Cimës, Roberto Benignit, refuzuesit magjistar – që ia ndryshoi realitetin një populli!

Prishtinë | 27 Mar 2021 | 15:54 | Nga Albatrit Matoshi

Një kamp përqendrimi, sepse e tillë ishte Kosova gjatë viteve të 90-ta, ku dëshpërimi kishte kapur kulmin e shpresa ngadal po i linte njerëzit, ishte një njeri që vendosi të na e fsheh të vërtetën. Si një magjistar, të cilin do të kishte lakmi edhe vetë Hudini, Cima, mrekullisht dhe pa e kuptuar askush, na mashtroi një popull të tërë, krejt njajtë sikur Guido të birin e tij te “Life is Beaufitul”, se situata nëpër të cilin po kalonim nuk ishte e vërtetë – por një lojë që do të përfundote shpejtë dhe të gjithë do të jetonim të lumtur më pas. Vërtetë ishte e rëndë, por cili do të ishte përfitimi nëse do të shtriheshim në dëshpërim e andrrat do t[ia dorëzonim kasapit?

Ai e dinte që kishte shumë arsye të ishte i mërzitur e i dorëzuar, por vendosi që përqëndrohet vetëm në gjërat të cilat e bëjnë jetën të bukur. Kur buzëqeshë, njeriu shkëputet nga realiteti dhe kalon nëpër një dritare magjike që e dërgon nëpër andrrat që njani projekton për veten. Kaq donte ai. Cima e ndjente se situata ishte kalimtare dhe se dikush dhe dikur do të bëhej shkak që ne do të jetonim në një situatë ku lumturia të mos ishte më krim. Askush nuk do të dënohej, vritej a përndiqej, vetëm se do të manifestonte një ndenjë gëzimi – Qoftë ajo martesa e një djali a vajze, qoftë lindja e një fëmije, apo edhe marrja e një letre prej mërgimi. Prandaj, kur ajo ditë të vinte, liria pra, Cima e dinte se ne duhej të ishim gati.

Prandaj, Cima përdori secilën armë që Zoti ia kishte falë me e ba tjetrin me qeshë. Me mbajtë gjallë, de. E niste me fjalë e batuta, vazhdonte me fjali të pakuptimta nëpër gjuhë të ndryshme të botës, e kur as ato nuk bënin punë, Cima nuk dorëzohej në misionin e tij, dhe – përdori mimikat e gjymtyrët për ta bërë edhe më të përvujaturin që të gëzojë nji sekond lumturie. Me e ndje një frymë se si Liria shijohej. Liria erdhi, Cimë. TI FITOVE. Ia dole. E kapërceve një popull përmes arkës tane të humorit nëpër lumin e pabesisë edhe e solle në dritë. Na mashtrove Cimë, po falë të qoftë.

Sot, kur po të jepim lamtumirën e fundit, Cimë, e di që akoma jemi të pavetdijshëm për rëndësinë që ti kishe dikur në inspirimin e këtij populli, e tëra që mund të themi është: Faleminderit. Jeta nuk do të ishte e bukur pa ty, e sot e bukur është sepse ti na ndihmove ta shohim të tillë.

Mos na harro, mjeshtër!

Të ngjashme