BREXIT

Prishtinë | 04 Kor 2016 | 12:45 | Nga Lumir Abdixhiku

E gjitha kishte nisur tre vjet më parë, kur kryeministri i atëhershëm – tani në ikje – David Cameron, në përpjekje për të qetësuar zërat konservativë në partinë e tij, kishte premtuar mbajtjen e referendumit për dalje të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian. Llogaritë e bëra ishin të thjeshta. Partia konservatore kishte kohë që po shtohej me anëtarë parlamenti euroskeptikë, përderisa, në nivel lokal, konkurrenti i djathte “UKIP”, udhëhequr nga Nigel Farage, po rritej në vazhdimësi. Në përpjekje për të qetësuar ndasitë brenda partisë dhe për të mbajtur elektoratin konservativ, Cameron kishte llogaritur një referendum sa për t’u thënë. Çfarë Cameron nuk kishte llogaritur, megjithatë, ishte momentumi i krijuar në ndërkohë – e që në thelb ushqente me sukses sentimentin kundër-Evropë; ushqim jo rrallëherë i ndërtuar mbi të pavërteta përplot.

Rrjedhimisht, nga një keqllogaritje tërësisht partiake e individuale, një kryeministër i zgjedhur bindshëm si i tillë – dhe me gjasa plot të vazhdojë me mandat të ri – arriti që të humbasë pozitën e tij dhe të dërgojë vendin e tij në udhëtimin më të pasigurt të marrë ndonjëherë. Për këtë, Cameron ishte quajtur nga gazeta britanike “The Independent” si kryeministri më i keq i njëqind vjetëve të fundit.

Dalja e Mbretërisë mund të ketë kapur në habi shumëkënd, në Evropë e Britani pa dallim. Në fund të ditës, të gjitha anketat kredibile atje tregonin për një prirje të lehtë të kampit pro qëndrim; ndonëse, për pjesën më të madhe të tyre, margjina e gabimit ishte në plus-minus 3 për qind – aq sa dhe ishte rezultati përfundimtar. Por janë disa arsye, që sot mediat e opinionistët gjithandej po i ekojnë, si decidive në triumfin e kampit pro daljes. Ato nisin nga një percepsion për mbi-kontribut në BE e deri në një varësi burokratike politiko-ekonomike që, në percepsionin britanik po minonte pavarësinë e vendit të tyre.

-2-

Arsyeja e parë, dhe më e rëndësishmja për triumfin e kampit pro daljes, ndërlidhet me popullizmin e fushatës dhe momentumin euroskeptik që ishte krijuar si rrjedhojë. Ndonëse pjesa më e madhe e intelektualëve, ekonomistëve, figurave publike, akademike e kulturore ishin renditur prapa idesë për qëndrim, qëndrimet populiste kundër idesë evropiane kishin marrë publicitet shumë më të mirë. Për këtë, revistat prestigjioze si “The New York Times” e “The Guardian” kishin fajësuar portalet britanike që jo rrallëherë kishin promovuar fakte krejtësisht të pasakta. Madje aq i fuqishëm ishte ky populizëm sa në një moment kampanja kishte marrë qëndrim të tipit se “jemi lodhur nga ekspertët”. Dhe po flasim për lodhje nga figura të respektuara e me nam botëror në fushën e ekonomisë, biznesit e politikëbërjes – figura që, në masë të madhe, kishin formësuar Mbretërinë e Bashkuar në numrat më të mirë ekonomikë nëpër vite. Pra, bëhej fjalë për përballje më shumë kundër establishmentit e sistemit sesa rezonit. Çfarë rezoni mund të ketë kur lodhesh nga ekspertiza?! Të dëgjosh fallxhorët?

Populizmi i krijuar në ndërkohë, kishte arritur që edhe faktet e pasakta apo gjysmake t’i ofrojë si të qena. Ndër të tjera, një ndër argumentet me të shpeshta të shfaqura andej ndërlidhej me kontributin javor që Mbretëria e Bashkuar e dërgonte për në Evropë. Ky kontribut arrinte – gjithmonë sipas kampit pro dalës – në plot 350 milionë funte në javë; rreth 18 miliardë funte në vit. Argumenti i dalësve ishte se këto para, në vend të kontributit për BE, mund të investoheshin në gjithë sistemin shëndetësor të Mbretërisë. E vërteta ishte krejt ndryshe. Mbretëria nuk kontribuonte 18 miliardë, por 14. Nga pjesa tjetër, një shumë – rreth 6 miliardë – kthehej prapa në formë të granteve e subvencioneve për bujqësi, projekte akademike, shkencore e kulturore pa dallim. Në fund, Mbretëria e Bashkuar kontribuonte shumë më pak sesa – le të themi – Norvegjia që nuk ishte pjesë e BE-së, por se kishte tregti të lirë me BE-në. Pra, siç dhe kishte thënë më pas kryeministri italian Matteo Renzi, kontributi buxhetor ishte formë e pagesës së privilegjeve të tjera të tregtisë pa tarifa në një treg shumë më të madh. Mbretëria e Bashkuar jepte në njërën anë disa miliarda për anëtarësim, por përfitonte qindra të tjerë – nëpërmjet kompanive të veta – me eksporte e punësim.

Një fakt tjetër i shpërfaqur gjithandej me plot ironi e sarkazëm ndërlidhej me keqinformimin e shtresave të ndryshme të Britanisë. Sipas rezultateve nga “Google”, në 24 orët e para pas referendumit, fjalët më të kërkuara në Mbretëri të Bashkuar ishin “çka është BE-ja” dhe “cilat janë përfitimet nga BE-ja”. Për një pjesë të madhe të votuesve, referendumi ishte çështje jo mirë e menduar – mbi të gjitha, refleksion ndaj një popullzimi e euroskeptizmi i paalternativë. Në javën e parë pas referendumit, mbi 2 milionë shtetas britanikë kishin nënshkruar peticion për referendum të dytë.

-3-

Arsyeja e dytë, jo më pak e rëndësishme, ndërlidhej me përçarjet dhe joaktivizmin e dy partive më të mëdha. Në njërën anë, partia në pushtet – konservatore – ishte ndarë rreth dy figurave kyç. Në njërën anë rreth kryeministrit të deritanishëm Cameron që promovonte qëndrim, dhe në anën tjetër rreth ish-kryetarit të Londrës, Boris Johnson – shpejt për t’u bërë figura kyç e “Brexit”. Johnson sot pretendon kreun e partisë, ndonëse konservatorët atje kanë një thënie se “ai që mpreh shpatën nuk gëzon kurorën”. Pra, dikush që ka rrëzuar kryeministrin e partisë së tij, s’mund ta marrë vendin e tij. Për këtë, një garë e re do të ngjajë tek konservatorët – gjatësia e së cilës përcakton edhe nismën e daljes së Britanisë.

Në anën tjetër, Partia Laburiste e udhëhequr nga majtisti Jeremy Corbyn ishte treguar, për pjesën më të madhe të fushatës, si indiferente. Dhe m’u për shkak të indiferencës – kryesisht të liderit laburist – mbi 20 anëtarë të kabinetit në hije të Corbyn, ishin dorëhequr pas referendumit; e mbi 81% e deputetëve të partisë së tij kishin votuar për mocion mosbesimi këtë javë. Të njëjtët kishin argumentuar në paaftësinë e liderit të tyre opozitarë për të mbajtur qëndrim prej udhëheqësi në një çështje kaq të rëndësishme. Corbyn është në prag të mocionit të mosbesimit nga partia e tij.

Arsyeja e tretë ndërlidhej me politikat e emigracionit (përfshirë dhe atë ndaj refugjatëve) që BE-ja kishte të inkorporuar në marrëveshjet e veta. Për kampin pro daljes, miliona vende pune në Britani ziheshin nga evropianë të tjerë që punonin shumë më lirë se ata. Për më tepër, sipas tyre, fleksibiliteti i BE-së ndaj politikave të punësimit dhe potencialisht ndaj lëvizjeve të refugjatëve në të ardhmen do të rëndonte dhe më shumë tregun e punës në Mbretëri. Dalja, në percepsionin populist, ishte shpëtim.

Arsyeja e katërt, ndërsa, ndërlidhej me një fakt të rëndësishëm demografik. Sipas rezultateve të “exit-pollit” në ditën e referendumit, rreth 75% e të rinjve nën 25 vjeç dhe 58% e atyre nga 25-50 vjeç kanë votuar pro qëndrimit. Janë gjeneratat e vjetra – sidomos ata mbi 65 vjet – që kanë votuar masivisht për dalje. Pra, duket se ka një përplasje të çuditshme tek gjeneratat e vjetra me idenë e evropianizimit të BE-së. Mbi të gjitha, kishte një ndasi të qartë demografike në mes të pjesës jugore të Anglisë dhe “Midlands” – pjesës së mesme atje. Rreth 60% e londinezëve, ndër të tjera, kishin votuar për mbetje.

-4-

Pavarësisht arsyeve, rezultati i referendumit kishte prodhuar një lëvizje ekonomike tërësisht të pasigurt rreth Mbretërisë së Bashkuar. Në mëngjesin e parë pas shpalljes së rezultateve, kompanitë britanike kishin humbur rreth 77 miliardë euro në vlerë në tregun e bursave. Kjo humbje kishte arritur në plot 120 miliardë natën e parë. Më të goditura ishin bankat dhe kompanitë ndërtimore që – deri më sot – kanë humbur rreth 20% të vlerës së tyre.

Funti britanik ishte zhvlerësuar për plot 11%, duke shënuar rekordin më të ulët në 31 vjetët e fundit. Parashikimet e “Financial Times” shihnin një rënie të mëtutjeshme, duke arritur deri në 28% në fund të vitit. Zhvlerësimi, për shumëkënd, në periudhën afatmesme mund të përdorej si mundësi e mirë për rritjen e eksporteve të Britanisë; për periudhën e tanishme, ky zhvlerësim i bënte britanikët më të varfër.

Për të stabilizuar likuiditetin dhe për të parandaluar krizën e mëtutjeshme, Banka e Anglisë kishte premtuar rreth 250 miliardë funte inpute në treg përgjatë viteve në vijim. Për shumë njohës të ekonomisë atje, fati i negociatave të ardhshme në BE me Mbretëri do të përcaktojë dhe ekzistencën ose jo të një recesioni britanik.

Mbi të gjitha, divergjencat e votuese përgjatë Mbretërisë së Bashkuar, në veçanti në Skoci e Irlandë të Veriut – që kishin votuar pro mbetjes – përhapnin më shumë pasiguri. Në rast të referendumeve eventuale, të Skocisë për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar (mbi 60% e skocezëve kishin votuar pro mbetjes në BE) dhe në rastin e Irlandës Veriore për bashkim me Republikën e Irlandës (56% kishin votuar pro mbetjes) e vazhdim mbetje në BE, gjërat do të duken dhe më keq për pjesën e mbetur të Mbretërisë.

-5-

Procedurat e shkruara të Bashkimit Evropian rreth daljes së një anëtari janë të qarta. Secili anëtar që kërkon largim duhet të aktivizojë nenin 50 të Marrëveshjes së Lisbonës. Pas këtij aktivizimi, BE-ja dhe pala që kërkon daljen futen në procedura negociuese të marrëveshjeve të reja – procedura që zgjasin rreth dy vjet. Kjo periudhë negociuese mund të zgjatet dhe më shumë, po qe se të gjithë anëtarët e BE-së pajtohen me të. Pra, bëhet fjalë për negocimin e qindra marrëveshjeve tregtare të Mbretërisë me BE-në dhe arritjen në një ekuilibër të ri marrëdhëniesh.

Skenarët e ardhshëm janë nga më të ndryshmit. Ai më i shpeshti që po qarkullon në kryeqendrat evropiane parasheh një Bashkim Evropian më strikt e më të palëkundur ndaj Mbretërisë. Të shtyrë në frikë nga daljet e vendeve të tjera, zyrtarët e BE-së, të prirë nga Gjermania, Franca e Italia, do të provojnë të japin shembull me britanikët. Për këtë, jo pak herë, ministrat e financave e të punëve të jashtme të vendeve kyç evropiane kanë përsëritur se asnjë marrëveshje tjetër tregtare, përveç se ajo çfarë është negociuar më parë brenda BE-së, nuk do të ofrohet. Natyrisht se dy palët kanë interes për marrëveshje bilaterale. BE-ja sepse dërgon plot 50 miliardë euro në vit eksporte në Britani, e Britania sepse pa një treg të hapur e pa tarifa në BE nuk ka gjasa të ketë ekonomi të shëndoshë. Për këtë, dy vjetët e ardhshëm do të jenë me një mal diskutimesh mes të dyja palëve.

E nëse marrëveshjet e rinegociuara janë të njëjta me ato të mëparshmet, atëherë kampi pro daljes do të merrte një goditje përfundimtare. Pra, nëse përkundër daljes Mbretëria e Bashkuar do të duhet të ketë të njëjtat obligime ndaj BE-së, me kusht të shfrytëzimit të tregut evropian, por me më pak rol brenda BE-së, çfarë do të ishte rezoni prapa daljes?! Në fund të ditës, Mbretëria do të përfundonte me kontribut të njëjtë financiar, me politika të njëjta punësimi e me tolerancë të njëjtë imigrimi. Në të vërtetë, pavërtetësia e shtyllave kyç të kampit dalës veçse kanë nisur të shfaqen. Në mëngjesin e parë të referendumit, lideri kontrovers i “UKIP”, Nigel Farage, kishte thënë se nuk beson se 350 miliardat e kursyera nga moskontributi në BE mund të përdoren përbrenda – ani pse të njëjtën fjalë kampi i tij e kishte shkruar gjatë gjithë fushatës në autobusin promovues.

Për shumëkënd, zgjatja eventuale e negociatave për vite dhe arritja e marrëveshjes së re që nuk do të dallojë shumë me paraprakët, mund ta sjellë Britaninë në një pikë ku dhe mund të zhvillohet referendumi i ri – për të prodhuar kështu nul efekt në fund.

BE-ja në anën tjetër është prapa një udhëkryqi ridefinues. Euroskepticizmi i shpërfaqur gjithandej në Evropë, e i shpërthyer në Britani, mund të mos ndalet me kaq. Një rritje e mëtutjeshme e tij natyrisht se do të rrezikojë gjithë projektin evropian. Duke parë këtë, kancelarja gjermane Angela Merkel – fjala e së cilës në fund do të ketë më shumë rëndësi – kishte kërkuar që, në njërën anë të ruhen me qetësi marrëdhëniet me një mik si Mbretëria e Bashkuar – duke arritur në një marrëveshje të një statusi special, e në anën tjetër të provohet ridizajnimi i projektit evropian – me theks të veçantë duke ua rikujtuar evropianëve e anëtarëve rëndësinë e qëndrimit bashkë.

Për ne dhe për gjithë regjionin pa dallim, një rifokusim si ky do të thotë se – fatkeqësisht – rruga e udhëtimit evropian do të jetë shumë më e gjatë. Pra, për vitet e ardhshme, Evropa më shumë se në zgjerim do të jetë e fokusuar në konsolidim. Ky konsolidim nuk na largon, por as s’na afron. Na lë të ngurtësuar ku jemi – e s’jemi askund. Kosova ka secilin interes të mundshëm që ideja evropiane të funksionojë – pavarësisht relacioneve të reja në mes të Britanisë dhe BE-së. Fatkeqësisht ne kemi humbur një mik e përkrahës të fuqishëm në BE, por BE-ja ka në vete dhe miq e përkrahës të tjerë; e Mbretëria e Bashkuar do të mbetet mik e vend përkrahës në secilin format të ri. Por, pavarësisht rrjedhave në projektin evropian, Kosova duhet ta rimendojë perspektivën e vet. Sepse, ne nuk kemi as kohë e as llogari të presim për diçka që s’është as afër e as në rrugë të mirë. Për këtë, të gjithë energjinë për integrim në BE duhet ta kalojë në integrim në NATO. Kjo nuk na bën më pak të interesuar për një BE pa Britani, por më të mençur në ndjekjen e një projekti më të sigurt. Projekti NATO, sikurse në rastin e Shqipërisë, mund të jetë i largët gjithashtu, porse mbetet pa dyshim edhe më i mundshëm dhe më i sigurt. Në një Ballkan të sotshëm, aleanca ushtarake me SHBA, Britani e Evropë bashkë mbetet shumë më prioritare se çfarëdo aleance tjetër politike.

(Autori është drejtor i Institutit Riinvest)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme