“Bahet mirë”, por ne po ikim!

Prishtinë | 04 Mar 2020 | 15:32 | Nga Erdonita Hebibi

A e dini shprehjen “bahet mirë” ani kur t’bahet mirë najherë mos harroni me na thirr, pa u kthy kurrë se lamë, nëse na i gjeni adresat.

Ne po ikim nga ky vend, me zemrën e plastë, nga ky vend që krejt shpresat ia shuan. Po ikim me punu, vendin e token e huaj, se jo që edhe këtu nuk punuam, bile ma tepër se që duhet. Por këtë vend e paska nxi dhe p’shty djalli.

Ik se nuk vlerësohesh, ik se nënçmohesh, ik se t’lëndojnë bile edhe me kajt nuk të lanë, ik se punën që ke andrru me pas gjithmonë e pret me vite përderisa diploma e varur në kornizë kalbet dita-ditës, si një fotografi që ngjason me Mona Lizën, e lodhesh dikur se nuk arrin me pasë një jetë të duhur e nuk paguhesh siç duhet.

Ik e marrtë e mira se nuk ke fuqi ma!

E ta mendosh që studion me mish e shpirt, e me idenë që do punojmë punën e andrrave tona, e do kemi një pagë të duhur për një jetesë mjaftueshëm të mirë, por që në këmbim marrim një diplomë e edhe një grusht fytyrës që t’i gjuan ëndrrat përtoke krejt.

Më thoni tash, a është e drejtë kjo apo ku gabuam ne, a mos të ikim tash?

Rrini se ka vend për krejt, kjo shprehja që na janë lodhur veshët duke e dëgjuar.

Na gjeni aman këto vende, se jemi lodhur për vite duke u endë teposhtë e perpjetë, e duke dëgjuar fjalët e të tjerëve “a hala nuk ke hi n’pun a?

Gjithmonë u kemi premtuar prindërve si çdo i ri besoj që pos që do i bëjmë krenarë, do u’a kthejmë të mirat e tyre, po këto ishin vetëm dokrra e marrëzija “hamam” u’a kthyem.

Qysh me ja kthy pash Zotin ku në fund të fundit prapë kërkojmë nga ata, prapë jemi nevojtarë tek ta. Por gjithsesi një gjë ka rëndësi që ne arritëm të i jepnim krenarinë më të madhe diplomën që luftuam aq shumë për të.

Puno në shtëpi mallrash, e kafiteri, transfero titullin e magjistrit të shkencave në kamarier profesional e shankist super i preferuar nga klientët, aty ku ta kërkojnë kafen me buzëqeshje e t’i gëzohesh nga bakshishi i klientëve. Epo nuk mendova ta përbuzë çfarëdo pune të ndershme, qoftë edhe në market , ama fare nuk i kuptoj 750 pyetjet e pundhënësve duke na pyetur shumëçka personale … a je e martuar, se të martuarat nuk punojnë dot, a ke ndonjë foto tjetër, duhesh me u veshë shkurtë e ngushtë se syni po e don me pa bukur, nëse je e martuar na trego se ju rishtazi mbeteni shtatzënë e s’kem hesap mu merr me pushime të lehonisë, a rrin edhe mbas orarit e përderisa ata t’i bëjnë këto pyetje, ecë e mos mendo me ikë.

Me ikë diku ku dreqi bën vezë, aty ku nuk na njeh e nuk njohim askënd.

Por nuk ka problem se ne të gjithë si të rinjë që jemi nuk u ankuam, nuk u lodhëm e nuk u dëshpëruam edhe kur me raste na kanë poshtëruar, punuam dhe studiuam, por Boll maa..

Mos na gjykoni pse po largohemi, mos na gjykoni pse çdo fëmijë i gati çdo familje kërkon të ikë, sepse të tillë na bëtë ju, ky Shtet i kapur që të zë frymën , mjaft jemi lodhë sa s’ka më.

Po iki, po i jap fund kësaj dreq vuajtje, i bëra vjetët jam në moshën e punës dhe nëse jo tani nuk do mundem të punoj kurrë më! Po iki, bashkë me djalin dhe vajzën tënde t’i që i përkrahe njerëzit që mua dhe fëmijëve tu të na e bëjnë jetën ferr! Po shkoj atje ku puna dhe buka nuk do më mungojë, e besa tani edhe shoqërinë më në Kosovë nuk do e gjejë por atje larg, ndoshta është më mirë se në Anadollin e dikurshëm!Kosovë për ty gjithmonë do të vuaj sepse je shpirti dhe kocka e trupit tim, por nuk mund të rri dhe të duroj më bijtë e tu teksa më gërryejnë ashtin për së gjalli kriminelët sikur sorrat ndaj Eskilit.

E deshëm vendin tonë shumë, por ai nuk na deshi. Prapë do ta duam, të premtojmë që nëse njëherë do të bëhet mirë ne prapë do jemi në strofkullën tënde, por deri atëherë ne po ikim Kosova jonë!

Të ngjashme