Airbnb-një vlerësim analitik

Prishtinë | 24 Jan 2022 | 15:05 | Nga Arsim Ajeti

13 vite më parë, ish-cimerët nga humori dhe monotonia, ju lind ideja për dhënien me qira, një prej dhomave, ku vet jetonin me qira!? një mënyrë kreative për të realizuar të ardhura nga të interesuarit, me buxhet të kufizuar (siç ishin vetë) që nuk përballonin pagesat e hoteleve, por me dëshirë të madhe për të udhëtuar.

Kjo ide, e inicuar nga Brian Chesky dhe Joe Gebbia, tashmë e njohur edhe si projekti më i ‘çmendur’ i dekadës së fundit, dhe ajo quhet AIRBNB!

Kompania mjaft e njohur, dhe e vlerësuar në mbarë botën, ka një përdorshmëri të madhe edhe në vendin tonë, si një mundësi për të ofruar hapsira me qira për qëndrim ditor.

Por si filloj gjithçka dhe ku qëndron sot AirBnb! do shohim në vijim;

Airbnb, zyrtarisht u themelua në vitin 2008/09, dhe fill më pas u regjistrua si kompani që operon ekskluzivisht ‘online’ ndërsa rezervimi bëhej vetëm nëpërmjet aplikacionit celular, pra kishte vetëm udhëzuesin e përdorimit, regjistrimin e detyrueshëm, dhe pagesën e garantuar nga kompania, në rast mosmarrëveshjeve eventuale ndërmjet palëve.

Sipas vlerësimit të Wall Street Journal sot Airbnb kap vlerën rreth 100 miliardë dollar.

Por, të kthehemi në vitin 2011, kur në konferencë e teknologjisë ‘South by Southwest’ Airbnb fiton çmimin ‘aplikacioni i vitit’ dhe kjo vlerësohet të jetë katalizatori që dërgon Airbnb në piedestalin e turizmit botëror, në konkurrencë me titanet, Booking.com

Airbnb vazhdon rritjen në Evropë dhe Azi, ku zgjeron ofertat për vila, shtëpi luksoze, resorte bregdetare, ndër vite, deri në shpërthimin e pandemisë në 2020, ku prenotimet bien ndjeshëm.

Pavarësisht situatës së pafavorshme në treg, themeluesit vendosën ta shpallin Airbnb, si kompani publike ofertuese, për herë të parë në treg (e njohur si IPO hyn në ‘NASDAQ’) gjatë pandemisë, më datë 10.12.20, me çmim fillestar prej 138 dollarë për aksion, ku pavarësisht luhatjeve në treg, Airbnb arrin që brenda ca ditëve, në bursë të regjistrojë një rekord duke arritur në 221 dollarë për aksion, një rritje 41% nga çmimi fillestar!

Megjithatë, asgjë nuk del mbi tregun dhe situatën, për shkak të izolimit dhe rënies së turizmit, Aksionet e Airbnb, ishin të paqëndrueshme ose ‘VOLATILE’ duke arritur një nivel maksimal prej 219,94 dollarë më 14 shkurt. dhe rënie nën çmimin e ditës së parë në 134 dollarë, por duke e mbyllur vitin me një rritje prej 19.4%.

Por, duhet patur kujdes, pasi çmimi në fakt nuk tregon vlerën e vërtetë të kompanisë!

Kjo është e kuptueshme, pasi udhëtimet ndikohen shumë nga situata aktuale, dhe aksionet e Airbnb fillojnë të vlerësohen në treg, kur rastet e virusit pakësohen, dhe anasjelltas.

Si shembull Airbnb, shënon rritje kur rastet fillojn të ulen, me këtë, tendencat lëvizin në favor të Airbnb.

Por çfarë na tregojnë Pasqyrat Financiare!? këtu Unë, dhe Beni (Arben Selimi) pas një shqyrtimi të hollësishëm hasim në disa veçori; – Në vitin që lam pas, të ardhurat u rritën me 56%, (një rekord prej 2.2 miliardë dollarësh) ndërsa numri i rezervimeve u rrit me 48%.

Kjo është mbresëlënëse, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e botës ishte e mbyllur në atë kohë.

Për më tepër, – Më shumë se 40% e rezervimeve në tremujorin e fundit ishin në vende jo-urbane, që do të thotë se turistët preferojnë vende të qeta, malore dhe këtu Airbnb ofron rezidenca lokale (ku mungojnë hotelet tradicionale)

Si rezultat, rezervimet rurale rriten me më shumë se 52% (krahasuar me vitin e kaluar).

Ndërsa, BLOOMBERG na tregon se në 3 mujorin e fundit, ka pasur gjithsej 79.7 milionë rezervime përmes aplikacionit Airbnb (një rritje prej 29% )

Fitimet e Airbnb shënuan gjithashtu një rritje vjetore prej 834 milionë dollarësh (një rritje prej 260% nga një vit më parë)

Statistika mbresëlënëse e vlerësoj edhe;

Prenotim i gjatë (mbi 21 netë); kategoria me rritjen më të shpejtë, për shkak tendencës për të punuar nga shtëpia, njerëzit janë të lirë të punojnë ku të duan dhe po kombinojnë trendin e fundit ‘punë dhe udhëtim’ të dyjat ne të njëjtën kohë!

Edhe Shefi Ekzekutiv i Airbnb, Brian Chesky beri nje ‘tweet’ në lidhje me, sic e quajti “epokën e artë të udhëtimit” duke thënë se ai do të “jetojë në Airbnb” ku do qëndrojë në vende të ndryshme për muajt e ardhshëm!

Ndërkohë, aplikacioni Airbnb, së fundmi ka nderrmar një sërë përmirësimesh, duke shtuar veçori të reja, për të bërë sa më të thjeshtë dhe cilësor aplikacionin.

Konkluzion

Airbnb është padyshim një kompani inovative, dhe konsiderohet nga shumë ekspertë si një korporatë A +, por përderisa situata të qetësohet dhe turistët global të ndihen të sigurt për të udhëtuar, Airbnb sigurisht që do ketë luhatje në tregun e aksioneve, por asgjë nuk zgjat përgjithmonë, sipas OBSH varianti ‘Omicron’ konsiderohet të jetë i fundit për sa i përket virulencës, deri atëherë Airbnb, së bashku me aksionerët e saj e presin me padurim, siq presim dhe ne tjerët ti kthehemi udhetimeve, dhe një normaliteti të ri post-pandemik.

Të ngjashme