A po i shtrëngohet Kosovës laku në fyt, edhe ashtu të ngulfatur!

Prishtinë | 10 Qer 2021 | 12:45 | Nga Behxhet Shala – BAJGORA

Non – papers dhe pampers për bythëmbëdhenjt : Nuk ka vend në botë që i ishte nënshtruar dhe po i nënshtrohet eksperimenteve të laboratoreve politike sikur që është Kosova.  Kjo pjesë e Shqipërisë , ndonëse ishte marrëveshja midis Titos dhe Enver Hoxhës që pas përfundimit të luftës së dytë botërore , vet populli do të vendoste për të ardhmën mirëpo ,  në Prizren , më të bukurin vend e organizuan një Kuvend në të cilin “ përfaqësuesit “ e popullit shqiptar në Kosovës “ vendosën “ t’i bashkohen Jugosllavisë , si pjesë e Serbisë , në mënyrë “ vullnetare “ dhe nën shoqërim të tankseve , arrestimeve dhe vrasjeve të gjithë atyre që nuk mendonin sikur “ përfaqësuesit “ e tyre.

Një numër i tyre që votuan në Kuvendin e Prizrenit pastaj u vendosën në strukturat e shtetit kriminal të Jugosllavisë duke përndjekur secilin patriot që  kundërshtonte vendimet e këtij Kuvendi. Deri vonë , sa ishin biologjikisht në këtë botë , gëzuan të gjitha privilegjet e trashëguara nga padronët e tyre sllavë , serbë dhe jugosllavë sikur që u sistemuan shumë mirë edhe në strukturat parashtetërore ,  pas përfundimit të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zgjatjet e tyre biologjike , njerëzore , politike dhe “ kombëtare “ edhe sot e kësaj dite jetojnë duke bërë shtatë palë qejfe , duke u përfshirë thuaja në të gjitha vendet ku merren vendime sikur edhe duke vendosur se si dhe me kend duam të jetojmë ne që vuajtëm aq shumë burgje dhe tortura nga paraardhësitë e tyre biologjikë.

Ndërkombëtarët gjithmonë kanë deklaruar se nuk kanë intervenuar ushtarakisht që ta bëjnë Kosovën shtet por për shkaqe humanitare që ta shpëtojnë nga zhdukja si popull ,  pas krimeve dhe gjenocidit që , po këta ndërkombëtarë e lejuan dhe e ndihmuan në Bosnje , përkatësisht në Srebrenicë. E përjashtuan Kosovën nga Komisioni i Badinterit dhe e drejta për ndarje të pasurisë së ish – Jugosllavisë duke e ngarkuar vetëm me borxhe të ish – Jugosllavisë , nuk e lejuan të jetë pjesë e as të shqyrtohej si rast në Konferencën në Dejton ( po të trajtohej si rast , sigurisht se do të evitohej lufta në Kosovë ) , ia imponuan Konferencën e Rambujesë ku, nga 12 pika , 8 ishin të panegociueshme dhe vetëm çmenduria antologjike e Millosheviqit që refuzoi ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë e shpëtoi Kosovën që , edhe me garancione ndërkombëtare të mbetet koloni e Serbisë duke fituar të drejta kulturore sipas popave të Shën Exhidios sikur edhe të drejta politike që , si shtetas të Jugosllavisë së Zhablakut apo Serbisë të kenë të drejtë vote , sipas ligjeve jugosllave dhe serbe.

Edhe sot , Sllobodan Millosheviqi rrotullohet në varr për faktin që nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë . Për rrethanat e atëhershme , pas luftës në Kroaci , Slloveni dhe Bosnje , Marrëveshja e Rambujesë do të ishte shpërblim i dërguar nga Zoti për Millosheviqin dhe Serbinë. Tash , këta analfabetët tanë politikë mburren që e kanë nënshkruar këtë Marrëveshje duke e konsideruar veten si largpamës  dhe krijues të proceseve historike dhe politike ndonëse askush nuk i ka pyetur për asgjë dhe se Marrëveshja e Rambujesë nuk ka siguruar asnjë kusht për pavarësinë e Kosovës. Çmenduria dhe vlerësimi i gabuar i Millosheviqit se ka ardhur koha e tij që një herë e mirë si dhe përfundimisht ta zgjidhë çështjen shqiptare i ka dhënë Marrëveshjes së Rambujesë një dimension tjetër. Pastaj , Marrëveshja Teknike – Ushtarake në Kumanovë midis gjeneralëve ndërkombëtarë dhe serbë e ku Kosova nuk u pyet për asgjë , ishte dëshmi tjetër që Kosova po trajtohet si çështje humanitare e jo si çështje politike. Serbët u tërhoqën nga Kosova me tërë arsenalin e armatimit me të cilin kryen krime , deri në gjenocid kundër shqiptarëve në Kosovë duke vrarë gjatë tërheqjes shqiptarë  dhe duke plaçkitur çdo gjë që mund të merrnin me vete sikur që shkatërruan shumë shtëpi banimi dhe pronë private dhe publike. Pastaj , në kushte të panegociueshme çarmatosen UÇK-në ,e shndërruan në TMK-ë duke ua lënë 200-300 pushkalla apo armë të gjata dhe 4500 kazma dhe lopata.

Në Rambuje u mor vendimi që Mitrovica të ndahej në dy pjesë sikur që edhe forcat franceze të KFOR-it dhe xhandarmëria franceze të vendosen në urën mbi lumin Ibër . Në praninë e këtyre forcave franceze e që e luanin rolin e mbrojtës sikur ushtarët holandezë në Srebrenicë u bë spastrimi etnik , u vranë dhjetëra shqiptarë dhe joserbë sikur që u institucionalizua sistemi paralel i Serbisë në atë pjesë të okupuar të Kosovës. Francezët dhe stafi tjetër ndërkombëtar mrizonin në qendrën për krim të organizuar “ Dolçe Vita “ ku shoqëroheshin me Rojat e Ures dhe kriminelët e luftës si Oliver Ivanoviq , Delibashiq  dhe të tjerë. Pastaj u shpik decentralizimi në baza etnike si dhe standardet para statusit.

Filluan dhe përfunduan bisedimet e Vjenës pas së cilave krimineli juridik , Marti Ahtisari doli me një propozim të quajtur Pakoja e Ahtisarit që e bërë strategjikisht Kosovën jofunksionale dhe të cenueshme nga Serbia dhe serbët e instrumentalizuar.  U krijuan zonat e mbrojtura që , në fakt janë shtet brenda dhe shtet mbi shtet. U bë një Kushtetutë e Kosovës ku zemra dhe truri i saj ishte Pakoja e Ahtisarit kurse pjesa teknike ishte e Kosovës. Filluan bisedimet në Bruksel , të deklaruara si bisedime teknike e në fakt ishin krejtësisht politike dhe Ekipi i Kosovës ishte krejtësisht jashtë loje ndonëse loja luhej brenda zyreve burokratike të BE –së në Bruksel. U shpikë fusnota e famshme  e që ende përmenedet dhe përdoret .

Xhandarët francezë liruan apo mundësuan ikjen e 20 serbëve dhe romëve nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë , të dyshuar për krime lufte ndaj shqiptarëve. Në anën tjetër hetues , prokurorë dhe gjykatës të gjykatave të UNMIK-ut dhe të EULESH –it mbushnin burgjet e Kosovës me ushtarë dhe eprorë të UÇK-së që gjykoheshin dhe dënoheshin për krime lufte kurse serbët që kishin bërë krime lufte në Kosovë pinin kafe dhe shlivovicë me xhandarë francezë dhe ndërkombëtarë të tjerë në “ Dolçe Vita “ në Mitrovicë.

Pasuan pastaj ngjarjet e marsit të vitit 2004  e që u përdorën për rritjen e presionit ndaj politikanëve shqiptarë për të bërë lëshime politike dhe territoriale. Në vitin 2008 u shpallë një pavarësi e mbikëqyrur e që menaxhohej nga ndërkombëtarët. Serbia e forconte ndikimin në Kosovë duke organizuar zgjedhje , bashkë me OSBE-në , për ta legjitimuar dhe forcuar praninë e saj në Kosovë përmes strukturave paralele. Në skenë doli LVV që ngjalli shpresa për pengim të disa proceseve të dëmshme për Kosovën. Në Bruksel , ndonëse ende llomotitej për bisedima teknike , ishin qartësuar synimet politike të Serbisë në Kosovë përmes kompromiseve të dhimbshme e që përkraheshin nga ndërkombëtarët . Serbia në këto pazare nuk e fuste as edhe një milimetër të territorit të Serbisë por , së paku 30-40% të territorit të Kosovës .

