Çka humb e çka fiton Kosova me shkëmbim të territorit me Serbinë?

Prishtinë | 02 Mar 2017 | 09:13 | Nga Sami Behrami

Kohëve të fundit, në opinionin kosovar përsëri është aktualizuar çështja e shkëmbimit të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë respektivisht Kosovën Veriore me Luginën e Preshevës.

Shoqëria kosovare, si për shumë çështje tjera edhe në rastin e idesë për shkëmbim territoresh me Serbinë, është ndarë në dysh: në ata që janë pro dhe ata që janë kundër shkëmbimit të territoreve. Opinione rreth shkëmbimit të territorit kanë ardhur që nga “barinjtë’ e deri te “akademiket” që në shumicën e rasteve janë të mbështetura në sentimentalizëm dhe patriotizëm banal pa marr as mundin më të vogël për analizë të pasojave të këtij veprimi.

Që nga fillimi i dialogut Kosovë- Serbi (që ende nuk po i dihet fundi), nuk janë të pakët zërat të cilët shprehen ne dobi të shkëmbimit të territorit ne mes Kosovës dhe Serbinë, respektivisht Kosovën Veriore me Luginën e Preshevës. Ide nga me të ndryshmet janë hedhur në ”pazar” në shumicën e rasteve, për të mos thënë as një herë me analiza rreth humbjeve dhe përfitimeve që sjell ky shkëmbim territoresh.
Në opinionin e gjerë shpeshherë krijohen keqkuptime (edhe nga disa politikanë të rangjeve të larta) se Lugina e Preshevës ka qenë pjesë e Kosovës, madje deri në vitet e ’50 të shekullit XX, çka nuk ka të bëjë asgjë me realitetit, sepse Lugina e Preshevës jashtë territorit të Kosovës (kufijve të sotëm) ka mbetur që nga pushtimi i Kosovës nga Serbia.

Për të treguar se çka humb e çka fiton Kosova me shkëmbim të territoreve, në këtë shkrim do të trajtohen (sipërfaqësisht) tri komponentë që janë: territori, popullsia dhe pasuritë natyrore të të dy tërësive – Kosovës Veriore dhe Luginës së Preshevës.

1. Territori

Sa i përket shtrirjes territoriale, Kosova Veriore përfshin gjithsejtë 996 kilometra në katrorë (komunat Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan), ndërsa Lugina e Preshevës 1249 kilometra në katrorë (komuna Preshevë, Bujanovc dhe Medvegj), me çka në aspektin territorial Kosova do të përfiton 253 kilometra në katrorë. Por, shtrohet pyetja se a mund të hyjë në shkëmbim komuna e Medvegjës në të cilën popullsia shqiptare përbën rreth 20 për qind të popullsisë se kësaj komune. Ne rast se nga kombinimi i shkëmbimit të territorit largohet Komuna e Medvegjës (që ka shumë mundësi edhe të ndodh për shkak të pjesëmarrjes së vogël të shqiptarëve), atëherë në opsionin me Preshevën dhe Bujanovcin, Kosova humb 300 kilometra në katrorë. Po të ndiqen vijat etnike sipas vendbanimeve në komuna, Kosova do të humbasë edhe më tepër në këtë shkëmbim të territoresh.
Humbja bëhet edhe më e madhe me faktin se, sipas të gjitha gjasave, në kuadër të shkëmbimeve mund të futet edhe Mitrovica Veriore e formuar si Komunë me Pakon e Ahtisarit dhe e spastruar nga shqiptaret në vitin 2004, që përfshin një sipërfaqe prej 5.4 kilometra në katrorë e cila po bën përpjekje për zgjerim me futjen në kuadër të saj edhe të fshatit tjera, siç janë: Vinarci i Ulët dhe i Epërmi, Gushafci, Vidimriqi, Suhodoll i Epërm dhe i Ulëti (të banuar vetëm me shqiptarë, përjashto këtu Suhodollin e Epërm ), duke krijuar homogjenitet dhe zgjerim territorial.

2. Popullsia

Sipas vlerësimeve të vitit 2011, tri komunat e Kosovës Veriore kanë rreth 35 mijë banor, ndërsa Lugina e Preshevës 85 mijë banorë. Në këtë aspekt Kosova përfiton numër më të madh të banorëve, zonë me dendësi më të madhe dhe strukturë me të re të popullsisë për të cilat Kosova si tërësi është e njohur edhe me përmasa evropiane.

Struktura nacionale, si kriter i cili do të përdorej për shkëmbim të territorit, është shumë i pafavorshëm për Kosovën pasi struktura nacionale e tri komunave të Kosovës është shumë më homogjene – si në aspektin popullativ, ashtu edhe në atë territorial – krahasuar me tri komunat e Luginës se Preshevës. Komuna e Leposaviqit ka 90 për qind, Zubin Potoku 75 për qind dhe Zveçani 80 për qind të popullsisë serbe, ndërsa tri komunat e Luginës së Preshevës kanë: Presheva 90 për qind, Bujanovci 60 për qind dhe Medvegja 20 për qind të popullsisë shqiptare. Sa i përket vendbanimeve, për derisa ne tri komunat e Kosovës veriore vetëm shatë ose katër për qind nga numri i përgjithshëm i vendbanimeve janë shqiptare, në tri komunat e luginës së Preshevës serbët shtrihen në 87 ose 63 për qind të vendbanimeve, çka e bën edhe më të disfavorshem shkëmbimin e territoreve duke ndjekur vijat etnike sipas vendbanimeve.

3. Pasuritë natyrore

interesimi i Serbisë për shkëmbim territoresh nuk vjen nga interesi i saj për popullsinë serbe që jeton në veri të Kosovës, por pikërisht për faktin e pasurive të mëdha natyrore me të cilat disponon rajoni. Kosova Veriore (Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani ) disponon me rezerva të mëdha të plumbit dhe zinkut. Fusha xeherore e Kopaonikut disponon me rezerva rreth 6.5 milionë tonë të cilat karakterizohen me përqindje të lartë të pjesëmarrës së plumbit, zinkut, arit e veçanërisht të argjendit. Gjithashtu, tri komunat disponojnë edhe me rezerva të: asbestit, tufitit, mergelëve, gëlqerorëve etj.

Lugina e Preshevës disponon me pasuri të cilat në masën më të madhe janë eksploatuar, siç është kromi i cili është shfrytëzuar deri në vitet e ’60 të shekullit të kaluar, antimoni deri në vitet ’50, ndërsa rezervat e manganit dhe bakrit janë të pamjaftueshme për shfrytëzim. Aktualisht shfrytëzohet kuarci dhe gëlqerorët, ndërsa vendburimet e mineraleve janë të braktisura. Të dy tersit karakterizohen me ujëra termominerale të cilat gjithashtu mund të llogariten si pasuri natyrore.

Kosova do të jetë humbësja më e madhe me rast të shkëmbimit të territoreve pikërisht për faktin e pasurive natyrore. Bazuar në hulumtimet e gjertanishme gjeologjike të të dy rajoneve mundë të konstatohet se Kosova Veriore disponon me pasuri shumë më të mëdha natyrore se sa Lugina e Preshevës.

Megjithatë, humbja më e madhe për Kosovën me shkëmbim të territoreve do të jetë sa i përket ujit si pasuri natyrore. Kosova me 1600 metra kube ujë për kok banori, hyn në radhën e vendeve me mungesë të ujit. Liqeni i Gazivodës (10.9 kilometra në katrorë dhe me 39 milion metra kube ujë) me këtë shkëmbim të territorit do të mbetej në Serbi me çka do të rrezikohej ekzistenca e popullsisë dhe ekonomisë së Kosovës, meqë nga ky akumulacion me ujë furnizohen popullsia e Mitrovicës, Vushtrrisë, Skenderajt etj. ndërsa shihet edhe si alternativ për furnizim me ujë edhe të pjesëve të tjera të Rrafshit të Kosovës që për momentin me ujë furnizohen nga akumulacioni i Badovcit. Gjithashtu është edhe alternativë për mbushje (furnizim) me ujë të këtij të fundit, pasi në periudhat e thata sasia e ujit dhe furnizimi i një pjese të Prishtinës me ujë të pijes mund të vihet në pikëpyetje siç ishte rasti i vitit 2014.

Në aspekt ekonomik, gjigantet më të madhej kosovarë (Trepça, Korporata Elektroenrgjetike e Kosovës, Ferronikeli etj.), furnizohen gjithashtu me ujë nga i njëjti akumulacion, pa të cilin as që mund të paramendohet funksionalizimi dhe ekzistenca e tyre. Gjithashtu nga liqeni i Gazivodës ujiten gati i tërë rrafshi i Kosovës dhe Drenicës, prandaj edhe bujqësia do të vihet ne pikëpyetje me këtë rast. Fakti bëhet edhe ma tragjik kur dihet se edhe Liqeni i Badovcit në pjesën më të madhe ndodhet nën administrim të komunës së Graqanicës.

Ne bazë të asaj që u elaborua më lart mund të konstatohet se Kosova përveçse do të humbasë territor dhe pasuri të mëdha natyrore, me shkëmbim të territoreve do ta rrezikojë popullsinë dhe mirëqenien ekonomike të Kosovës, jo vetëm për momentin, por edhe për periudhë afatgjate, ndërsa do të rriste rendësinë e pozitës gjeografike – për faktin se Lugina e Preshevës ndodhet më afër Korridorit 10. Megjithatë, përderisa Kosova humb territor, pasuri të mëdha natyrore dhe rrezikon stabilitetin e përgjithshëm, përfitimet janë të arritshme për arsye se ndërtimi i magjistrales së luginës së Ibrit do të ndikonte në rritjen e peshës së regjionit edhe lidhje me Korridorin 10.

Fatbardhësisht (për momentin), një ide e tillë nuk gëzon mbështetje e politikës amerikane e as evropiane, nga frika e mundësisë së destabilizimit të shumë vendeve të rajonit – në radhë të parë të Maqedonisë. Pra, kjo ide ka pak gjasa të ndodhë, pasi që partneret ndërkombëtarë e shohin si ide të rrezikshme.

Përkrahësit e idesë së shkëmbimit të territoreve në Kosovë, siç duket nuk kanë analizuar humbjet dhe përfitimet nga shkëmbimi i territoreve, duke u thirrur vetëm në stabilitetin politik i cili në rast të shteteve të mirëfillta (shteti ligjor) demokratike është lehtë i arritshëm. Përkundrazi, qarqet serbe jo vetëm gjatë bisedimeve të fundit por edhe më herët, posaçërisht pas viteve të ‘80 të shekullit të kaluar kanë llogaritur (institucionet me të larta shkencore) përfitimet nga ky shkëmbim ose edhe opsionet e mëhershme të ndarjes së Kosovës.

Në fund, marrëveshjet Kosovë-Serbi (edhe pse e dëmshme për Kosovën), sado që të jenë të dëmshme nuk mund të jetë më e dëmshme sesa shkëmbimi i territoreve me të cilin proces Kosova jo vetëm që do të ketë humbje të territorit, pasurive natyrore dhe stabilitetin politik, por do të rrezikonte popullsinë dhe perspektiven ekonomike në periudhë afatgjate, me çka problemi do të bartej nga problemi me Serbin në problem të brendshëm.

Prandaj, vetvetiu lind pyetja logjike: a ja vlen rrezikimi i qenies kombëtare (popullsisë dhe perspektivës ekonomike) për stabilitet politik (i cili me këtë rast nuk është i sigurt) i cili në rastin e funksionimit të shtetit të mirëfillte ligjor është i garantuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme