E vërteta pas numrit të ulët të grave në subjekte politike: Adresim i menjëhershëm apo tejkalim?

Prishtinë | 14 Dhj 2021 | 14:00 | Nga Eugen Cakolli

Ndonëse shumëkush mund të ketë pritur që pas zgjedhjeve parlamentare, ku ishte shënuar numri më i madh i grave të zgjedhura në përgjithësi e atyre pa ndihmën e kuotës gjinore në veçanti, do të vijohej me trend të ngjashëm të përfaqësimit të grave edhe në zgjedhje lokale, kjo nuk ndodhi. Madje, duhet risjellë në vëmendje se përkundër avancimit në dukje, ende nuk është arritur që edhe brenda Kuvendit të Kosovës të gjitha gratë e zgjedhura të fitojnë mandat pa ndihmën e kuotës gjinore. Ndërsa në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, nga gjithsej 1,002 kandidatë të zgjedhur për kuvendet komunale, gratë përbëjnë vetëm 36% të tyre. Edhe brenda numrit prej 364 grave të zgjedhura, vetëm rreth një e treta e tyre janë zgjedhur me votë meritore, ndërsa pjesa tjetër në saje të kuotës gjinore.

Përkundër kuadrit të avancuar normativ, i cili nominalisht duket i favorshëm për gratë, përfshirja e grave në politikë dhe pjesëmarrja e tyre në trupa vendimmarrëse mbetet brenda margjinave minimale të përfaqësimit politik. Në këtë drejtim, ndonëse mund të ketë dhjetëra faktorë, janë tri dimensione kryesore të problemit, që fshihet pas numrit të ulët të grave në politikë: aspekti politik, ai social dhe vet gratë.

Sigurisht, meqë po flasim për përfaqësim politik, s’ka se si problemi me numrin e ulët të grave të mos jetë politik në radhë të parë. Pikë së pari, partitë janë esencialisht reflektim i asaj që ne jemi si shoqëri. Kështu, sipas regjistrit të partive politike në Kosovë, aktualisht janë të regjistruara e funksionale plot 49 parti politike, prej të cilave vetëm tri udhëhiqen nga gratë. Në kuptim të pjesëmarrjes së barabartë gjinore në garat politike, subjektet politike mjaftohen gjithmonë me respektimin e kuotës gjinore të legjislacionit zgjedhor prej 30%, duke reduktuar kështu potencialin e grave për t’u zgjedhur. Ngjashëm, gratë janë më të nënpërfaqësuara edhe në nivelin strukturor të partive. Aty, gratë margjinalizohen duke u’a veçuar veprimtarinë kryesisht nëpërmjet forumeve të grave, të cilat operojnë si njësi paralele të organizimit, por pa asnjë peshë reale vendimmarrëse. Ndërsa, grave rrallëherë u besohet udhëheqja e degëve apo njësive tjera të organizimit territorial të partive. Duke qenë në margjina të vendimmarrjes faktike brenda partive, gratë diskriminohen pastaj edhe sa i përket shpërndarjes së financave të partisë. Kësisoj, gratë qysh në fillim diskriminohen dhe vendosën në pozitë të pafavorshme për t’a zhvilluar një garë të barabartë, pasi që vëmendja elektorale dhe fuqia materiale koncentrohet tek udhëheqësit e strukturave lokale të partisë – duke u mundësuar atyre më shumë paraqitje, takime, e si rrjedhojë edhe përkrahje e popullaritet.

Së dyti, në një shoqëri patriarkale si e jona, është e pashmangshme që gratë të ballafaqohen edhe me barriera e probleme të karakterit social. Dikush, me të drejtë mund të argumentojë se arsyeja krejt bazike e mospjesëmarrjes së grave në politikë, është se të njëjtat nuk kanë kohë të mjaftueshme. Një kohë e tillë e munguar vjen si rezultat i mentaliteti shoqëror që ende gruan e sheh së pari si ‘nënë’ e pastaj si ‘grua’, duke ia parapërcaktuar asaj edhe rolin brenda familjes. Një kohë e tillë e munguar i privon ato edhe nga mundësia për të qenë pjesë e diskursit publik përmes pjesëmarrjes dhe paraqitjes në media – paçka që edhe këto të fundit nuk është se ofrojnë hapësirë adekuate për gratë. Gjithashtu, gratë jo rrallëherë perceptohen edhe si të “padenja” për t’u marrë me politikë, për shkak të nivelit të lartë të paragjykimeve gjinore, vlerësimit të ndryshëm në raport me burrat, edhe pse mbi premisa dhe për arsye të njëjta. Mbase të gjitha këto janë derivat i vet botëkuptimit tonë (të gabuar) si shoqëri mbi politikën.

Në ndërlidhje me mungesën e buxhetimit gjinor nga ana e partisë politike, gratë hasin në vështirësi për kërkim të fondeve, për shkak të numrit të ulët të bizneseve që udhëhiqen nga gratë, si dhe paragjykimeve e stereotipave shoqërore për të kërkuar fonde nga biznese që udhëhiqen nga burrat. Ky dimension social e psikologjik i problemit ua vështirëson grave garën politike, duke i detyruar që përveç konkurrencës politike të kenë front të hapur edhe me problemet familjare e shoqërore.

E problemi i fundit janë edhe vet gratë. Gratë, sepse ato – thënë së buti – kanë bërë pak që të adresohen problematikat e sipërpërmendura, që si të tilla pranohen edhe nga vet ato. Fillimisht për shkak se, ndonëse gratë marrin pjesë në zgjedhje në nivele të përafërta me burrat, ato nuk është se votojnë mjaftueshëm gra, duke bërë që burrat sërish të përbëjnë rreth 70% të institucioneve vendimmarrëse, qoftë të nivelit qendror apo atij lokal. Pastaj, edhe kur gratë fitojnë mandate e pozita, ato nuk i shfrytëzojnë të njëjtat për avancimin e çështjeve gjinore. Ta zëmë, ndonëse po i afrohemi ngadalë një-vjetorit të konstituimit legjislaturës së re të Kuvendit, që ka në përbërje të tij 43 gra, apo më së shumti gra ndonjëherë në historinë tonë politike, ende nuk kemi as edhe një iniciativë të vetme nga to që do të trajtonte cilindo prej problemeve reale me të cilat ballafaqohen ato në ushtrimin e funksioneve politike, nga çfarëdo perspektive.

Paradoksalisht, gratë mund të jenë edhe vet zgjidhja. Gratë, posaçërisht ato të zgjedhura, kanë në dorë levën e kushtëzimit të çfarëdo procesi me avancimin e kornizës ligjore në favor të tyrin. Kjo, sidomos përmes procesit të reformës zgjedhore, me anë të së cilit do të hiqeshin barrierat aktuale që indirekt minojnë potencialin e grave për të shkuar drejt përfaqësimit e pjesëmarrjes së barabartë gjinore në politikë.

(Editorial i shkruar nga Eugen Cakolli mbi temën e Sallonit të së Martës “E vërteta pas numrit të ulët të grave në subjektet politike”, organizuar nga D4D)

Të ngjashme