Chapeau Mjeshtër!

Prishtinë | 08 Nën 2020 | 13:52 | Nga Sonila Meço

“Do ta kujtosh në pleqëri moj vajzë këtë spektakël e nuk do të të vijë keq hiç për rrudhat e gushën e varur, por përse nuk e shijove e qeshe ca më shumë.”, e thosh dhe nuk dija si t’ja shpjegoja se më dridheshin këmbët vetëm nga ideja se do të prezantoja me të në skenë.
“Deri tek pleqëria më duket një pafundësi, unë nuk kam lidhje me spektaklin e aktrimin, po më kthehet në makth kjo punë”, i përgjigjesha duke e parë drejt në sy me shpresën se do ta kuptonte pamundësinë time dhe do të bindej t’i thosh Dritanit se nuk bëja për atë punë.

Ishte viti 2004 dhe Top Channel thyente rekorde audience me programacionin e stilit italian. Dritan Hoxha shembte tabu televizive, por edhe barrierat personale të secilit prej nesh, duke na krijuar mundësinë të notonim larg, në det të hapur deri sa të gjenim anijen e potencialit tonë. Dhe krejt papritur vendos në një skenë spektakli veror një ikonë humori, artist të jashtëzakonshëm dhe një moderatore lajmesh për të realizuar Shtojzovallet.

Aty njoha për herë të parë nga afër një vullkan talentesh, emocionesh, humori dhe krijimi, Koço Devolen. Njeri i trazuar nga dhjetra aftësitë, që natyra bujare nuk ia kish kursyer, plot vorbulla gjendjesh shpirtërore, që nxitonin për t’i bërë vend në atë motor të fuqishëm krijimi e përjetimi. Mendoja se do kisha në krah një komedian, por sapo më kish ndritur ylli i fatit për të patur mentor në skenë një ekzemplar artistik. Dhe droja ime e vërtetë nuk lidhej me kalimin e hajthshëm e të guximshëm nga studio e lajmeve nën dritat e spektaklit, por me faktin se do duhej të provoja veten përballë një gjigandi artistik.

Ma mori shpirtin me punë, kërkesa, kritika, shkundje, zbulim të kufijve të vetes, më bëri të qaj e qesh derisa më dhimbnin muskujt, më mësoi, edukoi me disiplinën artistike…teksa nuk arrija dot të perceptoja si alternoheshin në një trup të vetëm gjendje e përjetime ekstreme emocionale të një komediani, që shkulte së qeshuri një komb.

Koço qe fati im i madh, që asokohe më drodhi themelet e besimit se ke arritur në destinacion e mjafton qëndrimi në komoditetin e mbërritjes. Koço ishte fati i kujtdo i ra udha të rrugëtojë artistikisht e njerëzisht me të.

Unë sot i përulem gjenialitetit të një artisti shumë përmasor, të një shpirti të trazuar krijues, që nuk njohu shterim, mentorit, që më ndriçoi shtigje e rrugina udhëtimi profesional e shpirtëror, që as nuk do t’i kisha njohur përndryshe, i përulem babait të satirës e komedianit, që me iskrat e çmendurisë krijuese prodhoi si askush, si aktor, regjisor, skenarist, karikaturist, prezantues…
I përulem sot inteligjencës së një artisti, që humorin e shndërroi në mjetin e artë për të kuptuar filozofinë, politikën, njerëzit e një epoke…deshifruesit par excellence të një mentaliteti, që as psikologë, sociologë e antropologë nuk do ta arrinin të mbërrinte i kapshëm nga çdo nivel shoqëror.

Koço, fluturo i qetë e i paqtë në udhëtimin e shpirtit, faleminderit për gjithçka bëre e na le, duke siguruar përjetësinë edhe në tokë!
Sot do të të kujtojmë duke hapur secili nga një video tënden humori brilant dhe mos u tremb nga gjëmimi, është e qeshura masive, që veç ti mund ta shkaktosh.

Chapeau Mjeshtër!

Të ngjashme