Bashkësia ndërkombëtare po e përdorë Serbinë si gogol kërcënimi ndaj Kosovës dhe disciplinim të politikanëve të pabindur

Prishtinë | 02 Gus 2022 | 14:42 | Nga Behxhet Shala

Serbia nuk e ka për qëllim vetëm veriun e Kosovës!

Dështim i intervenimit, fitore e Vuçiqit: Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar, pa lënë asnjë mëdyshje se nga data 1 gushti 2022 do të fillojë zbatimin e reciprocitetit për qytetarët që kishin dokumentet e Serbisë duke lëshuar leje hyrje dhe daljeje në pikat kufitare me këtë shtet, që as nuk e njeh Kosovën si shtet dhe që përpiqet, duke e bërë jofunksional, ta shkatërrojë atë. Serbia asnjëherë nuk i ka pranuar dokumentet e lëshuara nga Kosova dhe, gjatë hyrjes në këtë shtet ua ka lëshuar një leje hyrjeje për një kohë të caktuar. Gjithashtu, qeveria e Kosovës ka vendosur të zëvendësojë tabelat e mëparshme me tabela RKS dhe për këtë ka qenë një fushatë disamujore si dhe premtime se do të lirohen nga pagesa gjatë regjistrimit të automjeteve.

Po të njëjtën kohë, qeveria e Serbisë e ka kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës duke riaktivizuar instrumentalizimin e strukturave paralele serbe. Skenari ishte grumbullimi i serbëve të veriut pas sirenave për alarm dhe bllokimi i rrugëve kryesore për të pamundësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të Policisë së Kosovës e që, së paku deri më tani është treguar e suksesshme në masën thuaja 100 përqind. Pastaj, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar kryesisht të ambasadorit të Amelikës, janë bërë përpjekje të rikthehet normaliteti përmes një kompromisi të padinjitetshëm për një shtet, ju hiqni barikadat ndërsa ne e tërheqim policinë! Madje, kishte situata të rënda kur policia mbahej peng e bllokuar nga forcat paramilitare dhe bisedimet bëheshin që të sigurohen kushtet për tërheqjen e tyre duke i fyer rëndë në baza kombëtare, me familje etj.

Policia nuk kishte të drejtë të përdorte armën e që, në këtë rast ia mundëson ligji. Edhe gjatë intervenimit të fundit policia e Kosovës ishte në situatë të njëjtë, u desh të dërgohen dy autoblinda për të mundësuar kthimin e tyre. Se kush ka vendosur për këtë intervenim të papërgjegjshëm, të tillë ishin edhe intervenimet e mëparshme, nuk dihet ende! Opozita po e akuzon poziten se ka intervenuar pa koordinim me ndërkombëtarët ose, më mirë të themi pa u koordinuar me Ambasadën e Amelikës në Prishtinë.

Tash, ambasadori po thotë se ka pasur koordinim e që nuk është pritur deklarim tjetër përveç nëse kanë vendosur që kryeministrin Kurti ta dërgojnë në pushim të përhershëm në Santorini, Shtojë apo fjordet e Norvegjisë. Po duket se ndërkombëtarët kanë vendosur ta luajnë lojën deri në fund me Albin Kurtin për faktin se ia kanë zbutur aq shumë imunitetin ndaj kundërshtimit sa që nuk kanë nevojë për tjetër lojtar. Realisht, Albin Kurti, si pushtetar nuk është as hije e zbehtë e Albinit opozitar. Është i dorëzuar fare dhe, në rrethanat ekzistuese në asnjë mënyrë nuk do ta dorëzojë pushtetin sepse, është bindur se të qenit në pushtet dhe i pushtetshëm nuk qenka aspak keq, përkundrazi.

Dihet mirëfilli se politika dhe politikanë, sidomos në Ballkan me të ardhur në pushtet operohen nga përgjegjësia dhe skuqja e fytyrës përjashtuar rastit kur i ekspozohen diellit më shumë se që duhet. Marrja, si kategori morale i adresohet opozites sikur edhe të gjitha dukuritë tjera negative. Tash, pas këtij dështimi total dhe kolosal të intervenimit, si të gjitha intervenimet e mëparshme, ambasadori i Amelikës i nxori Kurtit dhe qeverisë së tij, një muaj besë, deri më 1 shtator. Ambasadori i Amelikës duket se është njohës i mirë i Kanunit të Lekë Dukagjinit sepse kanunçe edhe ka marrë vendim.

Kryeministri Kurti, i gjetur para një situate thuaja pa zgjidhje, botërisht e falënderoi ambasadorin e Amelikës kurse Vojsa Osmani, si faktor përcaktues për zgjidhjen e të gjitha problemeve të botës kërkon që BE –t’i vendosë sanksione Vuçiqit në kohën kur kryetari i Serbisë po i gëzon të gjitha privilegjet pikërisht nga kjo BE –e. Se kush u nda krejtësisht i lagur e ceka më lartë por, pse Vuçiqi e arriti një fitore të pastër, me mjete krejtësisht të ndyra politike dhe paramilitare?!

Vuçiqi tërë lojën po e luan në territor të Kosovës, Serbia po mbetet e paprekur. Po flitet për kompromis të dhimbshëm që i drejtohet ekskluzivisht Kosovës, Serbia vetëm fiton qoftë nëse e merr edhe një dru të vetëm nga Kosova! Me para të buxhetit të Kosovës po paguhen paramilitarët politikë të Listes Serbe, me vojvodën Goran Rakiq, në krye. Po iu paguhen të gjitha shpenzimet si rryma, uji, mbeturinat, nuk e paguajnë as tatimin në pronë, shteti i Kosovës ka paguar dhe po paguan rebelimin e këtyre njësive çetnike të Serbisë në Kosovë. Realisht, veriu i Kosovës nuk kontrollohet nga Kosova, aty është Serbia që është përcaktuese për këtë pjesë të okupuar të Kosovës, me ndihmën e ndërkombëtarëve, pa asnjë dyshim. Serbët e instrumentalizuar vullnetarisht, kur të duan dalin nga institucionet e Kosovës, kur të duan kthehen mirëpo pagat i marrin me rregull, sikur të ishin qytetarët më besnikë të Kosovës! Paramilitarët e Serbisë në Kosovë dhe vet Serbia po e mbajnë peng Kosovën duke e penguar ta shtrijë sovranitetin në kufijë të integritetit territorial duke e përdorur ligjin dhe detyrimet kushtetuese. Tash, në këto rrethana dhe në këto mundësi duhet të kërkohet një zgjidhje, aspak e mirë për Kosovën dhe, ndonëse shumë e mirë për Serbinë , ajo nuk e donë as këtë zgjidhje.

A kërcënohemi nga një luftë me Serbinë?

Bashkësia ndërkombëtare po e përdorë Serbinë si gogol kërcënimi ndaj Kosovës dhe disciplinim të politikanëve të pabindur. Si armë të fuqishme, në këtë drejtim po e përdorë Gjykatën Raciste Speciale në Hagë. Një luftë eventuale me Serbinë, unë besoj se nuk do të ketë luftë, më shumë i konvenon Kosovës se Serbisë. Përveç retorikës luftënxitëse, Serbia nuk ka kapacitet ta pushtojë e lëre më ta mbajë nën pushtim Kosovën. Në një konflikt eventual, më nuk do të kishte luftë vetëm midis Serbisë dhe Kosovës por do të ishte luftë e serbëve kundër shqiptarëve. Janë provuar luftat lokale dhe ato kanë prodhuar një situatë që e kemi sot, duke mos i zgjidhur problemet por i ka konservuar ato. Kjo është edhe taktikë e fraktorit vendimmarrës ndërkombëtar ; duke mirëmbajtur paqen e brishtë, imponojnë zgjidhje të përhershme politike sipas ligjit të të fortit. Në një luftë eventuale do të ishin përballë 6 milionë serbë, me 8 milionë shqiptarë. Kjo nënkupton se do ta kishim një situatë krejtësisht ndryshe krahasuar me luftën e fundit.

Në Kosovë aktualisht janë mbi 10,000 policë të trajnuar mirë dhe të motivuar sikur edhe mbi 8000 ushtarë. Pastaj, territori i Ballkanit është pjesë integrale e Evropës dhe, askush normalë nuk do të lejonte hapjen e zjarrit i cili nuk do të kishte mundësi të lokalizohej. Lufta eventuale, për të cilën nuk besoj se do të ndodhë, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të prekte Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje dhe Hercegovinën, Greqinë dhe Bullgarinë. Pasojat do të ishin të paimagjinueshme. Serbia e di këtë dhe vështirë do t’i hynte kësaj aventure që përfundimisht këtë shtet do ta kthente në kufijtë e Pashallëkut të Beogradit. Jam i bindur se, edhe nëse Serbisë i jipet pjesa më e madhe e Veriut të Kosovës, Serbia nuk do të pranonte që Marrëveshja të përfshijë edhe njohjen reciproke. Serbia e kontrollonë Veriun si dhe Zonat e Mbrojtura brenda Kosovës.

Me një Marrëveshje eventuale Serbia e humbë mundësinë e mbajtjes nën presion të Kosovës në një periudhë afatgjate prandaj është kundër çdo Marrëveshjeje. Mirëpo, Vuçiqi po e luan mirë lojën politike duke u ofruar si njeri i paqes, por që, Albin Kurti po i prishë të gjitha mundësitë për marrëveshje. Politikë tipike bizantine por mirë e pranuar dhe e integruar në politikën evropiane. Bashkësia ndërkombëtare, midis kërkesës së drejtë të Kosovës që të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë shtetërore në territorin e saj dhe kërkesës së Serbisë që të rikthejë politiken e Millosheviqit përmes riinkarnimit shumë origjinal në formën dhe përmbajtjen e Aleksandar Vuçiqit, do të ofrojë një zgjidhje të ndërmjetme e cila, në një formë apo tjetër do të mbajë të lidhura Serbinë dhe Kosovën dhe, e cila do të duket në vija më të qarta pas 20 vjetëve, ta zëmë.

Nëse Veriun e Kosovës, të spastruar nga shqiptarët lejon të aneksohet nga Serbia atëherë duket si utopike mbijetesa e serbëve brenda pjesës tjetër të Kosovës, edhe në rrethana të një demokracie të konsoliduar.

Nuk është halli i Serbisë se çka do të bëhet me serbët e Kosovës por si do ta mbajë Kosovën nën presion për një kohë të gjatë, në përpjekje ta shndërrojë në gjendje të përhershme.

Albin Kurti aspak nuk e ka problem ta pranojë Zajebnicen, Manastirin e Deçanit dhe të tjera për faktin e i ka të trashëguara. Në rrethana normale kjo do të ishte çështje teknike mirëpo duhet ta kemi të qartë se Albin Kurti të gjitha çështjet politike dhe jopolitike, në 15 vitet e fundit i ka ndërtuar mbi themelet e kundërshtimit të Zajebnices dhe parullave “Jo Negociata, Vetëvendosje”. Tash, këto kundërshtime po i përdorë për blerje të kohës, ndryshe mendoj se nuk do ta kundërshtojë asnjë marrëveshje.

Nëse i kundërshton këto marrëveshje, si do të pinte pastaj kafe me ambasadorin e Amelikës?! Për këtë arsye mendoj se nuk do të ketë zgjedhje në vjeshtë përveç se nëse këtë nuk e imponojnë ndërkombëtarët.

Opozita e Kosovës është aq paqësore sa që e turpërojnë edhe Gandin që preferonte një kundërshtim aktiv dhe Rugovën që nuk ofronte kurrfarë kundërshtimi. Prandaj përpjekja e ndërkombëtarëve do të shkojë në drejtim të përfshirjes së sa më shumë subjekteve politike në marrëveshjet eventuale për faktin se nuk lejojnë që vetëm një subjekt politikë të vë firmën në nkë marrëveshje për Kosovën.

Faktori ndërkombëtar nuk e ka aspak problem ta bindë opozitën, me një kafe 30 centë në Kuvendin e Kosovës për një numër të caktuar, me një kafe të mëngjesit në ambasada për ata me një k..e dhe me një biletë për pushime afatgjata në qytetin pitoresk të Hagës, për ata që kanë k..e, në kuptimin e plotë të fjalës. K…mëdhenjtë janë veç në Hagë dhe po mbahen pengje. Krahasuar me Grenellin që mercenarizmin për Serbinë më nuk po e mbanë fare të fshehur, mercenarët kosovarë janë më diskretë, deri në kohën kur do të duhet t’i ulin brekushet!

Të ngjashme