Çfarë kemi bërë për të përçuar të vërtetën tonë historike përpara botës?

Prishtinë | 10 Dhj 2019 | 21:37 | Nga Ndue Ukaj

Akademia Suedeze duke laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi Peter Handken – një mbështetës të gjenocidit serb në Ballkan – ka përçmuar dhe pashtruar shqiptarët dhe jo vetëm ata. Dhe ky poshtërim e përçmim i pashembullt, duhet të na trazojë të gjithëve – ashtu siç na ka trazuar deri me tani – por njëkohësisht- duhet edhe të na ndërgjegjësojë e vetëdijesojë, që të punojmë më shumë për vetveten dhe të fitojmë respekt ndërkombëtar. Prandaj, përditë duhet të pyesim vetveten, duke dalë përballë pasqyrës së historisë:

Çfarë kemi bërë gjer me tani për të përçuar të vërtetën tonë historike përpara botës?

A dinë bota mjaftueshëm për krimet që kanë bërë serbët dhe armiqtë tjerë mbi kombin shqiptar?

(Mendoni se çfarë përpjekje të madhe bëjnë armenët për të përçuar të vërtetën e tyre në botë, kurse ne, armiqtë i djeshëm, sot i quajmë vëllezër.)

A kemi botuar libra të vlefshëm, me të cilët, të vërtetën e gjenocidit serb mbi shqiptarët e kemi përçuar në botë, si dëshmi historike, si mesazh dituror dhe artistik?

Po – nëpër biblioteka me renome ndërkombëtare, siç është ajo e Akademisë së Nobelit, ka libra që flasin për të vërteten tonë historike?

Unë dyshoj se ka pak, shumë pak!

Kam patur rastin të vizitoj biblioteka e librari të ndryshme nëpër vende të ndryshme dhe aty njeriu trishtohet me prezencën e paktë të librit tonë.

Po, njerëz, ne jemi të zotët të kritikojmë dhe mirë bëjmë që kritikojmë.

Por duhet edhe të punojmë, që të vërtetën tonë ta përjetësojmë, duke e transmetuar në botë përmes librave të ndryshëm: letrarë, kulturorë dhe historikë.

Po e përsëris, deri tani kemi bërë shumë pak, tmerrësisht pak.

Ose çdo gjë e kemi lënë nën mëshirën e disa shkretanëve të politikës, të cilët, me sharlatanizëm e kanë diskredituar pozicionin tonë përpara të tjerëve, duke ndikuar tek të tjerët që të mos ndiejnë tro respekti për ne.

Kambanat e alarmit tashmë janë duke buçitur fort dhe ne duhet t’i dëgjojmë.

Është koha që të këndellemi, të kthehemi kah vetvetja dhe të shohim ku jemi si komb në hartën e kulturës europiane?

Çfarë bëjmë për kulturën tonë?

Sa të tjerët na njohin dhe sa kanë respekt për ne?

Këtyre pyetjeve, duhet t’u përgjigjemi, me vepra dhe punë të vërteta dhe jo me llafologji.

Ne ngarendim të bëjmë buste, statuja, sheshe e çka jo tjetër nëpër rrugët dhe sheshet tona, dhe ta përdorim të kaluarën për kusure të brendshme politike, por përtej nesh kemi bërë fare pak ose aspak për ta bërë të njohur të vërtetën tonë historik, me vepra diturore dhe kulturore.

Të ngjashme