Dialogu tashmë ka nisur, mosuniteti në Qeverinë Kurti e faktorizon presidentin Thaçin

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 15:19 | Nga Faton Abdullahu

Bazuar në takimet e deritashme të Presidentit Thaçi, sidomos atë me Presidentin serb Vuçiq në SHBA, bazuar në Konferencën e tij për shtyp ditë më parë, por edhe në takimet e paralajmëruara për sot, mund të konstatohet se dialogu Kosovë – Serbi jo vetëm që ka filluar, por në një mënyrë është në proces e sipër.

Kjo nënkupton:
1) Qeveria e Kosovës ka hezitim deri në paranojë politike të hy në dialog me Serbinë, prandaj mbetet mbrapa në këtë proces. Mirëpo këtë qasje aktualisht ajo po e preferon.

2) Qeveria e Kosovës nuk është unike mbi dialogun. Për më shumë është e përçarë në disa drejtime. LDK është e përçarë si parti rreth dialogut, por edhe raportit me LV-n dhe kjo determinon edhe përçarjen e Qeverisë.

3) Prolongimi i dialogut me Serbinë është emri i përbashkët i politikës aktuale qeverisëse të cilën e përbëjnë LV-LDK dhe e përkrahin në forma të ndryshme, por pa qenë të sinqerta në këtë drejtim me qytetarët e Kosovës.

4) Po të ishte Qeveria unike do të duhej të takoheshin vazhdimisht Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Kurti për të koordinuar shumë gjëra që kanë të bëjnë me dialogun.

5) Mosuniteti në Qeverinë Kurti e faktorizon Presidentin Thaçin duke e kthyer atë edhe një herë në faktorin kryesor në dialogun me Serbinë.

6) Hezitimi i Qeverisë Kurti dhe përpjekja për ta prolonguar dialogun tash e tutje do të shoqërohet edhe më shumë me sulme të sinkronizuara nga më të ndryshme, sidomos kundër ‘planeve të Thaçit për ta shitur Kosovën’.

7) Hezitimi i Qeverisë Kurti dhe përpjekja për ta prolonguar dialogun do ta shtoj sulmin dhe rris paranojën politike ndër ne, kundër Administratës Trump, me arsyetime e vlerësime në stilin ‘ajo duke u ngutur për interesa të veta do t’i dëmtoj interesat e Kosovës’.

8) Shumë nga këto taktizime dhe strategji (LV – LDK) janë determitë logjike e mungesës së sinqeritetit politik të cilën e kanë shpalosur dhe praktikuar këto dy subjekte gjatë dhe pas fushatës duke u munduar me çdo kusht ta anashkalojnë çështjen e dialogut. Ky ka qenë mashtrim politik ndaj qytetarit dhe sidomos votuesit të tyre, që tani mund të ja sheh sherrin krejt Kosova.

9) Thënë përmbledhtazi në Kosovë askush nuk është unik sa e si duhet me askënd në përballjen me Serbinë e disa janë shumë të përçarë. Mirëpo i përçarë nuk është Uashingtoni. E kështu si ne nuk është e përçarë as Serbia.

Të ngjashme