Brucosh 2019, mirësevjen!

Prishtinë | 14 Kor 2019 | 15:21 | Nga Rrahman Paçarizi

Brucosh, ky është emri qe do ta bartësh për një vit. Është emri i një komuniteti të tërë që nis studimet. Sivjet jeni shumë më pak seç ishin viteve te shkuara, madje shumë më pak se kur unë isha brucosh (29 vjet më parë).

Dikush ju ka rralluar dhe unë e di që pakësimi juaj nuk është rezultat i ndonjë përzgjedhjeje a orientimi kah shkollat profesionale apo Zoti na ruajtë për shkak se jeni punësuar dhe doni të pushoni një vit, të vini ca para mënjanë e t’i financoni vetë studimet tuaja.

Ju jeni më pak, pasi ëndrrat tuaja e të prindërve tuaj që potencialisht mund të jenë më të rinj se unë, janë vrarë. Dikush jua ka vrarë ëndrrat, ashiqare. Poeti Milazim Krasniqi diku në vitin 1995 një poezi të veten e pati titulluar “Dalja e atdheut edhe nga ëndrrat” – tash një çerek shekulli më pas bashkëbrucoshët tuaj potencialë kanë mërguar bashkë me ëndrrat për një atdhe që u siguron të ardhme. Ata, pra, kanë ikur. Ata nuk kthehen më. Dashtë Zoti të jenë brucoshë qoftë edhe jashtë atdheut. Pastaj do t’i laudojmë e do t’i lusim të na kthehen. Kur nuk kthehen do t’i quajmë tradhtarë.

Sidoqoftë, sivjet kolegët tuaj maturantë kanë treguar rezultate më të dobëta në testin e maturës, jo se jeni më të dobët se maturantët e para një, dy a tre vitesh, por sepse sivjet testi është administruar më mirë. Domethënë, sivjet është vjedhur e kopjuar më pak. Manipulimi i rezultateve është vetëmashtrim, ndaj e mbështes ministrin e arsimit në këtë përpjekje, pasi rezultati real dhe vetëm ai është diagnostikim i gjendjes dhe mundësi për ndryshim.

Pavarësisht këtyre, ju keni të drejtë që në universitet të lypni arsim cilësor, keni te drejtë të jeni kërkues ndaj profesorëve – s’keni nevojë t’i kurseni as për moshën, as për statusin dhe as për kravatat eventuale. Profesorët paguhen për të qenë në shërbimin tuaj. Pra, profesorët shesin dije dhe jo mend. Mos ua lejoni këtë. Tekefundit vetëm profesorët e dobët do t’ju fusin brenda kornizash në të cilat ju do të ndiheni nxënës te shkollës fillore që dëgjojne ligjëratë një orë e gjysmë pa guxuar të pyesin. Profesorët e dobët kështu ia sigurojnë vetes komoditetin për të mos i përditësuar dijet e tyre. Ju jeni motorët për t’i bërë ndryshimet.

E di se jeni të dekurajuar skajshmërisht, pasi e shihni se njerëz të pashkollë e me shkollim të dyshimtë a të diskutueshëm kanë shumë para, ngasin vetura të shtrenjta, bëjnë jetë nate, janë presidentë, kryeministra, ministra, drejtorë etj. Jemi ende në tranzicion dhe ministrat e zëvendësmijistrat janë si sakëzat që ua kthejnë në shitore kur nuk kanë centë, janë kusure pra. Prandaj tash për tash mos synoni me u bë ministra, synoni me u bë mjekë, inxhinierë, ekspertë softuerësh, matematicientë, por edhe juristë, ekonomistë, linguistë, përkthyes etj. Nëse bëheni të tillë mund ta ndryshoni gjendjen.
Dhe në fund, mos mendoni se sa më pak që jemi aq më të mëdha i keni mundësitë për punësim, pasi zgjidhjet e tilla janë afatshkurtra. Ju jeni forca që mund ta bëjë ndryshimin, por ndryshimi bëhet i mundur nëse bëheni të zotë e jo vetëm “të zhdërvjellët” e të dëgjueshëm për përfitime te shpejta.

Ashtu ia mbysni vetes mundësitë për ndryshime. Të padinjitetshmit nuk bëjnë ndryshime – ata vegjetojnë. Përpiquni të kujtoni se sa politikanë të rinj njihni apo sa njerëz kanë hyrë në skenën politike në tri vitet e fundit! Aq pak janë, tepër pak. Aq pak sa ëndrrat t’i vrasin.
Përfundimet nxirrini vetë, veçse dijeni se jeni aq të rëndësishëm sa keni të drejtë vote. Kjo është një e drejtë sublime përmes të së cilës mundeni me e ndryshu vendin e me ia kthy ëndrrat.

Të ngjashme