Albin Kurti nuk ka kredibilitet për zgjidhje përfundimtare me Serbinë

Prishtinë | 05 Maj 2022 | 15:18 | Nga Driton Smakaj

Problemet edhe konfliktet mes popujve zgjidhen duke u takuar, duke u ulur në tavolinë. Edhe armiqtë më të mëdhenj mes vete, në fund ulen e bëjnë një zgjidhje.

Absolutisht takimi i Kurtit me Vuçiqin nuk përbën asgjë të keqe. Përkundrazi, vetëm duke dialoguar do të kemi një zgjidhje finale me Serbinë. Përndryshe do të kemi një luftë finale, e pavarësisht fundit të saj nuk do të kishte rezultatin më të mirë sesa ndonjë zgjidhje finale në tavolinë.

Marrëzia e Kurtit në të kaluarën ka qenë që ai vet e ka instaluar mes militantëve të tij narracionin që kush takohet me Vuçiqin është tradhtar, është duke dëmtuar interesin kombëtar, është duke u bërë servil i ndërkombëtarëve. Këto marrëzi të Kurtit është tash duke i ngrënë Albini, si një lider gjynah që bie në kurthin e marrëzisë së tij.

Sidoqoftë, problemi kryesor është që pikërisht për shkak të qasjes së tij në të kaluarën, Albini nuk ka kredibilitet për zgjidhje përfundimtare me Serbinë. Nuk ka kredibilitet në SHBA, e as mes shumë liderëve të BE-së. Sepse qasja e tij ka zero diplomaci, shet përralla koti para atyre që e dinë më mirë se ai ku qëndrojnë problemet në Ballkan e më gjerë.

Çka është fort e çuditshme që disa ende vazhdojnë të jenë të impresionuar nga një demagog që ndjen kënaqësi kur masat i hanë foret.

Të ngjashme