Efektet zinxhirore si rezultat i presioneve globale inflacioniste

Prishtinë | 16 Gus 2022 | 10:21 | Nga Arijan Haxhibeqiri

Dy vitet e fundit janë karakterizuar me vështirësi të shumta ekonomike 100% vendore dhe sociale, që nga Pandemia deri tek lufta mes Rusisë dhe Ukrainës duke shkaktuar “tronditje” edhe tek ekonomitë më të fuqishme botërore siç është ekonomia Amerikane. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, pritjet e ngritjes të inflacionit në Amerikë gjatë muajit mars kanë qenë në nivelin 8.5%, që është më e larta në 40 vitet e fundit!

Trendet e njëjta rritëse të inflacionit kanë përfshirë edhe shtetet e Eurozonës ku pritjet e shkallës së inflacionit gjatë muajit mars kanë qenë në shifrat 7.5%! Që nga fillimi i invazionit të Rusisë në Ukrainë, çmimi i naftës dhe gazit natyror ka shënuar rritje të lartë. Marrë parasysh faktin e varshmërisë së shteteve të Unionit Evropian në nivelin e 40% nga importi i gazit natyral nga Rusia, që përfaqëson edhe burimin kryesor të energjisë për këto shtete, rritja e çmimit të energjisë është një ndër shkaktarët kryesor të rritjes së inflacionit në shtetet e unionit Evropian.

Për më shumë, vështirësitë/ ndërprerjet e shkaktuara në zinxhirin furnizues si dhe kërkesës së ngritur, që nga periudha e pandemisë e në veçanti nga nisja e konfliktit Rusi-Ukrainë, si dhe së fundmi, vendosja e sanksioneve financiare, politike nga ana e shteteve perëndimore ndaj Rusisë, kanë ndikuar në ngritjen e çmimeve për produkte dhe shërbime në nivel global.

Ngritja e çmimit të energjisë dhe bilanci negativ tregtar i Kosovës (sipas Agjencisë të Statistikave të Kosovës, të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 41.7% në muajin janar 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Eksporti mbulon importin me 19.0%), respektivisht varshmëria e Kosovës në masë të madhe nga importi i produkteve dhe shërbimeve ka ndikuar po ashtu në ngritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve në Kosovë dhe regjion!

Në kontekstin e impaktit negativ të inflacionit në Kosovë, impakti është gjithëpërfshirës, si në aspektin ekonomik po ashtu edhe në aspektin social. Sa pari, ndikimi i inflacionit ka impakt negativ në mirëqenien e qytetarëve tanë si rezultat i ngritjes së çmimeve të produkteve të konsumit të gjerë (sipas Agjencisë të Statistikave të Kosovës; “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 7.5% në muajin shkurt 2022, krahasuar me muajin shkurt 2021), së dyti, shumë veprimtari dhe sektorë ekonomik preken nga impakti negativ i ngritjes së çmimeve, në veçanti tek disa sektorë, siç mund të jetë sektori i ndërtimit, së treti, ngritja e çmimit të energjisë ndikon po ashtu negativisht edhe në sektorin e prodhimit, duke ngritur koston e prodhimit për produkte vendore, së fundmi dhe jo vetëm, efekti zinxhiror i ngritjes së çmimeve në një masë do përfshinte të gjitha veprimtaritë ekonomike, rrjedhimisht do shkaktojë uljen e nivelit të zhvillimit ekonomik për vitin 2022.

Autori është zv/kryeshef Ekzekutiv në Banka Ekonomike.

Të ngjashme