Drama e vogël e regjisorit të madh

Prishtinë | 10 Mar 2017 | 22:49 | Nga

Hashim Thaçi, po të mos kishte hyrë në politikë, ka mundur të jetë një regjisor i mirë, së paku në përmasa lokale. Mund të thuhet se do të ishte një Alfred Hitchcock kosovar. Loja e fundit i jep mbështetje këtij pohimi.

Natyrisht, ajo ka arsye krejtësisht tjera nga ato që thuhen me zë, e të cilat në fakt kanë të bëjnë me padurimin e z. Thaçi të rikthehet në lojën e madhe.

Dramatika me të cilën e shtroi z. Thaçi çështjen e ‘ndryshimit të misionit të FSK-së’ përmes një dekretligji të cilin e dërgoi në Parlament, shpjegohet me nevojën e tij për të dalë përsëri në krye të procesit të negociatave me Serbinë dhe për të shtyrë në defansivë z. Mustafa dhe z.Veseli të cilët e kanë marrë përkrahjen ndërkombëtare duke e nxjerrë atë në aut, me të cilën pozitë z. Thaçi nuk është mësuar dhe prej ku nuk i mbron dot interesat biznesore që qëndrojnë prapa tij.

Z. Thaçi është i njohur si një zgjidhës i suksesshëm i problemeve të cilat i ka krijuar vet. Kështu duke krijuar një problem të ri, atë të Ushtrisë, në fakt duke e bërë emergjent, një problem që ishte latent, ai po përpiqet që të vë në pozitë të pamundur dy rivalët e tij kryesorë për të marrë sërish udhëheqjen me proceset e domosdoshme të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, procesin e dekriminalizimit, dhe atyre euro-atlantike.

Pataten e nxehtë, të cilën ka llogaritur se ua la në dorë kryeparlamentarit dhe kryeministrit, ata duke e shëtitur prej dore në dorë do e ftohin sërish, duke e sjell atë gjendje të cilën po e kërkon NATO dhe SHBA.

Deklaratat e forta të z. Thaçi shprehin pafuqinë e tij për të rikthyer ndikimin qoftë në ish-partinë e tij, qoftë në partnerin e koalicionit.

Natyrisht, Ushtria do të bëhet, sepse askush pafundësisht nuk do e mbrojë Kosovën as nuk do të heq shpenzimet për këtë, por duket se nuk do të rrjedhë me dinamikën dhe mënyrën si e propozon z. Thaçi, as me buxhetin të cilin ai e propozon.

Aktivizimi i grupeve për presion, mediave të caktuara, janë përpjekje me rritur dramatikën, me shqetësua Perëndimin me eskalim, me i nxitë qarqet militariste në Serbi dhe me i mbajt serbët e Kosovës jashtë procesi.

Sido që të jetë, në krejt këtë dramë, në regji presidenciale, një gjë është e sigurt: z. Thaçi nuk do të japë dorëheqje, pavarësisht se si do të rrjedhin gjërat me propozimin e tij. Në mos për asgjë tjetër, atëherë sepse do të krijojë një problem tjetër edhe më të madh, dhe do të mbizotërojë me propagandën e tij, dhe do të fajësojë dhe përbaltë këdo që ja përmend dorëheqjen.

Sido që të jetë, fati i z. Thaçi në politikë lidhet me procesin e dekriminalizimit dhe atë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Administrata e re Trump ende nuk e ka bërë krejtësisht të qartë mënyrën se si do i qaset këtyre problemeve në Ballkan. Kjo do të jetë përcaktuese edhe për fatin politik të z. Thaçi. Për këtë çështje, z. Veseli ndoshta mund të dijë diçka më shumë bazuar në kontaktet më të suksesshme me administratën e re. Ndoshta edhe mënyra se si ai e pranoi dekretligjin, e la z. Thaçi krejtësisht të zbuluar përballë perëndimit, me gjithë iniciativën e tij nën sqetull.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme