Bujanocit i kthehet normaliteti jetik, në një abnormalitet politik!

Prishtinë | 14 Maj 2020 | 09:02 | Nga Driton Hyseni

18 vjet më parë, fryma e ndryshimeve të sistemeve politike, po i merrte para vetes shumë rajone, për t’u demokratizuar nga një komunizëm i nacionalizuar dhe i rrënjëzuar përgjatë shumë viteve.

Edhe në qytetin e Bujanocit, atë botë po jetësohej dëshira e flaktë e shqiptarëve për ta marrë atë që iu takonte. Edhe pse të ndarë në dy parti ( në krahun e luftës dhe në krahun e paqes ), dëshira për t’u bërë bashkë për qeverisje dhe gëzimi i këshilltarëve komunal vërehet edhe në foto. Të gjithë këta ishin staf për ta ngritur në detyrë kryetarin e parë shqiptar në Bujanoc.

Nuk ishte vetëm puna e një individi, ishte puna e palodhshme e shumë individëve, bile edhe e atyre që ranë heroikisht në konfliktin UÇPMB me forcat serbe, si kontributi i Ridvan Qazimit (Komandant Lleshit), i cili po të ishte gjallë sigurisht se do ta merrte titullin e kryetarit të parë, por jam i bindur se s’do ta mohonte kontributin e dhjetëra individëve të tjerë, të cilët dhanë kohën e tyre më të çmueshme, rininë, për të ardhur në atë ditë.

Viti 2002, Komunën e Bujanocit e gjeti me staf të ri dhe për herë të parë me pushtet shqiptar, e opozitë serbe. Prapë, nuk ishte merita e një individi, por e një stafi të tërë.

Pas 18 vitesh, këta që shihen në këtë fotografi, shumica prej tyre nuk do të jenë më këshilltarë komunalë, disa prej tyre, sot prehen në botën e amshuar, e disa prej tyre e kanë kryer karrierën politike.

Për 18 vjet me radhë, njeriu rritet dhe fillon të mëvetësohet, por ka prej tyre që edhe çoroditen me dëshirat e flakta prej adoleshenti.

Ç’është e vërteta, për herë të parë shqiptarët në këtë komunë nuk mund t’i gjesh më të përçarë e më të parcializuar. Së shpejti do të mbahen zgjedhjet lokale, e shqiptarët do të kandidojnë në pesë lista. Nuk mund të thuash se është pluralizëm politik, sepse edhe atëherë ishte sistemi pluralist. Por, përçarja e tyre vërehet lehtë në mohimin e drejtpërdrejtë të atyre që thërrasin për unitet.

Ky problem nuk është nga gjenerata e re politike, por nga ata të gjeneratës së “unitetit”, që nuk lëshojnë pe në drejtimin e fronteve partiake. Janë shuar idealizmat kombëtar të atyre viteve e janë shtuar ambiciet për pushtet lokal, madje duke i favorizuar edhe lokalizmat.

Nuk është çudi që mos uniteti i faktorit politik shqiptar në Bujanoc, të ndikoj që pas këtyre zgjedhjeve të ketë multietnicitet edhe në ndarjen e ekzekutivit dhe legjislativit.

Pavarësisht nga këto, zhvillimet e fundit politike në Bujanoc dhe më gjerë, do të dobësojnë forcën politike dhe elektorale shqiptare në këtë qytet, nga e cila do të përfitonte pushteti qendror në Serbi në një nga marrëveshjet e mundshme finale me Kosovën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme