A po frikësohet Albin Kurti që të bëhet Kryeministër?

Prishtinë | 27 Dhj 2019 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Pse po refuzon Albin Kurti që ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë? Nga mungesa e marrëveshjes me LDK-në, apo nga mungesa e guximit për t’i marrë përgjegjësitë si Kryeministër i Kosovës?

Albin Kurti nuk i është përgjigjur sot ftesës për takim nga Presidenti Hashim Thaçi, për në orën 13:30, për ta caktuar mandatarin për formimin e Qeverisë, me arsyetimin se nuk ndodhet në Prishtinë, ndonëse është raportuar se ai është parë gjatë ditës në kryeqytet.

Lideri i Vetëvendosjes nuk ka reaguar as pas ftesës e dytë të Presidentit, për takimin në orën 20:00, i cili ka kërkuar që pas konstituimit të Kuvendit të mos ketë vonesa në formimin e institucioneve të vendit.

“Unë përsëri u bëj thirrje të gjithëve të tregojnë udhëheqje dhe të mos vonojnë formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Populli dhe aleatët tanë presin më shumë”, ka shkruar Presidenti Thaçi në Twitter.

Pas nominimit dhe zgjedhjes së Glauk Konjufcës për Kryetar të Kuvendit, pa marrëveshje me LDK-në, Albin Kurti ka deklaruar se Vetëvendosje nuk ka dashur ta bllokojë formimin e institucioneve.

Por, sot ai po refuzon të shkojë në Presidencë për ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës, duke e zvarritur kështu qëllimisht krijimin e institucioneve.

Nuk është e qartë se prej nga po buron ky hezitim i Kurtit.

Nga mungesa e marrëveshjes për koalicion qeverisës me LDK-në, me të cilën është e qartë se tashmë i ka prishur raportet, apo nga mungesa e guximit për t’i marrë përgjegjësitë si Kryeministër i Kosovës, kur dihen sfidat e mëdha që e presin vendin? (Periskopi)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme