaker-it, detyrimin për të bërë koalicione, të cilat nënkuptojnë heqje dorë prej elementëve programatikë të shpallur në fushata elektorale e të mbështetura nga votuesit, dhe ç´është më e rëndësishmja, paqëndrueshmëri qeverisëse.

Kësaj kritike, studiuesit i përgjigjen se përgjithësisht sistemi proporcional i përfaqësimit prodhon po aq qëndrueshmëri, në mos po më shumë, se ai majoritar, nëse krahasohen vendet që për kohë të gjatë mbajnë sisteme të tilla, mirëpo me një kusht. Që në krahasim të mos merret parasysh Italia. Italia, ndoshta simbolizon vendin me qeveritë më të paqëndrueshme mes demokracive. Ç´prej përfundimit të Luftës II, 74 vite më parë, Italia ka patur 61 qeveri të ndryshme. Pra, jetëgjatësia mesatare e një qeverie italiane ka qenë prej 1 viti e dy muajsh, gjë që ka ndikuar shumë në performancën e dobët të Italisë krahasuar me vendet e tjera të mëdha perëndimore, qoftë në aspektin e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, demokratizimit, zhvillimit ekonomik e barazisë, por edhe në prestigjin ndërkombëtar të saj. Italinë, megjithatë studiuesit e politologjisë këshillojnë që ta shohim si vend anormal, e mos ta marrim parasysh kur konsiderojmë krahasimisht përfaqësimin proporcional e atë majoritar. Italia qartazi i mishëron të gjitha kritikat stereotipike që mbrojtësit e majoritarit ia bëjnë proporcionalit, mirëpo, Italia në 25 vitet e fundit ka ndryshuar 4 herë ligjin zgjedhor, duke synuar më shumë stabilitet, por pa rezultat. Qysh në 1993 e largët, në New York Times një analist shkruante «problemi i stabilitetit qeverisës në Itali nuk është sistemi zgjedhor, por mafia e korrupsioni që kaplon elitat politike».

Nëse kthehemi ca më pranë në kohë e në territor, një vend tjetër po duket se po shkon gjurmëve të Italisë. Ai vend është Kosova. Jo në sensin e zhvillimit të një arkitekture të klasit botëror, as në sensin e furnizimit të botës me stilistë të artit e të modës. As për lloje të verërave a djathërave me nam. Por, siç mund të jetë kuptuar edhe nga hyrja e shkrimit, në sensin e mungesës së stabilitetit qeverisës, shkaktuar jo edhe aq prej ligjeve e sistemit përfaqësues, se sa prej kapjes së shtetit, prej elitave politike mafioze e të korruptuara, që e mirëmbajnë elektoratin e vet përmes sistemeve të patronazhit dhe klientelës.

Sigurisht, proporcionali në Kosovë është vendosur si garanci për minoritetet, për vetë rrethanat e ditura për publikun e gjerë. Mirëpo, nuk është proporcionali ai që ia jep destabilizimin Kosovës. Njësoj si në Itali, dobësimi i shtetit e impotenca e qeverisjes, prodhohet nga mafia dhe kapja e shtetit prej klaneve klienteliste e korruptive. Ashtu siç në Shqipëri (ku po ashtu sistemi është proporcional) ka një stabilitet të përhershëm – shpesh më të sforcuar seç duhet – jo se ligjet janë të mira, por se ashtu ia do interesi kapësve të shtetit. Pse në Shqipëri faktori mafioz prodhon stabilitet qeverisës ndërsa në Kosovë të kundërtën? Sepse në Kosovë është prezenca imponuese ndërkombëtare ajo që i detyron të korruptuarit vendorë të prodhojnë përherë të njëjtat justifikime për dështimet e veta, pikërisht duke dobësuar qeveritë dhe duke shkaktuar rrëzimin e tyre gjithnjë të parakohshëm. Meqenëse llogaridhënia ndaj popullit është koncept i huaj për pushtetin mafioz, llogaridhënies ndaj ndërkombëtarëve që bëjnë presion për drejtësi funksionale, luftë ndaj korrupsionit e përgjithësisht institucionalizim të shtetit, në Kosovë i ikin përmes krijimit të vazhdueshëm të krizave qeverisëse, jo rrallë duke kërcënuar se ato kriza do të mund të avancoheshin edhe në fenomene më të frikshme. Ndërsa në Shqipëri, ku po ashtu llogaridhënia ndaj popullit është koncept i huaj, meqenëse nuk ka ndërhyrje a interes të madh as prej ndërkombëtarëve, stabiliteti i mafisë në pushtet është i plotë. Madje, po të kishte mundësi, do të qeverisej edhe përtej mandatit.

Një shaka prej politologësh do të mund të ishte: Në Shqipëri kurrë s´ka zgjedhje të parakohshme, në Kosovë kurrë s´ka mandate të plota qeverisëse. Ndonjëri nga ata që kanë qejf të theksojnë dallimet mes shqiptarëve të Kosovës e atyre të Shqipërisë, do të mund të shtonin edhe këtë argument në listën e tyre. Nga njëra anë e kufirit kombi i mandateve qeveritare rigorozisht katërvjeçare, nga ana tjetër kombi i mandateve rigorozisht më pak se katërvjeçare. Pse jo?!

Përtej shakasë, dikush mund të shtrojë pikëpyetjen e stabilitetit qeverisës në Kosovë, si e ka ndikuar ai cilësinë e qeverisjes? Parametrat e përgjithshme dihet cilat janë, mbrojtja, siguria e rendi, reformat për funksionalizimin e drejtësisë së pavarur, mirëqenia ekonomike e zhvillimi, si dhe politika e jashtme, me theksin te njohjet e integrimi i Kosovës në struktura ndërkombëtare, dhe te zgjidhja e problemit me Serbinë.

Do të mund të hynim edhe më në imtësi, për të numëruar dështimet, prapambetjet, dëmet që i shkakton Kosovës mungesa e stabilitetit qeverisës, por tashmë ky shkrim është zgjatur më shumë seç lejon vëmendja në kohën e smart-fonëve. Por e rëndësishme është se sot Kosova është pranë një mundësie të artë, që të ndërtojë një qeveri më të qëndrueshme se ato që ka pasur më parë, një qeverisje që do të sillte stabilitet dhe një program të dëshiruar nga shumica e popullsisë. Kjo do të ishte qeverisje e një koalicioni mes subjektit fitues të zgjedhjeve dhe subjektit që ka dalë në vend të dytë, të cilat së bashku përfaqësojnë më shumë se 50% të votuesve të Kosovës. Ç’është më pozitivja në këtë perspektivë është se ky koalicion nuk i dëmton moralisht subjektet karshi votuesve, pasi të dyja këto forca e kanë shpallur para votuesve të tyre intencën për të bërë koalicion vetëm me njëra-tjetrën, pikërisht për të luftuar kapjen e shtetit që arriti përmasa ekstreme me qeverisjen e koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma), ku më së shumti ndikuese ishte PDK, e cila qëndron në pushtet pandërprerë, qysh prej vitit 2007, duke kapur shtetin dhe ekonominë, përmes punësimeve në administratë e borde e përmes oligarkëve të varur prej saj. LV tashmë ka publikuar emrat e pesë ministrave të saj, nga të cilët dy nuk janë aspak anëtarë të këtij subjekti, duke treguar si zakonisht hapje ndaj profesionistëve dhe respekt për specialistët, e jo thjesht shqetësim për të rehatuar figurat e veta partiake.

Fatkeqësisht, ky koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje që fitoi zgjedhjet dhe LDK-së që doli e dyta, nuk po realizohet. Edhe pse LV po i jep LDK-së më shumë pjesë në qeverisje se sa që i ka dhënë në të shkuarën PDK-ja sa herë që kanë bërë koalicion bashkë. LV po e ndan qeverinë përgjysmë me LDK-në, pra nga 5 ministri secila, ndërsa edhe në 2008, edhe në 2015, kur LDK bëri koalicion sërish prej vendit të dytë me PDK-në e vendit të parë, LDK mori një ministri më pak se PDK.

Në vend se ta konsideronte si bujare këtë ofertë, me të cilën Lëvizja Vetëvendosje objektivisht i jep LDK-së më shumë pushtet qeverisës se sa i ka dhënë më parë PDK-ja, kemi një ngecje dhe një tentativë për t´i dhënë procesit të krijimit të qeverisë formën e një ndarjeje të plaçkës, ku me sa duket duan të përfshijnë edhe institucione që nuk kanë të bëjnë me qeverinë, siç është presidenti, apo kryesuesi i Kuvendit. Sa i përket kryesuesit të Kuvendit, kushtetuta (sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese) ia garanton atë pozitë fituesit të zgjedhjeve. Automatikisht ky garantim kushtetues lë të kuptohet se nuk mund të bëhet pazar me këtë pozitë. Është e zakonshme që në vendet me sistem proporcional, ku përgjithësisht nuk ka fitues të shumicës absolute, subjektit që del i pari ligji i garanton disa “bonuse”, pikërisht për të bërë të mundshme qëndrueshmërinë qeverisëse. Në Greqi psh. ku po ashtu votohet me sistem proporcional, subjekti i cili del i pari dhe deklarohet fitues menjëherë merr një “bonus” prej 50 deputetësh më shumë. Asnjë nga partitë e tjera nuk ankohet pse i pari po i merr të gjitha ato vende vetëm për vete, e as nuk mund të kushtëzojnë koalicionet paszgjedhore me kërkesën që ndonjë prej atyre 50 deputetëve t´i shpërndahet partive të tjera. Njësoj edhe çështja e kryeparlamentarit në Kosovë, kushtetuta garanton se duhet t´i takojë fituesit, e të kërkosh të bësh pazar me atë post, do të thotë të vësh në pazar vetë Kushtetutën. Është krejt në rregull që dikush apo shumëkush të mos pajtohet me Kushtetutën, mirëpo ajo nuk ndryshohet duke u tallur me të, por përmes proceseve të rregullta ligjore e politike.

E sa i përket presidentit, tradita e kapjes partiake të asaj pozite që duhet të mishërojë unitetin popullor dhe ngritjen përmbi partitë, ka prodhuar humbje të respektit për vetë pozitën. Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është që ajo pozitë të shkojë për figura përtej partive, që vijnë psh. nga bota e shkencës a kulturës. E megjithatë LDK-ja po këmbëngul, duke bllokuar koalicionin qeverisës. Me sa duket për LDK-në është më i rëndësishëm kaparimi i një pozite e cila lirohet pas më shumë se një viti, se sa shansi unikal për krijimin e një qeverie stabile, e cila po të punojë mirë – dhe kjo është gjëja më e rëndësishme – mund të pensionojë shumë shpejt formacionet politike që deri më sot e kanë lënë Kosovën pa stabilitet për shkak të interesave të tyre shpesh të jashtëligjshme. A do ta shfrytëzojë LDK-ja këtë shans me peshë historike? Apo edhe kësaj radhe ‘tuxharia’ do ta shkelë historinë? Mbetet të shihet.

Të ngjashme