Dialogu jolegjitim me Serbinë

Prishtinë | 02 Gus 2020 | 11:44 | Nga Taulant Kryeziu

“Koordinatori” Shtetëror për Dialog, Skender Hyseni nuk mund ta përfaqësoj Kosovën askund sepse nuk ka mandat as kushtetues dhe as mandat politik.

Në aspekt kushtetues vetëm Qeveria, përkatësisht kryeministri mund të udhëheqë dialogun me Serbinë por brenda parametrave kushtetues, që ankorohen në përcaktimet e vendimit të GJYKATËS KUSHTETUESE për dialogun si dhe në rezolutat e Kuvendit të Kosovës me të cilat qartë janë vënë limitet organizative, të personelit dhe ato financiare për çdo dialog me Serbinë. Kryeministri aktual nuk ka asnjë legjitimitet politik, por as legalitet kushtetues për të dialoguar e aq më pak për të deleguar diçka të tillë te personat tjerë. Këtë gjë mund ta bëjë vetëm një qeveri që del nga vullneti i qytetarëve, nga kutia e votimit e jo nga pazari i humbësve.

Në këtë kuptim, Hyseni është duke vepruar ilegalisht dhe kokë më vete. Në aspektin politik, po ashtu ai nuk ka mandat sepse Qeveria nuk ia ka bartur atij asnjë kompetencë për dialogim. Nuk ka vendim të Qeverisë (kryeministri nuk mund të merr një vendim të tillë dhe për pasojë, të bartë diçka që as vet nuk e posedon), edhe po të kishte vendim qeverie, ai do të duhej të ishte i dhënë sipas autorizimit të një vendimi tjetër të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës.

Kështu, siç po veprohet është tërësisht antikushtetuese dhe cënon sovranitetin dhe pavarësinë kushtetuese të vendit, sigurinë juridike të qytetarëve dhe të drejtat e tyre themelore zgjedhore.

Është e pakuptimtë që të mendohet se një qeveri e një koalicioni të humbësve
që nuk përfaqësojnë vullnetin e qytatarëve të Kosovës, të merr mbi vete një detyrim ndërkombëtar për një çështje që është shumë me rëndësi, që ka të bëjë me sovranitet nacional dhe integritet territorial. Ajo që po bëhet sot nuk ka asnjë bazë kushtetuese.

Pra, pak a shumë Serbia me këtë qeveri po e rikthen vetën si përcaktuese apo definuese të shtetësisë së Kosovës sepse po dialogon me njerëz të zhveshur nga çdo legjitimitet kushtetues dhe politik.

Të ngjashme