A sinjalizon fitorja e Macron fundin e populizmit në Evropë

Prishtinë | 09 Maj 2017 | 11:48 | Nga

Në fjalimin e tij të fitores, Emmanuel Macron pranoi “zemërimin, ankthin dhe dyshimin” në mesin e atyre që votuan për rivalen e tij, Marine le Pen. Duke iu drejtuar mbështetësve të saj në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë dhe duke i marrë shqetësimet e tyre aq seriozisht, presidenti i ri francez tregoi se është i vetëdijshëm që triumfi i tij historik nuk e ka shtypur populizmin – thjesht i ka vënë “kufirin te thana”.

Avantazhi i fitores së Macron 66% me 34% ishte vendimtar. Ngjitja e tij nga krijimi i një partie të re drejt e në Elysee brenda një viti është e jashtëzakonshme. Centrizmi, në të gjitha format e tij – internacionalizmi, liberalizmi, europianizmi, blairizmi, demokracia sociale – është kthyer, me sa duket. Në fakt, ai nuk kishte ikur kurrë – vetëm se Brexit në Britaninë e Madhe dhe Donald Trump në SHBA, ishin fitore kaq të papritura, kaq përçarëse dhe spektakolare për kauzat e populistëve, saqë zhurma e tyre mbyti muzikën e qendrës në sfond.

Në mars, një liberal mundi një populist të djathtë në Holandë. Pas fitores së Macronit, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, shkruajti në Twitter se Franca “është dhe do të mbetet në mes dhe në zemër të Evropës”, duke vënë theksin në aleancën proeuropiane mes dy kombeve, që ka qenë nën kërcënim, nga Brexit te Le Peni.

Denis MacShane, ish-ministër i Britanisë së Madhe për Evropën dhe autor i biografisë së François Mitterrand, presidentit më jetëgjatë në Francë, e përshkroi triumfin e Macron si “fitorja më e madhe për Evropën në dy dekada”, që tregoi “Franca është e gatshme t’iu rezistojë valëve të ekstremizmit nacionalist populist të së djathtës, si dhe atij të së majtës Podemos-Chaviste, përfaqësuar nga Jean-Luc Mélenchon”.

“Kjo është një fitore e madhe për Angela Merkelin dhe për të tjerët që kërkojnë të reformojnë dhe t’i rikthejnë dinamizmin Bashkimit Europian, bazuar në reformat pro tregut, pro sipërmarrjes dhe atyre të punës. Macron do të përballet me shumë probleme, por ato janë probleme të qeverisjes dhe të pushtetit”, shtoi ai.

Megjithatë, performanca e Le Pen tregon se populizmi mbetet një forcë e fuqishme elektorale.

Pjesa e saj, prej 34% të votave është pothuajse dyfishi i asaj që fitoi i ati, Jean Marie le Pen në vitin 2002. Përparimi afatgjatë i Frontit Nacional tregon një trajektore të vazhdueshme dhe partia beson se mund të fitojë deri në 40 vende në parlament, në zgjedhjet e ardhshme. Fitorja e Macron nuk ka eliminuar me një goditje, të gjitha çështjet që Le Pen arriti t’i konvertonte në vota: imigracioni, terrorizmi, papunësia dhe identiteti.

Profesor Matthew Goodwin, studiues në Chatham House thotë: “Pavarësisht fitores triumfuese të Macronit, fakti që një në tre votues mbështetën Marine le Pen, duhet të na kujtojë joshjen prej populizmit. Në terma afatgjatë, duket e pamundur që një liberal si Macron do të kënaqë punëtorët e lënë pas, të cilët kanë votuar për familjen Le Pen, qysh prej viteve 1990. Gjasat janë që ky të mbetet një rezervuar mbështetjeje për Marine le Pen”.

Populizmi, një term fluid

Le Pen – politika e të cilës shihet gjerësisht si raciste dhe fashiste – u mbështet nga Partia UKIP (pro Brexit) në Britaninë e Madhe dhe ish-kreu i saj, Nigel Farage.

Megjithatë Dominic Cummings, drejtuesi i fushatës për daljen nga BE, fushata zyrtare e kauzës populiste në referendumin e vitit të kaluar, bëri të qartë natën e së dielës, se organizata e tij donte që Macron të fitonte kundër Le Pen, duke shkruajtur se “fitoret e partive gjysmë-profashiste që kanë mohuar Holokaustin, janë gjë e keqe për njerëzimin”.

Në Britani, Theresa May ka rrokur kauzën populiste për një Brexit të fortë, por ndryshe nga Le Pen dhe Trump në SHBA, ajo nuk ndjek një agjendë proteksioniste mbi tregtinë dhe globalizimin.

Megjithatë, marka e populizmit të Le Pen ka hyrë tashmë në politikën kryesore. Nëse ajo do të kishte fituar presidencën, do të kishte një tërmet politik, por kur Le Pen arriti në raundin e dytë të votimit muajin e kaluar, pakkush u befasua.

Brian Klaas, një student në London School of Economics dhe ish-këshilltar fushate në SHBA, thotë: “Fitorja e Macron është një humbje dërrmuese për vrullin e populizmit ekstremist në Evropë. Megjithatë, rezultati i Le Pen është relativisht i fortë dhe sinjalizon futjen në qendër të skenës, të pikëpamjeve që më parë kanë qenë në skaje. Kjo gjë po ndodh kudo. Në SHBA, për shembull, komentatorët e të djathtës ekstreme dikur zinin një qoshe në skaj të Internetit. Tani, disa prej arkitektëve janë në Zyrën Ovale. Kjo është thika me dy presa e humbjes së populizmit ksenofob të dielën. Ai ndërpreu vrullin e fituar prej Brexit dhe Trump. Fitoi pragmatizmi centrist. Por duke marrë më shumë se një të tretën e votave, Le Pen siguroi që askush nuk do të mund ta trajtojë lëvizjen e saj, si skajore”.

Askush nuk e di më mirë këtë, se sa vetë presidenti francez, i cili në fjalimin e fitores në Louvre, iu tha mbështetësve të Le Pen se “do të bëjë gjithçka në pesë vitet e ardhshme, me qëllim që ata të mos kenë më arsye të votojnë për ekstremet”.

(Shkruan: Jane Merrick, CNN)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme