Arroganca e Trumpit mund ta bashkojë Evropën

Prishtinë | 31 Maj 2017 | 19:42 | Nga

Vizita e Donald Trump në Evropë, i ka lënë udhëheqësit e kontinentit edhe të shqetësuar, por edhe të vendosur për të nxjerrë më të mirën, nga një situatë e keqe. Në fund të fundit, nuk ka asgjë që i bashkon më mirë njerëzit, se sa përballja me një problem të përbashkët.

Të paktën teorikisht. Analiza e imtësishme e shtrëngimeve të duarve, shtyrjeve dhe përplasjeve të Trumpit, ashtu si dhe fjalori (ose mungesa) i tij, të sjell ndërmend përpjekjet e mundimshme të evropianëve një herë e një kohë, kur u duhej të deshifronin situatën e brendshme të Byrosë Politike. Trumpologjia është bërë një shkencë evropiane, dhe ka po aq shumë hamendësime, sa edhe Kremlinologjia dikur.

Por ka një efekt pozitiv. Ashtu si kërcënimi sovjetik i detyroi evropianët të përqendroheshin në atë që kishin të përbashkët dhe se si mund ta mbronin atë, edhe Trump mund të fillojë të ndihmojë në përmirësimin e aftësisë integruese të Evropës. Interesat e kontinentit janë që toksiciteti i Trumpit të kufizohet. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse Evropa vendos ambicie të reja për veten e saj. Vetëm disa javë pasi fitorja elektorale e Emmanuel Macronit në Francë solli një moment të rëndësishëm ngushëllimi, turneu i Trumpit me siguri u ka kujtuar evropianëve botën e re të paqartësive dhe nevojën për t’u bashkuar.

Kjo është arsyeja pse, ndonëse në një mesazh jo krejt të ri, fjalët e kancelares gjermane Angela Merkel për Evropën që nuk mund të “varet më plotësisht nga të tjerët”, dhe se tani duhet ta mbajë “fatin e saj në duart e veta “, tingëlluan si një përfundim logjik, pas një trembëdhjetë ditëshi të diplomacisë Trumpiane. Deklarata e saj pa dyshim u ka shërbyer shumë qëllimeve, përpara zgjedhjeve të shtatorit në Gjermani. Nëse shfaqesh si anti-Trump, sigurisht që do të të shtohen votat.
Në të vërtetë, përzierja tek Trumpi e vulgaritetit, arrogancës, injorancës dhe vrazhdësisë, i bën evropianët që fshehurazi, të ndihen jashtëzakonisht mirë për sofistikimin e tyre dhe sjelljet e qytetëruara. Kontrasti mund të jetë qetësues. Ashtu si evropianët vendosën që problemi i Brexit duhej të përballej me unitet,(jo sepse nuk duan të mërzisin apo ndëshkojnë britanikët, tërheqja e të cilëve është kryesisht një burim hutimi dhe trishtimi, por sepse BE-ja dëshiron të kufizojë dëmet), Trump po kthehet shpejt në një faktor bashkues.

Pati jehona të forta të kësaj, kur zyrtarët dhe analistët nga Evropa dhe SHBA u takuan në Bratislavë këtë fundjavë, për një konferencë mbi çështjet transatlantike. Një koment që qarkulloi pa fund, ishte se udhëheqësit evropianë mund të dëshironin të vishnin bluza ku shkruhej “Unë i mbijetova 25 Majit”, duke iu referuar komenteve acaruese të Trumpit, rreth kontributeve në buxhetin e NATO-s.

Në sfondin e pritshmërive që neni 5 i NATO-s (mbi sigurinë kolektive) do të përsëritej shprehimisht, heshtja e Trumpit ishte një tronditje më vete, por në Bratislavë një ndjenjë e përbashkët që mbizotëronte ishte: “Po çfarë mund të presësh prej tij?” Ideja që Evropa mund ta lejonte fatin e saj të lidhur me një president amerikan si Trumpi, po davaritet shpejt.

Ajo që vjen më pas, megjithatë, është shumë më pak e qartë. Evropa vështirë se ka një shkop të madh në duar për ta tundur, dhe siguria e saj, për të ardhmen e afërt, mbështetet kryesisht në angazhimin e SHBA në kontinent. Merkeli e nënvizoi këtë në zgjedhjen e fjalëve: “Kohët në të cilat mund të vareshim plotësisht nga të tjerët, në një farë mase, kanë marë fund”.

Gjithësesi, disa modele mund të shfaqen. Së pari, ekziston ideja që Brexit, pavarësisht sa i mbyll në vetvete britanikët, do të sjellë më shumë, e jo më pak, angazhim të Britanisë së Madhe në strategjitë evropiane dhe strategjike.

Disa ekspertë nxjerrin në pah përvojën e të kaluarës: pasi Britania i ktheu shpinën aksionit të përbashkët perëndimor, në reagimin e tij ndaj një sulmi masiv kimik në Siri në vitin 2013, qeveria e saj u përpoq të tregonte se ky nuk ishte një rast izolacionizmi dhe as një tërheqje nga përgjegjësitë kolektive. Në të vërtetë, Britania vazhdoi të organizojë samitin e NATO-s në vitin 2014, gjë që çoi në vendosjen e ushtarëve në Evropën Lindore për të penguar lëvizjet e mëtejshme ruse, kundër fqinjëve të saj.

Logjika është kjo: kur reputacioni i Britanisë është dëmtuar seriozisht (siç ka ndodhur me Brexit, cilido qoftë pozicionimi i Theresa Mayt), ajo përpiqet të tregojë se mbetet në qendër të çështjeve globale dhe përballet me sfida të përbashkëta – Evropa përballet me shumë të tilla, si Vladimir Putini, Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan dhe Shteti Islamik.

Së dyti, partneriteti i rigjetur franko-gjerman ka krijuar një dinamikë, me të cilën të tjerët në kontinent do të duhet të përshtaten. Zyrtarët në Evropën Qendrore i kushtojnë vëmendje afrimit të dukshëm të Merkelit dhe Macronit dhe do të duan të sigurojnë, që ata të mos mbeten pas në debatin për integrimin më të thellë evropian.

Evropa Qendrore shihet shpesh si një bllok i vetëm homogjen i atyre që thonë vetëm Jo, por ky perceptim është gjithnjë e më i gabuar. Së pari, nuk ka shumë gjëra që bashkojnë Viktor Orbánin e Hungarisë me qeveritë çeke dhe sllovake, të cilat janë shumë më të prirura për të demonstruar se janë anëtare të përkushtuara të klubit evropian. Po ashtu, flitet për organizimin e një samiti franko-gjermano-polak, si një mënyrë për të shpresuar që udhëheqja populiste e Polonisë të kthehet në rrugën e BE.

Pas turneut të Trumpit, Britania do të duhet të jetë gjithnjë e më e ndërgjegjshme, se është bërë mishërimi i gjallë i gjithçkaje, me të cilën Evropa ka për qëllim të përballet. Evropianët e dinë prej kohësh se duhet të mbledhin veten, qoftë edhe sepse pjesa e tyre relative e pasurisë dhe fuqisë globale do të vazhdojë të bjerë, veçanërisht me rritjen e Kinës – dhe për sa kohë që Rusia mbetet agresive.

Vitet e Obamës kishin treguar tashmë se Evropa nuk mund të transferonte të gjithë interesat e saj tek SHBA, veçanërisht kur përballej me trazirat në Lindjen e Mesme. Trumpi e ka bërë këtë edhe më të qartë.

Nuk ka asnjë përgjigje të qartë nëse Evropa mund “të bëjë veten përsëri të madhe”, por Trumpi e ka gjallëruar shumë këtë pyetje. “Vlerat tona janë arma më e fortë e mbijetesës sonë kundër armiqve”, tha me të drejtë presidenti sllovak Andrej Kiska, ndërsa Trumpi po përgatitej të kthehej në shtëpi. Dhe pas një takimi të tensionuar me Trumpin në Bruksel, presidenti i këshillit evropian, Donald Tusk, paralajmëroi: “Detyra më e madhe sot është konsolidimi i botës së lirë rreth vlerave, jo vetëm interesave”.

Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se, pavarësisht të gjitha dyshimeve të Trumpit rreth kontinentit të vjetër dhe pavarësisht gjithë retorikës së tij pro-Brexit dhe anti-BE, lajmet për vdekjen e Europës mund të kenë qenë shumë të ekzagjeruara. Teksa Evropa forcohet, duhet thënë që udhëtimi i Trumpit ishte vërtetë “një sukses i madh – vetëm jo ashtu si e mendonte ai.(bota.al)

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme