Bota e çrregulluar

Prishtinë | 06 Mar 2022 | 18:08 | Nga Afrim Kasolli

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, janë shtruar shumë pyetje dhe dilema mbi konsekuencat dhe implikimet gjeopolitike që mund të ketë në nivel global, ky përshkallëzim i krizës. Pasojat që mund të prodhojë për vendet fqinje të shteteve ndërluftuese, sikur se Moldavinë dhe shtetet baltike, të cilat dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, por që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë u bënë pjesë e strukturave euro-atlantike.

Dhe ky ankth merr kuptim të plotë, sidomos kur iu referohemi intencave dhe deklaratave të përsëritura të sundimtarit të Kremlinit, se siguria e Rusisë mund të garantohet vetëm duke e rivendosur supermacinë hegjemonike të Moskës mbi disa nga vendet që dikur i takonin ish-bllokut komunist. Shto këtu faktin se Rusia, tani nuk ka lidhje të drejtpërdrejta territoriale as me Kalingradin, i cili është pjesë e Rusisë, por që rrethohet nga vendet e NATO-së. Qytet ky, që dikur i takonte Prusisë dhe njihej me emrin Königsberg. Madje, ai ishte edhe vendlindja e filozofit të madh gjerman, Immanuel Kant.
Prandaj, synimet e Moskës për ta krijuar një kanal të drejtpërdrejt territorial ndërmjet kësaj qendre administrative dhe territorit rus po shihen nga shumë analistë si një nga planet afatgjata të Putinit. Një anticipim eventual i kësaj agjende tregon qartë se parametrat e sigurisë dhe rendit ndërkombëtar të vendosur pas “fundit të historisë” do të mund të kërcënohen dhe sulmohen edhe më ashpër nga “ariu polar”.

Mirëpo, zbatimi i ambicieve të tilla revizioniste në plan global, po shihet qartë, se nuk është vetëm qëllim i Rusisë, por edhe interes gjeopolitik i Kinës. Sepse, edhe ajo është e frustruar me hapësirën dhe supermacinë e limituar që gëzon aktualisht në Azi-Paqësor. E halë në sy për Pekinin, këtu mbetet, ekskluzivisht pavarësia e ishullit të Tajvanit dhe shtrirja e pushtetit në detin jugor të këtij rajoni.

Megjithatë, që nga intervenimi brutal i Moskës mbi Ukrainën, deklaratat e zyrtarëve të Kinës kanë tentuar të jenë të balancuara në shikim të parë. Përfaqësuesit e saj nuk votuan kundër, por kanë abstenuar si në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ashtu edhe në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të këtij institucioni, kur u votua për rezolutën e sponsorizuar nga Shqipëria dhe SHBA-të e cila e dënonte ndërkombëtarisht shkeljen e së drejtës ndërkombëtare nga Moska.

Ndërkaq, publikisht zyrtarët e Kinës janë shprehur se mbështetin sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo shteti, por kanë refuzuar t’i cilësojnë si pushtim aksionet e Rusisë mbi shtetin e Ukrainës. Madje , me 4 shkurt, Kina dhe Rusia, nënshkruan një marrëveshje tjetër, ku rikonfirmohet “miqësia e tyre pa limit”.
Këto kontradikta tregojnë se “tigri aziatik” ndodhet ndërmjet një dileme serioze; ndjekjes së interesave ekonomike, realizmi i të cilave është bërë i mundur, sidomos, gjatë dekadave të fundit, pikërisht nga parametrat e rendit aktual dhe interesave politike që nuk mund të jetësohen ndryshe, pos pa e përmbysur këtë rend dhe në aleancë strategjike me Moskën, si dhe në konfrontim të hapur me botën perëndimore në përgjithësi dhe ShBA-të në veçanti.

Prandaj, kanë të drejtë shumë vëzhgues që po i mëshojnë gjithnjë ë më shumë idesë, se një thellim më i madh i bashkëjetesës Sino-Ruse kundër modelit aktual gjeopolitik, rrezikon të përshkallëzohet në një krizë dhe konfrontim të përmasave globale. Në fund të fundit, ka kohë që si Vladimir Putini, ashtu edhe XI Jinping, e atakojnë SHBA-në dhe aleancat e saj, si relikte që datojnë që nga koha e Luftës së Ftohte, tentojnë ta minimizojnë dhe dëbojnë prezencën e Uashingtonit në afërsi të fqinjëve të tyre dhe mbrojnë modelet autokratike të qeverisjes si dhe përçmimin për sistemin demokratik liberal.

Kurse intensifikimi i kësaj agjende deri në një aleancë të hapur, ku aksi i këtyre dy shteteve autokratike dhe diktatoriale do të shtrihej në pjesën më të madhe të Euroazisë do prodhonte jo pak kokëçarje për SHBA-të. Aq më tepër që kontrolli i këtij rajoni masiv është vendimtar për shtrirje të hegjemonisë globale. Apo, siç deklaroi pak ditë më parë, Hal Brands, në shkrimin “Chinese-Russian Comnvergence and the Future of Amerikan Order” ky konfrontim do ta mbante Amerikën të bllokuar njëkohësisht në dy fronte, si në Evropën Lindore edhe në Paqësor.

Ndërkohë, një skenarë i tillë, për Fareed Zakari-në, mund të jetë edhe pasojë e gabimeve strategjike që Uashingtoni ka ndjekur gjatë viteve të fundit, duke i ngarkuar qëllimet strategjike tej mase me paravane ideologjike. Dhe gjykimi i realiteti politik vetëm nga këndvështrimi ideologjik mund të ndikojë në errësimin e synimeve të mirëfillta strategjike. Sepse, njëri nga qëllimet finale të kësaj të fundit, mbetet përpjekja për ndarje të armiqve dhe jo nxitja e tyre për t’u afruar me njëri-tjetrin. E, Kina dhe Rusia kanë dalluar jo pak ndërmjet veti sipas F. Zakari-së. Sepse e para angazhohet për shtrirje të fuqisë brenda kësaj arkitekture globale, kurse e dyta kushtëzohet nga doktrina e kaosit (spoiler country).

Madje, një gabim të tillë, sipas tij, Uashingtoni e kishte bërë edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur i trajtonte të gjitha shtetet komuniste si të njëllojta dhe jo sipas specifikës dhe veçantisë së tyre. Kjo praktike u ndërpre me Henry Kissinger-in, i cili u angazhua shumë gjatë kohës së ish-presidentit Richard Nikson, në ndarjen e botës Sino-Sovjetike. Dhe ia doli në këtë drejtim.

Në fund të fundit, synimi e çdo strategjie, siç ka pohuar Otto von Bismarck-u, duhet të jetë mbajtja e armiqve sa më larg njëri tjetrit. Dhe për të gjallë të tij ai aplikoi me mprehtësi këtë objektiv, duke e penguar sa më shumë që të jetë e mundur afrimin e Rusisë me Francën, si kusht për garantimin e sigurisë së Gjermanisë. Madje, nuk është e rastësishme që Kissingeri pohonte se “tragjedia e Bismarkut ishte se aftësitë e tij e tejkalonin aftësinë e shoqërisë së tij për t’i absorbuar ato, kurse trashëgimia që i la Gjermanisë ishte madhështia e paasimilueshme”.

Sidoqoftë, për Robert Kaganin, këtë situatë duhet ta lexojmë pak më ndryshe. Në shkrimin “What we can expect after Putin’s conquest of Ukraine” të botuar në “The Washington Post”, para pak dite, ai pohon se më shumë se sa te gabimet e Uashingtonit, në fakt martesa strategjike ndërmjet Kinës dhe Rusisë, kushtëzohet nga dëshirat e tyre, për ta sfiduar pikërisht rendin që e mirëmban Amerika.

Dhe SHBA-të janë përballur me sfida të tilla të ngjashme edhe në të kaluarën. Madje, hiç më larg se në vitet ’30 të shekullit të kaluar kur Gjermania dhe Japonia u mobilizuan kundër parametrave të atij rendi.

Atëbotë edhe ato shtete, pohon R.Kagan, nuk është se ishin aleate të mirëfillta, nuk i besonin aq shumë njëra-tjetrës, dhe nuk i koordinuan strategjitë e tyre të përbashkëta ashtu siç duhet. Por, avancimi i Gjermanisë në Evropë ia lehtësonte punën Japonisë në Azi, kurse avancimi Japonisë në Azi, ia lehtësonte punën Gjermanisë në Evropë. Pra ato përfitonin nga njëra tjetra. Po ashtu, secila kalkulonin se deri sa Amerika ishte e angazhuar në njërin front, tjetra do t’i kishte duart e lira në terrenin e saj. Me këtë rast, Uashingtonit nuk i kishte mbetur alternativë tjetër, pos të angazhohej në dy fronte në të njëjtën kohë, me rivalët e tij strategjik. Dhe në fund, ajo metodë që u ndoq nga Franklin D. Roosevelt, u tregua e suksesshme. Sepse, SHBA-të dolën fitimtare në të dy drejtimet.

Në këtë kontekst, ka gjasa që kriza e filluar në Ukrainë, ta përshkallëzohet në përmasa të paparashikueshme, pikërisht nga të njëjtat shtysa dhe motive, vetëm se tani me aktorë tjerë. Ngase, deri sa Amerika është e koncentruar në stopimin e politikave ekspansioniste të Putinit në lindje të Evropës, do të rriten apetitet e Kinës për ta shfrytëzuar shansin, për t’i realizuar projeksionet e saja gjeopolitike. Dhe një skenarë i tillë do t’i vendoste SHBA-të dhe aleatet e tyre perëndimorë para një dileme, se a do ta tolerojnë njërin nga oponentët e tij deri sa të përfundojnë misionin me tjetrin, apo do të angazhohen në dy fronte në të njëjtën kohë, për ta stopuar si depërtimin e Rusisë në kontinentin tonë ashtu edhe atë Kinez në paqësor.

Rrjedhimisht, nëse kriza aktuale agravohet për shkak të këtyre konvergjencave, atëherë lirisht mund të themi se Ukraina mund të jetë vetëm shkëndija hyrëse e zhvendosjeve të ardhshme sizmike gjeopolitike dhe do të mund të shndërrohej në një akslerator të konfrontimit në përmasa planetare ndërmjet demokracisë dhe autoritarizmit.

Të ngjashme