Apel myslimanëve shqiptarë!

Prishtinë | 12 Kor 2016 | 18:24 | Nga Jusuf Thaçi

Të vetmet që më mposhtin në debatet fetare janë fjalët e veprimet e atyre besimtarëve e myslimanëve që shajnë, fyejnë, përçmojnë, përbuzin e kërcënojnë të tjerët. Këto kurrë nuk kam mundur t’i argumentoj e t’i mbroj në debatet e mia me kundërshtarët, as që jam munduar ndonjëherë, as që do të mundohem ndonjëherë, sepse thjesht nuk më lejohet ta bëj një gjë të tillë. Zoti e di që unë nuk jam fajtor për këtë!
Të dashur myslimanë shqiptarë,

Unë besoj në Zot dhe pakufijshmërinë e Tij dhe jam i vetëdijshëm për madhështinë e universit e për pashtershmërinë e dijes njerëzore. Rrjedhimisht, jam shumë i vetëdijshëm që jam veç një i vdekshëm i përkohshëm, një i vogël sa hiçi e një injorant sa gjithë të tjerët. Nuk jam as i thirrur e as i caktuar t’ju mbaj leksion. E megjithatë e kam të drejtën t’ju drejtohem me disa mesazhe e lutje, siç e keni dhe ju të drejtën tuaj t’i dëgjoni ose t’i injoroni këto mesazhe e lutje të miat, t’i pranoni a t’i kundërshtoni. Qofshin të shenjta këto të drejta tona! Në qofsha gabim pa qëllim, Zoti më faltë! Në qofsha gabim më qëllim, Zoti më dënoftë! Në mos u pajtoftë dikush më i ditur, le t’i korrigjojë! Në mos u pajtoftë dikush më i paditur, le të heshtë!

1. Besimi nuk është çështje e përbotshme, tokësore, është hyjnore. I tëri varet nga përcaktimi e udhëzimi i Zotit. Andaj, secili besimtar informon e bën ftesë për besim për cilëndo qenie njerëzore, por përtej kësaj tejkalohet kompetenca që Zoti i ka dhënë njeriut mbi njeriun. As lufta, as dhuna, as kërcënimi, as përçmimi, as fyerja e as sharja nuk janë të lejuara nga Zoti dhe nuk janë të duhura praktikisht për të thirrur njerëzit në besim. Mos harroni se Zoti ua ka ndaluar t’i shani edhe idhujt e idhujtarëve, sepse kjo mund të ndikojë që njerëzit të mos e pranojnë, të largohen, ta urrejnë a ta luftojnë besimin në të cilin ju i ftoni. Kush i beson urtësisë së Zotit e zbaton urtësinë të Tij.

2. Feja, në këtë rast Islami, është çështje individuale dhe liri personale e secilës qenie njerëzore. Asgjë që është kundër vullnetit të individit nuk llogaritet nga Zoti. Edhe sikur të kishit fuqinë që t’i detyroni të gjithë njerëzit e botës që kundër vullnetit të tyre t’i bien Zotit në sexhde, as ju e as ata nuk do të kishit kurrfarë shpërblimi te Zoti. Prandaj Zoti e ka ndaluar dhunën detyrimin në fe. Gjithë çfarë ka obligim myslimani i devotshëm ndaj pasuesit të fesë tjetër apo ndaj besimtarit mysliman që nuk e praktikon fenë është këshillimi me urtësi e mirësi. Mos harroni që nëse dikush fillon ta urrejë e ta luftojë Zotin, besimin e fenë për shkak të sjelljes tuaj ndaj tyre, për këtë jeni përgjegjës e fajtor, siç jeni përgjegjës e meritor edhe për të kundërtën.

3. Islami është fe për të gjithë njerëzit, popujt e kohërat. Aq sa u përket arabëve e turqve, po aq na përket edhe ne shqiptarëve. Aq sa na përket ne shqiptarëve, po aq i përket edhe amerikanëve, rusëve, kinezëve e gjithë të tjerëve. Andaj, ekskluzivitetin për Islamin mos ua dedikoni as arabëve e turqve, e as mos e pretendoni për vete. Roli historik që kanë pasur individë e popujt të caktuar në historinë e Islamit nuk i bën ata as prijetarë e as pronarë të Islamit. Prijetar i Islamit është besimtari më i ditur e më i ndershëm mes myslimanëve, kushdo qoftë, kudo qoftë e kurdo qoftë. Ndërsa, pronar i Islamit është secili individ në rruzullin tokësor që e përqafon atë me vullnet të lirë e bindje të plotë.

4. Mirësia e veprat e mira janë të pandashme nga besimi. Zoti në Kuran asnjëherë nuk e ka përmendur besimin (besimtarët) veçmas, por gjithmonë së bashku me veprat e mira. E pra, ta dini që veprat tuaja janë dëshmi e besimit tuaj. Andaj, keni frikë nga besimi që nuk është i përcjellur me vepra të mira. Nuk ka besim të sinqertë ai që nuk e thotë të vërtetën, nuk ka besim të sinqertë ai që nuk e mbron të drejtën, nuk ka besim të sinqertë ai që nuk punon ndershëm, nuk ka besim të sinqertë ai që nuk ndihmon të mjerët e të dobëtit, nuk ka besim të sinqertë ai që lëndon padrejtësisht të tjerët, nuk ka besim të sinqertë ai që nuk punon për të mirën e njerëzimit.

5. Myslimani është i detyruar nga Zoti që të lexojë, të studiojë e të mendojë në përgjithësi, për gjithçka. Ky detyrim vlen edhe për leximin, studimin e mendimin rreth Zotit e rreth fesë. Islami si fe nuk pranon ndërmjetësim mes njeriut dhe Zotit, prandaj secili mysliman, sipas mundësive e kapaciteteve të veta intelektuale, shpirtërore e morale duhet të lexojë, të studiojë e të mendojë rreth Zotit dhe fesë së Tij islame. Dhe për burimet e kësaj dije Zoti ka vendosur hierarki. I pari burim dhe më i pakontestueshmi është fjala e Zotit, Kurani. Asnjë mysliman me aftësi gjykimi nuk është i falur nga Zoti për mosdije nëse pason individë a grupacione të gabuara, të cilët vetëdijshëm a pavetëdijshëm, qëllimshëm a paqëllimshëm, e keqkuptojnë, e keqinterpretojnë, e keqzbatojnë apo e keqpërdorin Islamin. Kurrë mos harroni që asnjë i vdekshëm nuk mund ta ketë urtësinë e Të Pavdekshmit. E pra, kthehuni te urtësia e Zotit dhe para së gjithash mësojeni fenë nga dora e parë, nga fjala e Zotit.

6. Kundërshtarë të Zotit, të besimit e të fesë (edhe të Islamit) ka pasur e do të ketë gjithmonë, në botë e këtu në vendin tonë. Ca nga ta e kanë bindje të tyre personale e ca nga ta e kanë me tendenca e për mercenarizëm. Të parëve duhet t’u përgjigjeni me fakte e argumente, me gjakftohtësi e me mirësi. Të dytëve duhet t’u përgjigjeni me dyfish fakte e argumente, me dyfish gjakftohtësi e me dyfish mirësi. Ky nuk është mësim nga unë, është urdhër nga Zoti, që të keqen ta kthejmë me të mirë, se nuk i dihet ku del hajri, këtë nuk mund ta përcaktoj as unë e as ju, prandaj urdhërohemi për mirësi. Edhe kur mohojnë Zotin, edhe kur përgenjështrojnë Profetin, edhe kur na quajnë primitivë veç pse besojmë, sërish me argumente, me gjakftohtësi e me mirësi duhet të kundër-përgjigjemi.

7. Urrejtja e mallkimi nuk mund të kenë vend në zemrën e besimtarit. Kush e ka besuar vërtet Zotin dhe boten e përtejmë, nuk mund t’ia dëshirojë as armikut më të madh e më të keq ndëshkimin e përhershëm në botën tjetër. Ndaj Zoti na e ndalon mallkimin. Kush e ka besuar vërtet Zotin dhe boten e përtejmë, bën gjithçka që të bëhet shkaktar, me fjalën e veprën e vet, që edhe njeriu më i ligë në rruzullin tokësor të përmirësohet e të meritojë shpërblimin me parajsë në botën tjetër. Durimi, falja e mëshira janë virtytet më të çmuara të çdo besimtari. Mos harroni që cilësia e Zotit që më së shpeshti përmendet në Kuran është mëshira. Kush e harron këtë rrezikon të mbetet jashtë mëshirës së Zotit në të dy botët.

8. Egoja e njeriut është armiku më i madh i Zotit. Kush nuk e sundon egon e vet, vështirë se do ta gjej Zotin. Andaj, ju lutem, kujdes kur për qëllime të përkëdheljes së egos suaj dhe promovimit të vetvetes para të tjerëve i bëni reklamë besimit, fesë, e posaçërisht bamirësisë suaj. Kjo shpeshherë duket sikur nuk ju mjafton fakti që Zoti e di dhe do t’ju shpërblejë për besimin, për fenë e për humanizmin tuaj. Mos harroni që, atij që i mjafton Zoti, nuk i duhet tjetër në këtë botë, atij që nuk i mjafton Zoti, nuk i duhet gjithë fama e madhërimi i njerëzve të kësaj bote.

9. Në emër të Islamit sot bëhen shumë të këqija e krime nëpër botë, posaçërisht ajo që sot quhet “terrorizmi islamik”. Ky term nuk është i rastësishëm, e kanë vënë qarqet e caktuara që duan t’ju detyrojnë të distancoheni nga diçka që është e “juaja”. Shumë nga ju keni rënë në grackën e tyre dhe tashmë ju është bërë kompleks që sapo të ndodhi ndonjë sulm terrorist menjëherë të distancoheni. Gabim fatal! Vetëm fajtori ndien nevojë të shfajësohet. Terrorizmi as nuk është islamik as nuk është i juaji, prandaj s’keni pse distancoheni. Sigurisht që terrorizmin duhet ta luftoni, ta kundërshtoni e ta demaskoni, por jo të pranoni të identifikoheni me të, duke u detyruar të distancoheni nga ai si diçka e juaja.

10. Mos u frikësoni ta thoni të vërtetën që besoni, sepse s’mund të ketë pasojë më të keqe se mohimi i të vërtetës. Në ambientin tonë publik të kontaminuar maksimalisht nga propaganda, e di që çfarëdo kritike që mund ta bëni ndaj ndonjë zyrtari, organizate, shoqërie, shteti, dukurie, cilësie a vesi perëndimor, mund, e me gjasë do të etiketoheni si ekstremist fetar, si anti-perëndimor, si turkofil, si lesh-arabi, si primitiv, etj., etj.. Mos u stepni e mos u frikësoni, por kritikoni çdokënd e çfarëdo që e gjykoni të padrejtë, të keqe, të dëmshme, dekadente, degjeneruese, etj., qoftë Obaman qoftë Merkelin, qoftë BE-në qoftë NATO-n, qoftë francezët qoftë italianët, etj., etj.. Askush në perëndim (përveç militantëve shqiptarë “pro-perëndimorë”) nuk pretendon e nuk beson në shenjtërinë e në përsosshmërinë e Perëndimit, ndaj kritikën e kanë krye-vlerë. Vetëm kur heshtni atëherë kur keni për të thënë diçka që besoni jeni anti-perëndimorë.

11. Shumë qarqe që nuk ia duan të mirën shqiptarëve janë munduar me shekuj e sidomos kohëve të fundit që t’i imponojnë hipotezat e tyre përqarëse se “shqiptarët myslimanë janë jokombëtarë” dhe “kombi e feja nuk shkojnë bashkë”. Shumë prej jush keni rënë edhe në këtë grackë. Ndaj disa nga ju ndërmarrin fushata shterpe patriotizmi në vend që ta lënë historinë (për të kaluarën) e veprat e tyre (për të tashmen e të ardhmen) që ta dëshmojnë pavërtetësinë e kësaj hipoteze. Hipotezës tjetër duhet t’i përgjigjeni me parimin se “Kombi është zgjedhja e Zotit për ne, Feja është zgjedhja jonë për madhërimin e Zotit”. Të dyja i kemi nga vullneti i Zotit, të dyja i kemi amanet nga Zoti, të dyja do t’i duam e do t’i mbrojmë për hir të Zotit. Kush sheh kontradiktë mes tyre, le të jetojë vet me peshën e kësaj mospërputhjeje të paqenë. Kjo peshë le të jetë problemi i tyre, jo i juaji.

12. Meqë kombi është zgjedhja e Zotit për ne, atëherë detyrohemi ta duam, ta zhvillojmë, ta mbrojmë e ta promovojmë. Kushdo që na ndihmon në këto detyra, duhet ta çmojmë e ta respektojmë, qoftë ai shqiptar a jo-shqiptar, mysliman a jo-mysliman, perëndimor a lindor. Profetin Muhamed e ka mbrojtur gjyshi i tij jo-mysliman dhe ia ka mundësuar që të thërras të tjerët në besim. Profeti Muhamed ia ka besuar mbrojtjen e myslimanëve të parë mbretit jo-mysliman të Abisinisë (që ishte i krishterë). Prandaj, mos i pasoni ata që në emër të fesë ju ftojnë të mos i çmoni e të mos i respektoni simbolet e figurat tona historike kombëtare jo-myslimane: flamurin e historinë, Agronin e Teutën, Pirron e Skënderbeun, Gjergj Fishtën e Nënë Terezën. Po ashtu, mos i pasoni ata që në emër të fesë ju ftojnë të mos jeni mirënjohës e falënderues ndaj atyre shteteve perëndimore (shumicë jo-myslimane) që na kanë mbrojtur e na kanë ndihmuar të zhvillohemi e të konsolidohemi si komb e si shtete shqiptare.

13. Mos u ngushëlloni me të kaluarën, ajo nuk e ndryshon e nuk e përmirëson realitetin e sotshëm. Askush në botë, pavarësisht kombit e fesë, nuk i konteston vlerat e arritjet teorike, shkencore, teknologjike, kulturore e artistike që Qytetërimi Islam (Kalifati Arab e Perandoria Osmane) i ka lënë trashëgimi botës. Por ato perandori janë shuar qëmoti. Me trashëgiminë e këtyre perandorive mos u mundoni të justifikoni gjendjen e tanishme të vendeve me shumicë myslimane, që të kapluar nga mospuna e injoranca, le që nuk i sjellin asnjë të mirë njerëzimit, por nuk arrijnë t’i sjellin asgjë të mirë as vetes së tyre. Duke mbrojtur të keqen e sotshme me të mirat e të kaluarës nuk e mbroni Islamin e nuk i mbroni myslimanët. Zoti nuk e do mospunën e injorancën, andaj as ju mos i merrni nën mbrojtje këto cilësi.

14. Pothuajse të gjithë ne jetojmë në kushte të vështira ekonomike. E megjithatë, të gjithë mund të bëjmë më shumë për ata që jetojnë në kushte edhe më të vështira se ne dhe këtë e kemi detyrim. Grykësia e lakmia për këtë botë na ka bërë ta harrojmë këtë detyrim, përveç në raste festash e për reklamim. Por nuk duhet të harrojmë që Zoti nuk i jep në atë botë atij që nuk jep në këtë botë. Zoti nuk i ndihmon në atë botë atij që nuk ka ndihmuar në këtë botë. Megjithëse jo gjithmonë, sërish edhe shqiptari më i varfër e më i mjerë ka shpresë e mundësi për ndihmë e përkrahje. Andaj, këtu me theks të veçantë do t’ju lutesha që të jepni kontributin tuaj, qoftë me fjalë qoftë me vepër, për përmirësimin e pozitës dhe kushteve të romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve, të cilët janë njerëzit më të nëpërkëmbur, më të diskriminuarit, më të varfrit, më të pafuqishmit, më të pashpresët mes nesh. Sa shpirtmëdhenj jemi e dëshmojmë me ndihmën ndaj të dobëtëve.

15. Personalisht përfshihem në shumë debate me lloj-lloj njerëzish, në mbrojtje të besimit e fesë në përgjithësi, e të Islamin në veçanti. Kam studiuar intensivisht (joformalisht) për dy dekada fenë, filozofinë, astro-fizikën, psikologjinë, sociologjinë, politikën, artin e mitologjinë, të gjitha në funksion të njohjes së Zotit, njohjes së vetes e njohjes së njeriut e shoqërisë, si dhe në funksion të dhënies së kontributit tim personal për mirëqenien e njerëzimit (aq sa mundem). Asnjëherë nuk e kam pasur e nuk e kam problem ta argumentoj e ta mbroj Zotin e fjalën e Tij, veprat e Profetit Muhamed e të profetëve para tij, Islamin si fe dhe parimet e tij, historinë e Qytetërimin Islam dhe trashëgiminë e tij, etj.. Të vetmet që më mposhtin në këto debate janë fjalët e veprimet e atyre besimtarëve e myslimanëve që shajnë, fyejnë, përçmojnë, përbuzin e kërcënojnë të tjerët. Këto kurrë nuk kam mundur t’i argumentoj e t’i mbroj në debatet e mia me kundërshtarët, as që jam munduar ndonjëherë, as që do të mundohem ndonjëherë, sepse thjesht nuk më lejohet ta bëj një gjë të tillë. Zoti e di që unë nuk jam fajtor për këtë!

Para përfundimit, e kam një porosi të thjeshtë:

Zoti dëshiron paqe në tokë e paqe mes njerëzve, prandaj fenë e Tij e ka quajtur Islam – Paqe (emër nga rrënja e fjalës arabe “slm – seleme” që kuptimin parësor e ka “paqe”), pasuesit e fesë së Tij i ka quajtur Muslim/anë – Paqësor (emër nga e njëjta rrënjë e fjalës “slm – seleme”) dhe për t’u siguruar që besimtarët nuk do ta harrojnë këtë asnjëherë, Zoti e ka bërë detyrim për çdo takim e ndarje mes besimtarëve përshëndetjen Selam – Paqe (emër nga e njëjta rrënjë e fjalës “slm – seleme”).

PAQE!

(Ky opinion është publikuar së pari në Gazetën Express)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme