Aleanca, Ramush Haradinaj, tarifa 100% dhe negociatat

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 11:37 | Nga Halil Matoshi

Aleanca, në këto dy dekada është për të tretën herë në pushtet, duke qenë se Ramush Haradinaj është një lider që të bërit politikë e mbështet në tri shtylla themeltare:

  1. Atdhedashuri dhe patriotizëm konstitucional;
  2. Marrëveshje politike, koalicionim dhe ruajtje të balancave shoqërore të vjetra e krijimit të lidhjeve të reja, me qëllim të kohezionit shoqëror dhe unitetit në shtet;
  3. Lidhje speciale e të përhershme me ShBA-në dhe aleatët strategjikë të Kosovës në Europë.

Ashiqare, gjatë Qeverisjes shtator 2017- korrik 2019, Ramush Haradinaj mori vendime historike për vendin, siç janë: Krijimi i ushtrisë me ligj, Pavarësimi i Trepçës, ligji për Prishtinën, ai për pensionet e arsimtarëve të viteve ‘90 etj.

Porse, pas ushtrisë kosovare që Haradinaj e rreshtoi me ushtritë e paqes, me tarifën 100% ndaj mallrave të Serbisë, tregun e lirë të vendit e ndau nga epoka e kolonializmit serb.

Tarifa si mjet legal, ishte emri i dytë i sovranitetit shtetëror. Tarifa nuk vendos askush tjetër në rendin botëror pos shtetet sovrane. Tarifat si ajo e Kosovës 100%, që e vendosi Haradinaj, ishte shndërru në normë ndërshtetërore në fushën e luftës ekonomike (por edhe armë politike e diplomatike pse jo!?) dhe çështje bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ishte ndërmarrë duke e zbërthyer masën mbrojtëse që buron nga Neni 18 të CEFTA – s për sigurinë kombëtare.

Neni 18 i CEFTA-s u lejon anëtarëve të saj të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për “mbrojtjen e interesave thelbësore të sigurisë ose për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare ose politikave të brendshme”. Serbia, e mbështetur nga Bosnja dhe Hercegovina, vazhdimisht dhe në mënyrë aktive përpiqet të minojë sigurinë, sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Veprimet e saj shkelin zotimet e detyrueshme ligjore dhe politike, duke përfshirë Marrëveshjen e Brukselit mbi Normalizimin e Marrëdhënieve. Këto veprime të Serbisë kërcënuan interesat thelbësore të sigurisë së Republikës së Kosovës. Pos efektit politik, me këtë vendim iu dha krah prodhimit vendor dhe rritjes së punësimit. Vendimi për tarifën 100% në esencë e përmbante (pika 3) edhe reciprocitetin. Mirëpo, ajo nuk u mbajt si levë që Qeveria e Kosovës të kishte diçka në dorë, për të negociuar!?

Qeveria jetëshkurtër Kurti, jetoi aq sa ta dëmtonte shtetin kosovar në këtë plan, duke heqë nga loja, letrën e fortë, për të cilën mund të negociohej!? Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ka qenë pjesë e vendimmarrjes kur forcat ruse kishin ‘pushtuar’ Aeroportin e Prishtinës më 1999, pak para hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

“Kjo është ajo që unë i thashë: Nëse mendon se është e përshtatshme, bëje atë”, tha Putin. “Unë kam qenë atëherë sekretari i Këshillit të Sigurisë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, atëherë gjenerali Anatoly Kvashnin, u afrua tek unë dhe më tha që ekzistonte një ide për të pushtuar këtë aeroport. Kur e pyeten – Pse?”

“Ishte e qartë se ne do të duhet të largohemi prej atje një ditë, por do të kemi diçka për të negociuar”, ka thënë Putin për televizionin Rusia 1.

Qe përse qeveritë krijojnë pretekste politike dhe adute për negociim dhe qe, ku e solli vendin një amator politik si Kurti, i cili nuk e kuptoi këtë mjet elementar në secilën tavolinë negociatash.

Cilat janë së këndejmi vizionet e Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës dhe Ramush Haradinajt, për një shtet të fuqishëm?

Haradinaj, së pari është një lider i guximshëm që e shquan ideja e shtetit para pushtetit, pra sensi për drejtësi e patriotizëm konstitucional dhe këtë cilësi e dëshmoi kur nga tavolina e Federica Mogherinit, në Bruksel e tërhoqi dialogun, i cili kishte degraduar nga një dialog për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, në një “negociim” për territore!?

Dhe premisat e dialogut ia riktheu popullit të Kosovës, duke dhënë dorëheqjen, për t’ia kthyer pushtetin sovranit.

Haradinaj, së dyti, ka ndërtuar dhe po vazhdon ta avansojë një parti politike që fuqizon të djathtën në spektrin politik. Parti e cila me përkushtimin ndaj shtetit, me dashuri dhe besnikëri ndaj atdheut, ndaj rendit kushtetues dhe simbolik, që ka ekspertizë për çështjet që duhet adresu dhe zgjidhë.

Dhe këtë e dëshmoi së fundi, duke nominuar për ministra njerëz profesionistë (teknokratë) të pakorrumptueshëm, që shihet edhe nga analistë të politikës si hap i madh reformator në AAK, si një evoluim dhe vlerësim i ekspertëve të fushave të ndryshme brenda partisë.

Së treti, Aleanca në thelbin e programit politik e ka rikthimin e besimit në klasën politike kosovare – duke kriju kushte që rinia të shkollohet e të punojë në Kosovë – dhe sidomos ruajtjen e miqësisë me partnerët strategjikë të Kosovës, posaçërisht rreshtimin me Amerikën në çështjet globale.

Aleanca, së katërti, angazhohet për emancipim shoqëror, perëndimorizim të vendit (në të gjitha aspektet) pra ka qasje oksidentale e jo aksidentale (orientale), ku vlejnë idetë reformatore, që i japin krah estabilishmentit për të ndërtuar sistemin funksional shtetëror, me institucione kredibile dhe autonome të sigurisë dhe drejtësisë, sistem i cili nuk do të varet kurrë nga ideologjitë partiake, as nuk do të varet nga grupet (pakicat profetike) me ambicie për narrativa të mëdha.

Së fundi, Haradinaj e ka ndërtuar një organizatë politike që e ruan si të mbërrimen më kulmore, laicitetin e shtetit (shtetin sekular) dhe që nuk përzihet në çështjet e feve. Qe përse Aleanca është e dëshirueshme në secilin konstelacion politik qeverisës. (aleanca.press)

Të ngjashme