E pse të mës bënte kompromis ?! Prandaj filloi të ndërtoi lagje për serbë në veriun e Kosovës sikur që e bëjnë çifutët duke ndërtuar kibuce në tokat arabe , e bëri Mitrovicen e Veriut komunë pas së cilës pjesa e udhëhequr e Mitrovices nga Agim Bahtiri mbeti karikaturë. Luftëtarin më të madh për të drejtat politike dhe kombëtare , Bacën Adem Demaçi e penguan me të gjitha mjetet e lejuara dhe të palejuara të bëhet pjesë e institucioneve vendimmarrëse dhe , pasi ndërroi jetë , i lëshuan disa pikë loti krokodili , për ta zhvendosur në harresë , si pengues të realizimit të projekteve të dëmshme për Kosovën. Ibrahim Rugovën e përdornin si kuti votimi kurse Komandantin Legjendar , Adem Jasharin , si faturë për të këqijat që i bënin. U burgosën dhe u dërguan në Hagë , me qëllim krejtësisht politik themeluesit dhe komandantët e UÇK-së dhe bartësit e posteve kryesore politike në Kosovë , Hashim Thaçi , Jakup Krasniqi , Kadri Veseli , Rexhep Selimi , Nasim Haradinaj , Hysni Gucati , Salih Mustafa dhe Pjetër Shala. Përpjekje e ndërkombëtarëve për ta dhunuar dhe rishkruar historinë e Kosovës dhe historinë e shqiptarëve. Pasi qëndroi në pushtet vetëm 52 ditë , VV u rikthye në pushtet me 50% duke e krijuar një situatë tjetër, politike dhe vendimmarrëse. Po tash , ç’do të bëhet ?

Urdhëri Ekzekutiv dhe brekushet e lëshuara : Bisedimet me Serbinë tash janë në fazën e përmbylljes sepse bota nuk ka kohë të merret tërë kohën me shqiptarët dhe Kosovën në ndërkohë që haptazi po i mbanë anën Serbisë. Është shumë e qartë se fituese këtu është Serbia sepse po tregton me mall të huaj , me mall të Kosovës. Është e qartë se kur të vendosni të bisedoni me ndërmjetësim ndërkombëtar , atëherë jeni pajtuar që të lëvizni nga pozicioni i fortë apo fillestar. Aq më parë që nuk jeni imponues dhe që nuk keni as kapacitet destabilizues që do ta përdorni si kërcënim gjatë bisedimeve.

Aleksandar Vuçiq e ka luajtur lojën e ndyrë por të favorshme për Serbinë. Po të arrihej një marrëveshje me Serbinë më heret , edhe dëmi për Kosovën do të ishte më i vogël. Tash , sa më shumë që shtyhet arritja e marrëveshjes , do të rritet edhe dëmi për Kosovën. Qendrimet e forta që shprehen përmes një retorike për përdorim të brendshëm , në fakt e tregojnë impotencën vepruese dhe pafuqinë për t’u imponuar në vendimmarrje. Tash , duhet të gjindet një mënyrë që dëmi i pashmangshëm për Kosovën të jetë sa më i vogël dhe sa më i menaxhueshëm. Përralla janë përpjekjet për kushtëzim të bisedimeve apo përpjekje për fajësim të tjerëve . Nuk e besoj se ka politikan shqiptarë që , në situata normale do të nënshkruante një marrëveshje të dëmshme për Kosovën , as Hashim Thaçi e as Albin Kurti nuk do ta bënin këtë. Edhe më heret e sidomos tani ,  nga Kosova nuk kërkohet mendimi për marrëveshje por zbatimi i saj . Sidomos tani është intensifikuar presioni mbi Kosovën dhe liderët e saj që të arrihet një marrëveshje me Serbinë ,  pa e bërë publike përmbajtjen .

Kohëve të fundit janë lëshuar në opinion disa propozime të quajtur non – papers për zgjidhjen e çështjes së Kosovës  , secili më i keq se tjetri për Kosovën , i favorshëm për Serbinë . Interesant është se BE –ë fillimisht nuk reagon pastaj nuk e pranon autorësinë. Jam i sigurt se këta non – papersa apo pampersa nuk po lëshohen rastësisht por se janë një presion shtesë për Kosovën dhe liderët e saj . Kryeministri Albin Kurti nuk po i merr seriozisht e unë mendoj se duhet t’i marrë shumë seriozisht sepse marrëveshja me Serbinë do të mbushet nga përmbajtja e këtyre non – pa ( m )persave , sado të pakëndshme për ne që do të jenë . Përkohësisht është eliminuar mundësia e ndryshimit të kufijve për çka as Serbia nuk është e interesuar ,  nëse nuk përfiton shumë nga ky ndryshim. Opsioni më i pranueshëm për Serbinë dhe ndërkombëtarët është Asociacioni i komunave serbe në Kosovë me kompetenca ekzekutive , sipas marrëveshjes së vitit 2013 në Bruksel në ndërkohë që kjo do të ishte zgjidhja më e keqe e mundshme për Kosovën sepse strategjikisht do ta bënte Kosovën jofunksionale . Mirëpo ,  Albin Kurti nuk ka hapësirë për manovrim , ose do të pranojë njërin nga non – pa ( m ) persat e që do ta kenë formën dhe përmbajtjen e marrëveshjes , ose , kur do ta kuptojë se as Hashim Thaçi nuk ka pasur mundësi të tjera , do të detyrohet të jep dorëheqje , për ta shtyrë arritjen e një marrëveshjeje për të cilën ende nuk e ka të qartë se çka përmbanë. Modeli i dy Gjermanive nënkupton qartë se pas një periudhe të caktuar , kur të krijohen kushtet , Serbia do ta rikthejë sovranitetin mbi Kosovën sikur që Gjermania Perëndimore e riktheu sovranitetin mbi Gjermaninë Lindore ndonëse ishin dy shtete.  

Kosova duhet ta arrijë një marrëveshje me Serbinë në mënyrë të pakthyeshme që e përjashton dhe pamundëson Serbinë ta ketë edhe ndikimin minimal në Kosovë. Modelin e Tirolit për serbët e Kosovës , Serbia nuk e pranon shkaku se tash serbët e Kosovës e kanë një status më të avansuar në Kosovë se që e kanë austriakët në Tirolin Jugor apo Alto Adixhe. Nëse Albin Kurti shpreson se ky Ekipi i Ekspertëve do t’i ndihmojë , atëherë është ndër lule shkaku se disa anëtarë të këtij ekipi janë mercenarë politikë dhe se për çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve , jo që nuk janë në gjendje të derdhin një pikë gjak apo , në variantin më të lehtë as edhe një bulë djerse por nuk janë në gjendje ta shkrepin as një pordhë të lodhët. Për ta është me rëndësi që kanë nënshkruar non – pa ( m ) persat që iu garanton 3000 euro pagë mujore dhe këtu përfundon angazhimi i tyre për Kosovën .

Urdhëri Ekzekutiv i vitit 2001 dhe i rifreskuar nga Presidenti Bajden është një kërcënim dhe presion mbi të gjithë ata politikanë që nuk duan të nënshkruajnë marrëveshje apo që nuk i zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara sado të dëmshme që janë. Dhe aspak nuk është i rastit rifreskimi i këtij Urdhëri Ekzekutiv në kohën e vërshimeve të non – pa ( m )persave të ndryshëm . Kjo vetëm sa më bind se duhet të shkohet në zgjidhje radikale , të kushtueshme politikisht edhe territorialisht por të domosdoshme për sigurimin e një paqeje dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkan. Heret a vonë kufijtë e Ballkanit do të rirregullohen sepse me këta kufij dhe me shumë probleme të pazgjidhura , Ballkani nuk do të funksionojë. Kosova duhet ta kapë hapin , sa më vonë që të bëhet zgjidhja , ajo do të jetë më e rëndë dhe më e kushtueshme .

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme