I kisha dy arsye:
Edhe i fitoi zgjedhjet Albin Kurti, por edhe punët në dashni më shkonin mirë atyre ditëve të largëta të këtij nënqielli.
Thjesht, kam besuar se s’do të kem më nevojë të shkruaj kolumne politike, dhe do të merrem veç me letërsi.
Ku kam gabuar?
Kam besuar. Ky është gabimi im.
Kam besuar se Albin Kurti do të jetë ndryshe.
Menjëherë e kuptova se asgjë nuk është ndryshe nga qeverisjet e kaluara, përveç që Albin Kurti ndryshoi vet.
Dhe, pasi që ndryshoi Albin Kurti, kuptohet se ndryshuan edhe mendimet e mia për të.
Ndodhi shpejt.
Shpejt e pashë se Albin Kurti kishte një strategji të çuditshme, të cilën as budallai më i madh nuk do ta bënte.,
Qeveria Kurti për bashkëpunëtorë të ngushtë i zgjodhi hajnat e njohur, ata që kanë punësuar familjarët e tyre në Institucione, ata që kanë ndërtuar shtëpia me paratë e buxhetit, i zgjodhi për bashkëpunëtorë ujqit e vjetër.
I rehabilitoi, iu dha imunitet, iu dha pozita, dhe nuk mori frymë, pa i pyetur ata.
Pra, filloi punën me bismilah, me hajnat më të tmerrshëm (anipse, i dinte të bëmat e tyre).
Nuk kisha nevojë për asnjë informatë e për asnjë fakt më shumë për ta kuptuar strategjinë e Albin Kurtin ‘Që ujkun ta bëj dajë’.
Kurrë ujku nuk u bë dele, e as peshku – nuk jetoi pa ujë.
Asnjëherë nuk ka ndodhur të zbutet asnjë bishë.
Po ashtu kam mësuar se gati në të gjjtha rastet, veç frika dhe zori e bëjnë njeriun të bëhet ‘i mirë’.
Prandaj, më mirë të bie të shtiresh si armk, sesa të shtiresh si mik.
Strategjia e tij ka qenë kjo:
Nuk është munduar ta mund PDK-në duke e luftuar, por duke e bërë për vete.
Duke i bërë ‘për vete’ anëtarët dhe zyrtarët e PDK-së nëpër Institucione dhe nëpër ministri.
Mendja e tij, kur dëgjon Memli Krasniqi se po ia trajton mirë ‘anëtarët e partisë’, zbutet dhe e lë të qetë.
A është kjo paranojë!
Strategjia e tij që ta mund PDK-në me ‘dashni’, e ka degraduar deri në këtë nivel.
Këta të PDK-së nëpër ministri e në administratë, të mençur, edhe i gëzuan privilegjet që ua dha Albin Kurti, edhe u rehabilituan, edhe fituan pare, edhe e tradhtuan.
Pra, Albin Kurti i pagoi që ta tradhtojnë.
S’sheh kështu, askund!
Zyrtarët më të thjesht të PDK-së në Institucione e shfrytëzuan Albin Kurtin, i cili mendoi se i përvetëson ata, dhe ua ‘blen’ me pare dhe me pozita besnikërinë e tyre për PDK-në.
Ama, dashnia është ndjenja më e pakapshme dhe më e pa qëndrueshme.
Njeriu i mençur nuk llogarit në dashni, por në frikë, se frika e ruan vreshtën, e jo dashnia.
‘Mendimi i parë për aftësitë mendore të liderit krijohet në bazë të njerëzve që i ka përreth’ – Makiaveli!
Unë nuk e kam ditur se Albin Kurti frikësohet kaq fort prej PDK-së.
Por e di se pushteti i madh është dashur ta shërojë nga frika.
PDK nuk e ka penguar. E ka mundur duke e injoruar.
Frika e tij është irracionale, por megjithatë e ka një shpjegim:
Që ka mashtruar – s’ka dert.
Problemi është se u zbulua shpejt se ka mashtruar.
Kur mashtron duhet të kujdesesh që të mos zbulohesh.
Me rëndësi është mos me t’zënë me pelë përdore.
Atyre u shkoi gjatë, sepse e kishin kapital:
Luftën e UÇK-së dhe Paqen e Ibrahim Rugovës.
Nevojitej shumë kohë, duhej të bëheshin shumë krime, shumë gabime, shumë padrejtësi e shumë vjedhje, që e keqja t’ia mundte kapitalit të madh të komandantëve dhe kapitalit të Ibrahim Rugovës.
E Albin Kurtin nuk e falën, votuesit e ndëshkuan shpejt.
Pa pasur nevojë për frymëzim nga opozita.
Opozita e trajtoi qeverinë, me heshtje.
Albin Kurti kujtoi se ai dhe premtimet e tij, u mjaftojnë shqiptarëve.
I humbi votuesit nga mospuna.
Të mos punosh fare dhe të punosh keq – është njësoj.
Po pse nuk i dhanë edhe pak kohë?
Pse nuk e pritën edhe pak?
Pse nxituan të zhgënjehen me të?
Sepse, Albin Kurti nuk ka kapital.
Nuk ka përvojë pune. Nuk ka profesion.
I vetmi profesion i tij ka qenë ‘protestues’!
Dhe, sapo e mori pushtetin, i bëri të gjitha padrejtësitë, kundër të cilave ka protestuar.
Pra, nuk ka kapital që ia mbulon gabimet, siç kishin kapital komandantët që na e sollën lirinë dhe Ibrahim Rugova që ishte simbol i qytetërimit, kulturës perendimore, urtësisë dhe paqes.
P.S.
As karafili as trëndafili,
për mu’ s’kanë erë
Ai që vinte sikur herav’ tjera,
s’është më në jetë!