Dëmet nga fake news

Prishtinë | 21 Kor 2019 | 20:29 | Nga Denisa Daka

Kudo rrotull nesh gjen dashakeqës, njerëz të frustruar, ziliqarë, të paplotësuar, të rritur keq, përveçse, me prindër toksikë në shumë raste, narcistë, të tjerë me devijacione të forta psikike, të cilët nuk dinë e nuk njohin ç’është lidhja, respekti, korrektesa, dashuria për sho-shoqin, ruajtja e kufijve a privatësia e tjetrit, ku mbaron gardhi i tyre e ku nis i tjetrit përveçse,…

Me këtë format të përçudnuar i sheh të flasin e bëjnë keq paprerë, duke sajuar, shpifur e ulur figurën e njerëzve të realizuar kryesisht, me çdo kusht.

Ndërsa e gjitha kjo është kthyer në ushqim për shpirtrat e mendjet e tyre të varfra, duke i mbushur boshllëkun, hendekun e kotësinë me të cilën jetojnë e ushqehen ditë pas dite.

E gjitha kjo ndodh rëndom në shoqërinë tonë, në media përveçse.

Këta fatkeqë të pashpresë, të cilët meritojnë të gjithë përbuzjen tonë si qenie pa vlerë, më kujtuan sot një dialog që Sokrati, filozofi i madh i Greqisë së lashtë pati me një një të njohurin e tij…

Ky burrë pasi e takon Sokratin i thotë:

“E di se ça kam dëgjuar për shokun tënd?”

“Prit një minutë”, iu përgjigj Sokrati. “Përpara se të më thuash diçka për të, dua të kalosh një test të shkurtër me 3 filtra.

“Filtri i parë është vërtetësia. A je i sigurtë se ajo që do të më thuash rreth shokut tim është e vërtetë?” “Jo”, tha burri. “Kështu kam dëgjuar dhe…”. “Mirë”, tha Sokrati. “Pra ti nuk e di nëse është e vërtetë apo jo?!”

Tani le të provojmë filtrin e dytë. A është ajo që do të më thuash diçka e mirë?”

“Jo, përkundrazi”, iu përgjigj burri. “Pra, ti do të më tregosh diçka të keqe për të, ndërsa nuk je i sigurtë që është e vërtetë”, vijoi Sokrati.

“Ke akoma një mundësi për të kaluar testin e tretë, sepse ka mbetur dhe një filtër i fundit, filtri i dobishmërisë. “A është e dobishme për mua ajo që do të më tregosh rreth shokut tim?” “Jo në fakt, iu përgjigj burri.

“Epo nëse ajo që do të më thuash nuk është as e vërtetë, as e mirë dhe as e dobishme, për çfarë duhet të ma thuash?”, përfundoi Sokrati.

Kjo sentencë e vyer i jep përgjigje paskësaj qasjes së këtyre dashakeqësve rast pas rasti.

Sikur njerëzit e vegjël e dashakeqës të mund të ndaleshin një çast e të mendonin përpara se të flisnin, shpifnin apo sulmonin, duke u bërë koshientë për kotësinë e dëmin që i sjellin secilit prej nesh paskësaj, kjo shoqëri nuk do të ish kaq e trazuar dhe e zymtë. (Revista Psikologji)

Të ngjashme