Edhe Bideni, si Trumpi më herët, beson se dy palët duhet të “japin diçka” për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Prishtinë | 23 Tet 2021 | 18:30 | Nga Demush Shasha

Edhe pse ka dallimet monumentale ndërmjet Presidentit Trump dhe Presidentit Biden sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, ata janë në pajtim të plotë se të dy palët duhet të “japin diçka” për hir të arritjes së marrëveshjes. Kjo na del shumë qartë edhe nga krahasimi i letrave të Trumpit dhe Bidenit lidhur me dialogun.

Presidenti Trump, 2018: “Një marrëveshje që balancon interesat e Serbisë, dhe të Kosovës.”
Presidenti Biden, 2021: “Kërkohet kompromis i vështirë.”

Pra, sa më parë shikojmë të vërteten në sy dhe fillojmë diskutimin e sinqertë se çfarë do të sakrifikojmë për hir të arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë, aq më mirë do jemi.

Duhet përgëzuar Qeverinë për përpjekjet për të sjell dinamikë dhe ide të reja në kuadër të dialogut, por ajo çfarë po shohim deri më sot është se aleat tonë strategjik janë të vendosur se kompromisi i Kosovës është Asociacioni i Komunave Serbe.

Unë kuptoj se partitë politike frikësohen të flasin hapur për Asociacionin e Komunave Serbe. Por ne në shoqëri civile nuk kemi pse të frikësohemi. Konsideroj se animoziteti ndaj Asociacionit është sipërfaqësor dhe i paarsyeshëm. Rrjedhimisht, për shkak se kundërshtarët e Asociacionit nuk kanë argument thelbësor konkret kundër Asociacionit, ata përpiqen të demonizojnë me argumente abstrakte sikur: “Krijimi i Republika Srpska në Kosovë”. Një diskurs i tillë nuk është i dobishëm.

Në këtë kontekst, konsideroj se na duhet të fillojmë një diskurs të përgjegjshëm publik i cili do të na lejoj të shfrytëzojmë këtë dritare unike të suksesit të cilën do e kemi gjatë mandatit të Presidentit Biden. Kosova nuk ka pasur, dhe jam i bindur se nuk do këtë, administratë më të favorshme se atë të Presidentit Biden. Tre vite të ardhshme janë mundësia jonë më e mirë për përmbylljen e çështjeve të hapur me Serbinë dhe hapjen e shtegut për anëtarësim në OKB, NATO, liberalizim të vizave, etj.

Nëse nuk ka zgjidhje tjetër për të arritur këtë, përveç Asociacionit, atëherë është koha të tregojmë guxim dhe të gëlltisim këtë koncesion të fundit për hir të mbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë. Nëse ka zgjidhje tjetër, atëherë ajo zgjidhje na duhet sa më shpejt, pasi që tre vite të administratës Biden do të kalojnë tepër shpejt.

Të ngjashme