Dy heronj të pandarë

Prishtinë | 03 Nën 2019 | 10:59 | Nga Mehmet Hajrizi

Lëvizja Kombëtare Shqiptare e fillimit të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, pas pagëzimit të zjarrit me kryengritjen e vitit 1981, pati humbje të rënda, por radhët e saj u ripërtërinë nëpër flakët e pushkëve, në shtetrrethim e nëpër barrikada, duke formuar e kalitur veprimtarë të shquar profesionistë, si Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia.

Djem të Llapit kryengritës, këta dy dëshmorë të ardhshëm, vinin nga familje të shquara atdhetare në radhët e organizuara.

Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu që në moshë të re, si shkollarë të mesëm aderuan në lëvizje dhe hynë në radhët e para të kryengritjes së vitit 1981. Ata me sytë e tyre e panë aty fuqinë prej uragani të popullit të zgjuar nga letargjia e robit dhe potencialin kolosal të lirisë.

Vetëm një vit pas kryengritjes, Lëvizja Kombëtare arriti të bashkonte forcat në një front të vetëm, Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi, e cila e vazhdoi veprimtarinë, si LPRK dhe më vonë LPK. Afrim Zhitia që në vitin 1980 vepronte në OMLK, për të qenë pastaj bashkë me Fahri Fazliun në LPRK. Përveç kësaj lëvizjeje, në Kosovë vepronin edhe shumë organizata të tjera, si vazhdimësi e organizimit më të hershëm, ose si themelime të reja.

Lëvizja Kombëtare e këtij dhjetëvjetëshi kishte si mjet veprimi edhe një shtyp klandestin të admirueshëm, me të cilin komunikonte me publikun, përhapte idetë e lirisë, demaskonte politikën e regjimit pushtues dhe informonte objektivisht qytetarët.

Afrim Zhitinë më 1984 e arrestuan, për ta dënuar në moshë të njomë me tetë vjet burg. Më 1988 kthehet në Kosovë, ku i gjeti shokët e tij në krye të detyrës. Fahri Fazliu që ishte shumë aktiv në këtë periudhë vuri kontakt me Afrimin, ngjashëm siç ishin lidhur heronjtë Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, më 1983.

Gjatë viteve 1988-1989 veprimtarët më të dalluar në Kosovë që praktikisht e morën drejtimin e LPRK-së ishin: Fadil Vata, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Ahmet Haxhiu, Ali Ajeti, Bedri Sokoli etj.

Fahri Fazliu, ose Fatmiri, siç e quanin zakonisht, shquhej më shumë për organizim dhe veprimtari praktike, duke shtrirë radhët e organizuara gjithandej trevave të pushtuara shqiptare. Ai nuk shkruante shumë, siç bënte Afrimi, por janë të njohura tri pikëpamje të tij për çlirimin e Kosovës. Në përputhje me zhvillimet demokratizuese në rajon, ai paraqiste strategjinë e tij në dy shtylla: Ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe zgjidhjen eventuale të saj në rrugë paqësore, nëpërmjet të një referendumi, në të cilin do të deklarohej vullneti i shqiptarëve për të jetuar të lirë dhe të pavarur. Por, në rast se nuk do të arrihej çlirimi me mjete paqësore, ai kishte pikëpamjen e tretë të zgjidhjes së nyjës, me kryengritje të armatosur.

Fundi i viteve tetëdhjetë e kishte acaruar gjendjen, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin. Kampi socialist po shembej si gurët e dominosë. Rajoni karakterizohej nga lufta për çlirim nga ideologjia komuniste dhe totalitarizmi, por popujt me të drejtat e mohuara kombëtare, përpjekjet i drejtonin më parë për pavarësinë kombëtare, shtetin nacional dhe sovranitetin.

Duke shpallur luftën ekspansioniste më 1989, diktatori serb Milosheviq i dha erë baroti gjithë Federatës jugosllave, e cila u shemb në pellgun e gjakut të popujve të saj.

Transformimet demokratike në rajon, nuk patën asnjë efekt pozitiv për të drejtat e shqiptarëve nën Jugosllavi, sepse regjimi kriminal serb, u vërsul me të gjitha mjetet për ta suprimuar edhe atë autonomi që e kishte Kosova dhe vendosi aty masa të dhunshme në çdo fushë të jetës.

Afrim Zhitia me penën e tij të mprehtë, do të shkruajë: “Dhe në fund mendojmë dhe jemi të bindur se reaksioni serbomadh nuk ka ku të shkojë më tej nga hapja e zjarrit kundër masave popullore shqiptare liridashëse. Lufta jonë e drejtë nacional-çlirimtare ka ku të shkojë më tej-drejt fitores…”. Në një tjetër shkrim ai, duke analizuar demonstratat e nëntorit të vitit 1988, i parashikon në mënyrë profetike zhvillimet e ardhshme: “Kosova ka hyrë tashmë në një lëvizje të re e vendimtare për fatin e vet, zhvillimet e së cilës nuk do të ndalen dot derisa të mos arrihet liria”.

Diskutimi farsë publik i ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989 për rrënimin e autonomisë së Kosovës, u kundërshtua fuqishëm nga lëvizja dhe qytetarët. Do përmendur në mënyrë të veçantë protestën e mbi 1.300 minatorëve të Trepçës, thellë në horizontet e minierës, që patën solidaritet të gjerë brenda e jashtë dhe sidomos te studentët, bashkë me të cilët në grevë ishin edhe Fahriu e Afrimi. Regjimi ndërkaq, ndërmori masa të përgjakshme për ta shuar revoltën e qytetarëve, duke krijuar kushtet që më 23 mars 1989, ta suprimonte autonominë e Kosovës. Afrim Zhitia do të shkruajë: “Shtypja kombëtare, shovinizmi e histeria nacionaliste kurrë nuk e kanë treguar egërsinë e tyre kaq lakuriqe sa… gjatë muajve shkurt-maj 1989.

Pamjet rrëqethëse tregonin se kërbaçi policor, tanket dhe ushtria siguruan aprovimin e amendamenteve të Kushtetutës së Serbisë, prandaj populli sot me të drejtë Kushtetutën e ‘re’ e quan ‘Kushtetutë e tankeve’, antishqiptare e antinjerëzore”.

Për mbrojtjen e Kosovës një popull i tërë u ngrit në këmbë, i udhëhequr nga bijat dhe bijtë më të mirë, siç ishin Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Në ditën e heqjes së autonomisë, në demonstratë regjimi vrau 29 shqiptarë dhe deri në fund të prillit numri i të vrarëve arriti në 100.

Duke u përgatitur për rezistencën e armatosur, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu dhe bashkëveprimtarët e tyre të shquar, Ali Ajeti, Fadil Vata etj., ishin pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare.

Më 31 tetor dhe 1 e 2 nëntor të vitit 1989, demonstratat në Kosovë kishin arritur përmasa dramatike. Më 1 nëntor vritet Bedri Sokoli, veprimtar sypatrembur dhe militant i përgatitur, kurse shumë të tjerë u plagosën rëndë. Afrim Zhitia mban një fjalim të zjarrtë në demonstratë, me të cilin i drejtohej masës prej 12.000 vetave.

Më 2 nëntor 1989, në Kodrën e Diellit në Prishtinë, rrethohen nga forcat serbe veprimtarët, organizatorët dhe drejtuesit e LPRK-së, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, të cilët pas rezistencës plot dhjetë orë kundër qindra forcave kriminale të regjimit, bien heroikisht në altarin e lirisë.

Rënia e Fahriut, Afrimit, Aliut e Bedriut, vdekja e hershme e Fadil Vatës, vrasja e Xhemajli Berishës etj., ishin goditje tepër e rëndë për LPRK-në dhe Lëvizjen Kombëtare në përgjithësi, por Kosova i përballoi sfidat dhe e mbajti kursin e saj drejt fitores përfundimtare.

Virtytet e tyre sublime njerëzore e atdhetare, politike e morale, u bënë pjesë e rëndësishme e sistemit të vlerave që kultivoi Lëvizja Kombëtare. Të këtij sistemi vlerash të trashëguara janë edhe një varg shkrimesh të Afrim Zhitisë, në të cilat trajton çështje të ndryshme të jetës shqiptare nën robëri. Ato janë bërë me kompetencë shkencore dhe politike, të denja për një intelektual të përgatitur mirë për punën profesionale.

Veprimtarë të hershëm dhe me përvojë të gjatë, Afrimi dhe Fahriu lidhën breza të Lëvizjes Kombëtare, sidomos të dy periudhave të lavdishme të rezistencës, asaj 1981 dhe 1989. E para ishte përgatitur nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare e viteve shtatëdhjetë, kurse e dyta gjatë viteve të rimëkëmbjes së saj, pas vitit 1981.

Por, para së gjithash, Fahriu dhe Afrimi ishin lidhur fort shpirtërisht njëri me tjetrin. Në vështrim të kronikës së të rënëve të lëvizjes sonë më të re kombëtare, gjejmë shumë shembuj të lidhjeve të forta binjakëzuese midis tandemëve veprimtarë që nuk bënin njëri pa tjetrin, që e përplotësonin njëri-tjetrin dhe që nuk mund t’i ndante jeta, as sakrifica supreme. Këtë lidhje sublime dhe këtë shembull epik, dy heronjtë tanë e kurorëzuan madhërishëm në Epopenë e Kodrës së Diellit.

Pas rënies së dy heronjve, dikush mbi varrin e Afrim Zhitisë la nja letër pusullë në të cilën shkruante: “Bie një, ngrihen njëmijë”. Ky ishte efekti i çdo humbjeje të luftëtarëve të lirisë, ky ishte shpjegimi me një fjali i fenomenit të ringjalljes si Feniksi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe vetë dialektika e zhvillimit të saj.

Oshtima e armëve të Nuhi Berishës dhe Rexhep Malajt në Kodrën e Trimave më 1984 dhe e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut më 1989 në Kodrën e Diellit, paralajmëronin, në jug e në veri, vitin e afërt të oshtimës së armëve të UÇK-së në Kosovë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për dëshmorët e kombit.

(Fjalë në 30-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut)

Të ngjashme