Albin Kurti i etur për pushtet në Prishtinë, po heqë dorë nga Veriu

Prishtinë | 04 Pri 2020 | 18:25 | Nga Adil Behramaj

Në mënyrë shumë tinëzare, Albin Kurti po heq dorë nga veriu i Republikës së Kosovës. Aq shumë është i etur dhe i verbuar nga pushteti në Prishtinë. Aq shumë është i dashuruar pas kolltukut të kryeministrit dhe i kapur pas bordeve, që me shpejtësinë e dritës t’i mbushë me militantë, saqë ka harruar që shteti nuk është vetëm zyra komode e Qeverisë së tij.

Shteti përbëhet prej katër elementeve bazë: popullsisë, territorit, qeverisë dhe sovranitetit. Dy të parat të karakterit fizik dhe material. Dy të fundit të karakterit politik dhe shpirtëror.

Çdo udhëheqës i denjë e gjen dhe e zbaton artin e tij të qeverisjes në harmonizim të plotë të tyre, sepse anashkalimi e çdonjërës është rrezik i papranueshëm dhe me pasoja fatale për të ardhmen e çdo shteti.

Kjo Qeveri, me këtë qeverisje, ka vendosur që e strukur dhe nën arsyetimin e rrezikut të pandemisë, në mënyrë të heshtur të heq dorë nga ajo pjesë e territorit dhe popullsisë, duke i lënë si asnjëherë më parë që nga hyrja e NATO-s nën patronatin e Serbisë. Pra, Serbia as në këtë situatë nuk po heq dorë nga cenimi i territorit të Republikës së Kosovës, por për dallim nga dy dekadat e kaluara, këtë radhë as që po përballet me rezistencën e Qeverisë së Kosovës.

Duke mos reaguar, Qeveria e Kosovës po e shkatërron gjithë progresin e arritur me shumë mund e sakrificë këto 20 vjet në veriun e Kosovës.

Edhe pse i ka ditët e numëruara, heqja dorë e kryeministrit në detyrë nga territori i vendit është e pafalshme dhe do të krijojë vështirësi për çdo Qeveri në të ardhmen. Ndërsa, si udhëheqës i ekzekutivit të vendit, ai do të jetë përgjegjës për ketë heshtje dhe për këtë mospërmbushje të obligimeve kushtetuese dhe ligjore.

(Autori është këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi | Shkrimet në rubrikën “Opinione” nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë së Ekonomia Online)

Të ngjashme