Bisedimet në Bruksel dhe kapitulli 35 për Serbinë ndaj Kosovës

Prishtinë | 03 Shk 2017 | 13:27 | Nga

Shkruan: Bahri Bivolaku

Një fshatar po kthehej nga ara. Ai i kishte hipur gomarit dhe parmëndat i pati marrë në krahë. “Përse nuk i ke ngarkuar në gomar?” – e pyetën shokët kur e panë. “Se i rëndojnë gomarit.” – iu përgjigj ai. Kështu thotë një anekdotë korçare e që mund të ndërlidhen me një frikë të madhe të opinionbërësve, por edhe ca politikanëve për ngritjen e nivelit të bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel.

Bisedimet Kosovë-Serbi në rangun më të lartë institucional të dy vendeve në Bruksel, kryesisht kanë të bëjnë me avancim të proceseve dialoguese dhe që lidhen me platformën e BE për fushat nga kapitulli 35 dhe pikat detyruese për Serbinë ndaj Kosovës e që lidhen me kapitullin. Qartazi në këtë platformë parashihet mundësia e ngrirjes së hapjes së kapitujve të rinj ose të mbylljes së atyre të negociuar nëse përparimi në normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën ngecë. Politikanët e Serbisë e kanë të qartë për mundësinë që BE t’i ngrijë mundësinë e hapjes së kapitujve të rinj që çojnë në avancimin e pozitës së Serbisë drejtë anëtarësimit në BE.
Pozicioni i sotëm i Serbisë nuk len hapësirë shprese për ta, pasi përparimi në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën po ngecë si pasojë që Serbia nuk i zbaton marrëveshjet e arritura me Kosovës. Krerët serbë të institucioneve e kanë të qartë këtë gjë, andaj edhe kanë interesim që të ketë avancim të nivelit të dialogut, gjersa edhe pala kosovare ka interesin nga bisedimet e tilla, pasi përmes dialogut siguron se Serbia gradualisht duhet të tërhiqet nga Kosova me gjithë levat e saja. Siguron për zbatim të plotë të sistemit juridik të Kosovës në veri, gjersa administrata komunale në veri detyrohet të punojë me ligjet e Kosovës.
Dialogu i tillë i avancuar dhe me një peshë të re e më të fuqishme lidhet edhe me faktin se u shërben dy palëve nëse arrijnë përparime drejtë normalizimit të marrëdhënieve, pasi të dy shtete në vendet e tyre kanë zgjedhje dhe rezultatet e arritura të vendeve të tyre në aspiratën evropiane u shërben për t’u shpërblyer nga populli. Mbase opozita politike në Kosovë e Serbi e sheh këtë rrezik të përfitimeve politike dhe aty e gjen edhe motivimin për kundërshtim dhe po e bartë kot parmënden në krahë si fshatari në anekdotë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme