Covid-19 dhe ndikimi i tij nё sigurinë njerëzore nё Kosovё

Prishtinë | 20 Nën 2020 | 14:27 | Nga Skënder Perteshi

(Editorial për Sallonin e organizuar nga D4D më datën 17 nëntor 2020)

Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 ka goditur rëndë Kosovën. Deri më tani, Kosova ka shënuar mbi 870 të vdekur dhe mbi 32,000 të infektuar në total. Trendi i ditëve të fundit ka vazhduar të jetë shqetësues dhe rritja e rasteve ka hedhë në pah se Kosova nuk është e gatshme të ballafaqohet më këtë pandemi. Shteti ynë nuk ka ndërtuar kapacitete minimale për t’u përballur me kërcënimet dhe rreziqet që shkaktohen nga katastrofat natyrore, epidemitë apo kërcënimet tjera që po cenojnë sigurinë e përgjithshme njerëzore.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, siguria në vend është menduar në kuptimin e ngushtë dhe tradicional të saj. Debati për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë për vite me radhë është orientuar te ngritja dhe forcimi i kapaciteteve të Policisë së Kosovës, FSK-së dhe AKI-së, duke neglizhuar mekanizmat tjerë institucional. Nuk i është kushtuar rëndësi e veçantë aspektit të sigurisë njerëzore si dhe përgatitjes së vendit për t’u përballur me emergjenca e pandemi.

Ballafaqimi ynë i improvizuar me pandeminë ka identifikuar dobësitë institucionale dhe kapacitetet e Kosovës për t’u ballafaquar me rreziqet që i kanosen qytetarëve të saj. COVID-19 ishte tregues i madh se Kosovës nuk i mungojnë kapacitetet njerëzore për t’u përballur me pandeminë apo sëmundjet e tjera, mirëpo, i mungon një sistem kualitativ shëndetësor e shtetëror dhe koordinim institucional për t’u përballur me kriza shëndetësore të kësaj natyre.

Mungesa e sistemit të tillë është rezultat i mos investimeve adekuate shtetërore në sistemin shëndetësor publik. Kjo ka ndikuar që vendi të ketë një sistem dhe infrastrukturë shëndetësore të brishtë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rrezikimin e jetës së qytetarëve.

Se mbrojtja e jetës së qytetarëve ishte në plan të dytë u dëshmua edhe në fillim të pandemisë. Kosova ishte ndër vendet e rralla në botë ku qeveria u rrëzua në kohë pandemie. Pra, kur institucionet në të gjitha vendet u bashkuan dhe bashkërenduan aktivitetet dhe përpjekjet e tyre për t’u përballur me virusin e panjohur, në Kosovë përplasjet politike dhe inatet personale triumfuan në dëm të qytetarëve. Më shumë është diskutuar ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e vendimeve shtetërore për të parandaluar pandeminë, sesa roli që ato vendime kishin në mbrojtjen e jetës së qytetarëve të vendit. Për më shumë se katër muaj u vonua votimi i ligjit anti-COVID-19, mungesa e të cilit kufizonte mandatin e institucioneve ligj-zbatuese në Kosovë për implementimin e masava shtetërore kundër pandemisë. Edhe miratimi i ligjit për rimëkëmbjen ekonomike është po përballet me probleme të njëjta. Nuk po sigurohen votat e mjaftueshme në Kuvend për të finalizuar dhe aprovuar këtë ligj, që do të ishte ndihmesë e madhe për sektorin privat i cili është goditur rëndë nga pandemia.

Vend të rëndësishëm në diskutim pati ndikimi i pandemisë në sigurinë njerëzore. U theksua masat shtetërore për të parandaluar pandeminë, ndikuan në cenimin e disa prej të drejtave dhe lirive bazike të njeriut, si kufizimi i lirisë së lëvizjes. U theksua se ekziston një rrezik që në emër të pandemisë, institucionet shtetërore mund të marrin vendime të cilat cenojnë të drejtat e njeriut apo edhe rrisin kontrollin politik apo ndikimin e tij ndaj medieve.

Koncentrimi i kapaciteteve kryesore të policisë dhe institucioneve tjera të sigurisë në menaxhimin e pandemisë kishte ndikuar në rritjen e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës ndaj gruas si pasojë e pandemisë. Krahasuar me vitin 2019, dhuna në familje në vitin 2020 është rritur për rreth 30%. Poashtu, trajtimi i këtyre rasteve është bërë më ngadalë për shkak të kapaciteteve të kufizuara institucionale në Kosovë.

Pandemia ka goditur rëndë ekonominë e Kosovës si dhe ka rritur pasigurinë ekonomike të qytetarëve, njëherësh ndër faktorët kryesorë të sigurisë njerëzore. Raportet nga Administrata Tatimore e Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës dhe Doganat e Kosovës tregojnë se në vitin 2021 Kosova pritet të ketë rreth 350 milion euro me pak të hyra në buxhetin e shtetit. Kjo do të reflektoj në rënien e rritjes ekonomike në Kosovë, tashmë tkurrje e paraparë deri në 7%. Për më shumë do të ketë ulje të shpenzimeve publike të Qeverisë së Kosovës, dhe më pak të hyra për operatorët ekonomik privat, për faktin se një numër i madh i tyre varen nga investimet publike.

Pandemia ka ndikuar në rritjen e shkallës së papunësisë, tashmë dramatike, në Kosovë. Rreth 60-90 mijë qytetarët kanë humbur vendet e tyre të punës në vitin 2020. Raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020 tregojnë se këtë vit kishte 192.000 kërkesa për punësim, krahasuar me vitin 2019 kur kishte rreth 100,0000 kërkesa për punësim. Pra krahasuar me vitin, kemi dyfishim të rritjes së kërkesës për punë në vitin 2020. Rënie e madhe ekonomike ka ndikuar në rritjen e pasigurisë së qytetarëve në Kosovë dhe pasojat e kësaj tragjedie ende nuk i kemi krejt të qarta.

Gjatë diskutimit, rrezik është vlerësuar të jetë edhe përqindja e lartë e qytetarëve të cilët besojnë se nuk ekziston virusi COVID-19, dhe se kjo është shpikje e politikës, apo një konspiracion global. Në anketën e realizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në Tetor të vitit 2020, 38% e qytetarëve të anketuar nuk besojnë se virusi korona ekziston në të vërtetë. Kjo ka ndikuar që qytetarët të mos kujdesen dhe të mos i zbatojnë rekomandimet e IKSHKP dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Edhe komunikimi jo adekuat i përfaqësuesve politik me qytetarët rreth menaxhimit të pandemisë kishin sfiduar zbatimin e vendimeve të IKSHKP dhe MSH për parandalimin e pandemisë.

Pandemitë dhe katastrofat natyrore do të vazhdojnë të jenë rrezik për vendin edhe në të ardhmen. Kosova duhet të ndryshoj qasjen ndaj zhvillimit të sektorit të sigurisë në vend. Prioritet duhet të jetë ndërtimi i një sektori të sigurisë që është i aftë të reagoj ndaj katastrofave natyrore dhe pandemive të ndryshme në të ardhmen.

Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Për shkak të situatës së ballafaqimit me pandeminë, vetëm panelistët dhe moderatori/ja janë pjesëmarrës fizikisht në Dit’ e Nat’, ndërkaq Salloni është transmetuar direkt në rrjete sociale nga ku edhe janë kyçur të interesuarit/at.

(Ky sallon është mbështetur nga Friedrich-Ebert-Stiftung)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme