Dalja nga rruga një kahore e politikës

Prishtinë | 14 Tet 2018 | 11:25 | Nga Bahri Bivolaku

Të thuash se në Kosovë shërbimet dhe nderet janë më të rëndësishme sesa zbatimi i rregullave të ligjit nuk ke thënë diçka të re e të jashtëzakonshme, pasi ajo dallon nga sjelljet rajonale. Se në çfarë mase janë të shtrira ato është e vështirë t’i parashikosh, porse që nuk ekzistojnë asnjëherë nuk mund të konkludosh. Është vështirë të pohosh për ekzistencën e kleptokracisë, sa e vështirë është ti mohosh elementet e saja. Shoqëria në Kosovë po mbytet në debatin për ose kundër asaj pa ofruar rrugët për të arritur tek standardi i kërkuar që është baza e demokracisë, sundimi i ligjit. Situatë të rëndë në këtë segment padyshim që paraqitet atëherë kur humbet besimi në sistemin gjyqësor e si duket shenjat e para vërehen. Jetën politike nuk e ngritin në cilësi zëvendësimet, por mënyra e të bërit politikë, mënyra e organizimit dhe e funksionimit të një partie. Është e vërtetë që privilegjet e disave në politikë (në dy nivelet) kanë qenë tepër të mëdha, por se tendenca që ato të mirën e shfrytëzohen nga individ a grupime tjera (e jo të lihen) nuk paraqet risi. Nuk dua që vargu i të zhgënjyerve të rritet.

Lëkundjet elektorale apo ikja nga vota e kauzës

“Mik të ri gjen kudo, të vjetrin mos e harro” thotë një fjalë e urtë popullore. Thënia e tillë më së miri tregon për zhvillimet dhe qëndrueshmërinë elektorale të partive politike në Kosovë. LDK-ja e ka të njohur se çdo të thotë kur elektorati i saj i dalë nga vota e kauzës lëkundet. PDK-ja ka arritur ta ruaj embrionin e votës së qëllimit nga anëtarësia, të grupuar menjëherë pas krijimit të saj. Viteve të fundit vërehet një zbehje apo fillim i rënies në gjumë i këtij elektorati dhe gjithsesi reflektimi do të jetë tejet i madh dhe negativ nëse nuk ndërmerren masa në procesin e saj zgjedhor në atë masë sa ky elektorat të ndjehet i përfaqësuar(mungon tani) VV-ja do të ketë lëkundje elektorale pasi dhe ajo ka dal nga identiteti i saj, veçanërisht kohën e fundit.

Vullneti politik i dëgjimit për t’u kuptuar

Kur flet pozita, mungon dëgjimi për tu kuptuar nga opozita. Kur flet opozita , nuk dëgjohet nga pozita me synim për ta kuptuar dhe nuk e kam të qartë se cili është “shpërblimi për vendin” nga ky pozicion. Në këtë mes ka krizë të arsyes. Mungesa e dëgjimit për t’u kuptuar, si duket është produkt i një zemërimi të mëhershëm dhe se tejkalimi i tij po duket të jetë i vështirë. Të bërit politikë veshur me petkun e zemërimit, është e pamundur dhe të tillët në mendje do të jenë të robëruar, apo jo të lirë. Zemërimi e vajtimi nuk janë virtyte në politikë. Janë më shumë tipare të fëmijës të sëmurë, i cili vazhdimisht qanë dhe përmes të qarit kërkon diçka për të realizuar. Mendoj që aktualisht politika në Kosovë, e udhëhequr nga zemërimi, i ngjason këtij fëmije të sëmurë, e i cili edhe kur shërohet vazhdon të qaj e përmes të qarit vazhdon të kërkoj, e kërkoj.

Zgjedhjet në PDK

Balancimi në përfaqësim të kësaj partie i tri shtyllave kryesore të saja do të jetë evident në këtë proces zgjedhor, pasi konsideroj që stërkeqa vie pikërisht nga debalanci i tyre. Mbizotërimi i njërës nga këto shtylla mbi të tjerat, veçanërisht mbi të parën, të cilën e përbënë anëtarësia e dalur si fryt i veprimtarëve për lirinë e vendit dhe devotshmërisë për t’i shërbyer atij me nder, e stërkeqëson punën e partisë. Në Kosovë ka nevojë për ide politike rregullative e jo konfliktuale, njerëzit kanë nevojë të afrohen rreth tyre. Është koha që Kosova të ndryshojë që nga politika, media, shoqëria civile për të dhënë shembullin së pari para qytetarëve tanë e pastaj të tjerëve se me të vërtetë ja duam rritën Kosovës dhe nuk e lëndojmë atë nga inatet personale. Dikush mbase do e fillojë kursin e tillë. Të shpresojmë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme