Edhe ti vëlla Bushat?

Prishtinë | 17 Gus 2016 | 16:42 | Nga Berat Buzhala

Kjo është hera e dytë që Bushati bën bujë në Kosovë për sportin. Herën e parë kishte depërtuar në mediat tona kur ishte parë diku në plazh me një peshqir me simbole të ekipit beogradas, Cervena Zvezda

Meqë i kishte ardhur një mysafir i panjohur, i zoti i shtëpisë, për të mos e vënë në siklet, po e paralajmëronte atë të mos shqetësohej kur të futej brenda njëri prej djemve, sepse ishte pak i vonshëm për nga zhvillimi mendor.

Nuk vonoi shumë kur u përplas dera me sa fuqi kishte. U fut brenda një djalë i ri me një shat të madh në krah. Djali pa shikuar fare kah mysafiri, pa e lëshuar fare shatin prej dore, po vazhdonte rrëmbyeshëm në drejtim të një dollapi. Në atë moment, mysafiri po e shikon me bisht të syrit të zotin e shtëpisë, sikur për ta pyetur se mos ishte ky ai djali që i tregoi pak më herët.

“Jo mik jo, nuk është ky ai djali për të cilin t’fola. Ky paska lujtë sot prej mendve”, i tha i zoti shtëpisë mysafirit.

Ky rrëfim më ra ndër mend kur po lexoja shkrimin e Andi Bushatit për tradhtarët e Kosovës, duke e pasur për kryeprotagonist Milot Rashicën, 20-vjeçarin që ka vendosur t’i bashkohet ekipit të Kosovës në futboll.

Fillimisht mendova mos ishte autor Kastriot Myftaraj, për të cilin javën e kaluar u bëra thirrje miqve të mi në Facebook që të mos e marrin seriozisht. Por nuk ishte ai. Tash është Bushati, që ka goditur sportistët e rinj me argumentet e Kastriotit, në mes tjerash për flamurin dhe për himnin – pa tekst. Saktësisht këto argumente i kishte përdorur Kastrioti kur ishte tallur me Majlinda Kelmendin, kur kjo e fitoi medaljen e arit në Rio. Nuk do ta kisha besuar se do të filloja të lidhesha me simbolet tona, atëherë kur ato shahen prej atyre që nuk janë banorë të shtetit tonë. Dhe ketë po e vërej edhe në rrjete sociale. Pas çdo sharjeje që vjen nga Shqipëria për simbolet tona, aq më shumë ato po bëhen më të dashura për të rinjtë.

Për më tepër, Bushati, përveç se tradhtarë, i kishte quajtur edhe të pagdhendur sportistët. Meqë kishte vendosur të fliste kaq hapur, ka mundur t’i quante edhe malokër, ose shkërdhata të Kosovës, siç i quajnë në pezhorativ shqiptarët e Kosovës andejpari.

Kjo është hera e dytë që Bushati bën bujë në Kosovë për sportin.

Herën e parë, ndoshta para një dekade, ai kishte depërtuar në mediat tona kur ishte parë diku në plazh i mbuluar me një peshqir me simbole të ekipit beogradas, Cervena Zvezda, tifozët e të cilit ekip, “Delije”, kishin marrë pjesë në shumicën e krimeve serbe në Bosnje dhe në Kosovë. Në Shqipëri e pëlqenin shumë ketë ekip. Për shkak të mungesës së informatave pëlqenin shumë gjëra nga Beogradi, duke përfshirë edhe Goran Bregovicin dhe nacionalistë të tjerë primitivë serbë.

Duke e njohur Bushatin, në atë kohë, i thosha Pipit (Përparim Gjikolli një tifoz i zjarrtë i Shqipërisë dhe Hajdukut të Splitit) se Bushati nuk e ka seriozisht me Zvezdën, më shumë kishte provokuar.

E tash jam i shtangur, nuk e di a kishte provokuar atëherë, apo tash?

Unë në mëngjes shkrova në Facebook për këtë çështje. Tash po shkruaj për herë të dytë, i motivuar nga Bushati, për të cilin i kam edhe disa pyetje.

LEXO EDHE
Pse djali im nuk duhet të luajë as për Shqipërinë as për Kosovën
Por fillimisht më duhet t’i them disa gjëra.

Pikë së pari në Shqipëri lajmi për formimin e ekipit të Kosovës në futboll do të duhej të ishte një lajm i mirë, por edhe i pritur, prej momentit kur ne u bëmë pjesë e FIFA’së dhe UEFA’së. Një gjë e tillë, një pranim i tillë, më së shumti, ose të vetmit, që i ka penguar ishin serbët. Madje nuk mund të them as serbët si qytetarë, por serbët si politikë dhe federatën serbe. Mirëpo në momentin e pranimit tonë në këto mekanizma serbët na harruan. Tash frika filloi në anën tjetër të kufirit, andej ku nuk e pritëm.

Si është e mundur që me formulime kaq brutale dhe kaq absolute të gjykohen disa djem të rinj që po vendosin të përfaqësojnë shtetin e tyre të lindjes, Kosovën, për çfarëdo qoftë motivi?

Ose, çfarë paskan qenë pritjet në Shqipëri? Që Kosova të angazhohet për të bërë një ekip sa për sy e faqe, sa për t’u ndeshur me Andorrën, kurse ajkën t’ia dërgojë në derë Armando Dukës, i cili në fund do të vendoste se si t’i trajtonte? T’ua mundësonte të luanin, apo fillimisht t’u fuste gjobën, e pastaj t’i fuste në terren. Ose edhe t’i gjobiste edhe t’i linte në bankë rezervë. Ka edhe plot formula të tilla të njohura nga praktikat e deritashme.

Ose ndoshta kanë pritur që të ndjekim modelin që e ndjek Republika Srpska karshi Beogradit. Që të ngelet vetëm formalisht në Bosnje, por që të punojë vetëm për Serbinë.

Rrethanat janë krejt tjera. As nuk është Kosova Republika Srpska, e as Shqipëria nuk është Serbia.

Ne nuk kemi mbetur këtu ku jemi, ose ku ishim, pse ne kemi dashur, por pse na ka lënë Shqipëria jashtë. Sigurisht nuk e ka pasur fuqinë, por për hir të vërtetës nuk u bën as përpjekjet më të vogla. Këtë shtet, me ketë flamur, e me ketë himn pa tekst, e qullosëm. Për këto arsye nuk është mirë as të na gjykoni për të arriturat tona. Kemi bërë çfarë kemi mundur. Por e kemi bërë me forcat tona.

Por, është e tepërt të pritet të sabotohet shteti ynë, për t’i shërbyer një organizate mafioze, çfarë është Federata Shqiptare e Futbollit, e cila është kujdesur ndër vite t’i korruptojë të gjithë analistët, gazetarët dhe politikanët e Shqipërisë. Kurse krejt mëkatet provon t’i shlyejë duke u mbështjellë më flamurin kuq e zi.

Apo jo Bushat?

Prej teje kam lexuar shkrime të mira, të guximshme, të fuqishme, por nuk pashë që ke shkruar kurrë ndonjë fjalë për Dukën dhe klanin e tij. Ose Don Dukën. Madje nuk ngritët asnjëherë dyshime as për mënyrën se si rekrutohen lojtarët e rinj. Se si atyre u kërkohen qindra mijëra euro. Se si bëhet ekipi i parë dhe i dyti.

Ti do më thuash që nuk ke ‘fakte konkrete’, sepse këtë do ta bëjë. Por unë do të të thosha ty se ti nuk ke ‘fakte konkrete’ as kur shkruan për Metën e Ramën, por, siç thoshte Pasolini, ne jemi gazetarë dhe ndonëse nuk kemi fakte, ne e dimë të vërtetën. Dhe e vërteta është se ajo çfarë përfaqëson Federata Shqiptare e Futbollit, sipas fjalëve të Zhozef Fushesë, është më shumë se sa krim, është gabim. Vetëm kjo arsye mjafton për të mos u bërë pjesë e saj, qoftë edhe nëse Dukës i shfaqet befasisht një flamur me shkabën dykrenare mu në lule të ballit.

E thash edhe më herët në Facebook, kam kërkuar disa herë në paraqitjet e mia në mediat e Shqipërisë, që Federata Shqiptare e Futbollit t’i hapë dyert e saj edhe për zyrtarë nga Kosova. Nëse për asgjë tjetër që të shërbejnë si përkthyes për djemtë tanë që vinin nga diaspora e që gjuhën standarde shqipe nuk e kanë aq të bukur. Por kjo gjë nuk kishte ndodhur. Shqiptarët e Kosovës ishin ftuar në ekip për të vrapuar. Hesapet i bënte Duka.

Pastaj edhe një gjë: kurrë nuk lexova as dëgjova të quhen tradhtarë Pirro Dhima, i quajtur më vonë Pyrros Dimas, ose Luan Shabanin, i njohur më vonë si Leonidas Sabanis, ose Mirela Manjani, që mbrojtën ngjyrat e shtetit grek.

Nëse këta nuk qenkan tradhtarë, si u bë që disa djem që kanë vendosur të na përfaqësojnë ne dy milionë shqiptarëve të tjerë qenkan të tillë.

Unë e di që ti nuk e beson atë çfarë e thua. Kjo duhet të jetë vetëm një taktikë për t’i goditur ‘kosovarët e pagdhendur’ aty ku ata janë më të lëndueshëm. Në Shqipëri ta quash dikë tradhtar dukesh komik. Apo jo? Kurse jam i bindur që baba i Milotit kur të lexojë shkrimin tënd nuk do të ndihet shumë komod. E posaçërisht do t’i trembësh në mënyrë jokonvencionale ata të tjerët që janë me dy mendje.

Një gjë tjetër që më bëri përshtypje te shkrimi i Bushatit ishte insistimi i tij për ta nënvizuar emrin e Milotit, (sikur donte të thoshte ta mbash me turp ketë emër), një qyteti të shëmtuar në Shqipëri. Kjo gjë më prek edhe mua, duke e pasur emrin Berat. Kjo gjë i prek edhe qindra mijëra të tjerë kosovarë që në formë rezistence i mbajnë emrat e qyteteve shqiptare, duke rrezikuar që në vend se patriotë të dukemi qesharakë në Shqipëri.

Por, ajo çfarë më shkon në mendje është se si nuk u lodhën në Shqipëri se kërkuari dashuri unilaterale prej nesh. Si nuk e pyetën vetën kurrë pse në Shqipëri nuk ka asnjë emër Prizren, Gjakovë, Klinë, Mitrovicë e Jugut, Gjilan etj. Sa më shumë që japim për Shqipërinë, aq më shumë na kërkohet. Herën e parë na thonë faleminderit, herë të tjera na thonë e keni obligim. Tash nëse e paskam emrin Berat, ose Milot, a duhet që unë, ose ai, të jemi borxhli për një gjë të tillë gjatë gjithë jetës. A duhet të paguajmë edhe ndonjë taksë ndoshta?

Kjo gjë, ose kjo luftë e ftohtë, fatkeqësisht nuk do të mbyllet lehtë, edhe pse do të duhej.

Ajo çfarë do të duhej të përfundonte me një ‘faleminderit’ reciproke dhe vëllazërore po eskalon në ‘ju jeni tradhtarë’.

Kosova më të drejtë do të duhej të priste shumë më shumë mirëkuptim nga Shqipëria. Ne dhamë mjaft për Shqipërinë në sport. Edhe përfituam në këtë drejtim. Mirëpo tash, për shkak të rrethanave të reja, dëshirojmë të punojmë edhe pak për vete. Dëshirojmë që flamurin me 6 yje, ashtu siç është ai, himnin pa tekst, ashtu siç është ai, ta bëjmë të njohur çdo kund në botë. Ne tallemi me simbolet tona, por nuk dëshirojmë që të tjerët të tallen me to. Pak a shumë, sikur personat me ngjyrë, që njëri tjetrit i drejtohen me ‘nigga’ por që nuk durojnë që të tjerët t’i quajnë ashtu.

Kosova pret përkrahje nga Shqipëria, e jo tallje dhe pengesa.

Ndërsa Andi Bushati e quan Rashicën, një tradhëtar i mërzitur-

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme