A ia vlen rrezikimi i shëndetit të familjeve tona për apetitet politike të disa njerëzve?

Prishtinë | 13 Maj 2020 | 18:46 | Nga Donjet Bislimi

Nëse bujku është dënuar pse ka dalur në ara për të punuar për kafshatën e bukës, nëse punëtori është dënuar që ka dalur në punishte për të punuar për kafshatën e bukës, atëherë secili njeri (kushdo qoftë ai/ajo) duhet dënuar nëse nuk ka leje qarkullimi dhe nuk respekton masat mbrojtëse.

Protesta është e drejtë fundamentale e shprehjes së mendimit, kritikës dhe kundërshtimit për procese të ndryshme, mirëpo askush nuk ka të drejtë të rrezikoj shëndetin e qytetarëve e sidomos jo në këtë kohe kur shumë njerëz po punojnë me mish e shpirt (pa kurrfarë kompenzimi) që ky shëndet të mbrohet dhe të promovohet!

Miq, rreziku është i tri niveleve, përhapja e virusit mund të fillon nga grumbullimi i njerëzve nëpër pikat e ndryshme para se të hipin nëpër autobuse, vazhdon nëpër autobuset e udhëtimit drejt Prishtinës dhe lulëzon tek grumbullimet masive.

Unë pyes, a ja vlen rrezikimi i shëndetit të familjeve tona për apetitet politike të njerëzve?!

A mendoni si ndihen gjithë ata njerëz që edhe sot janë pa punë, pa mundësi që në sofrën e tyre të kenë bukë, për shkak të mbylljes së bizneseve dhe vendeve të tyre të punës, kur ata shohin që njerëzit selektiv paskan drejt të dalin, të grumbullohen dhe ai/ajo nuk ka të drejtën e punës dhe bukës?!

Ju flas si mjek, si bashkëqytetar dhe si vëlla i juaj, Të reflektojmë, të respektojmë familjet tona, qytetet tona dhe popullin tonë, mos të lejojmë që politika të jetë shkas i rrezikimit kolektiv të shëndetit dhe rikthimit të valës së madhe të infeksionit dhe përfundimisht të paralizohet çdo sektor i jetës dhe punës në shtetin tonë!

(Autori është kryetar i të rinjve të PDK-së)

Të ngjashme