Astrit Dehari, ky humbës i madh

Prishtinë | 12 Nën 2016 | 18:14 | Nga Ernest Luma

Kishin shpëtuar vetëm shtatë, kujtoj, nga qindra tragjeditë e Eskilit antik. Numri më i madh i trashëgimisë së tij ishte zhdukur. Babain e kryeveprave në familjen e tragjedive, në të vërtetë fatin e tij dhe të veprës së tij, koha, padrejtësisht e kishte shndërruar në tragjedi, duke ia zhdukur pjesën më të madhe të opusit, të krijimtarisë.

Kështu, disi, me pak fjalë, kish pasë me na e shpjeguar fatin e keq të një kryevepre dhe të një autori të dikurshëm, në ditët e sotme, Ismail Kadare (Eskili – ky humbës i madh).

Në përkthimin ndryshe, të një tragjedie tjetër, të këtyre ditëve, asaj të të riut Astrit Dehari dhe të familjes së tij, përafërsisht kështu do të dukej dhe definohej edhe fati i tij. Fati dhe fundi i tij.

Një humbës, një humbës shumë i madh, ai bashkë me nënën Xhemile, babain Avni, dhe bashkëshorten e tij – mbarë familjen Dehari. Kohë më parë, edhe vëllau i tij, Arbënori, po përmes rrugëve të tragjedisë (në këtë rast, përmes vetëvrasjes së vërtetuar) i braktisi të gjithë, miqtë, shoqërinë dhe vetë vëllaun Astritin.

Astrit Dehari u bë i famshëm dhe hyri shtëpi më shtëpi, shkollë më shkollë, dhe zemër më zemër, tek të gjithë ne, vetëm përmes aktit final të jetës, vdekjes. Vetë kjo, ndërkaq, nuk ishte një vdekje e zakonshme. Ishte më shumë. Ishte diçka përtej dimensioneve të dhimbjes. E mbështjellë me mijëra të panjohura dhe me qefinin e misterit. Brenda arkivolit të mbuluar me flamurin kombëtar, në varrezat e Zllatarit u fut një trup pa jetë, i mbështjellë me plot mistere. Ai iku dy metra thellë nën tokën e Kosovës, por të vërtetën e la mbi tokë, me shumë pikëpyetje e paqartësi.

I zhveshur nga mitet dhe legjendat që u thurën brenda këtyre pak ditëve për të, Astrit Dehari ishte një djalë i ri, i rëndomtë, i Kosovës. Ishte një student i shkëlqyeshëm i vitit të gjashtë të Faktultetit të Mjekësisë. I martuar dhe në pritje të një fëmije. Aktivist i palodhshëm që nga lagjja e tij, deri në universitet. Pjesëtar i Lëvizjes Vetëvendosje! Kundërshtues i pakompromis i politikave të pushtetit në Kosovë.

Ishte një ekzemplar tipik i kryengritësit urban.

Të gjitha këto karakteristika, ishin legjitime, legale dhe demokratike për një të ri, që jeton e vepron në një shtet të lirë, në një shtet demokratik, në një shtet dhe në një shoqëri ku lejohet të kundërshtosh qeverinë dhe politikat e gabuara në të gjitha format, që prej shkruarjes së grafiteve, intonimit dhe demonstrimit të parullave, deri edhe te gjuajtjet me vezë në kokat e qeveritarëve e, madje, edhe te gjuajtjet me gurë në institucione e në trupat e policisë.

Por, në një mesnatë me plotë të panjohura, shteti u trondit kur u godit me “zollë”. Këtë e dimë të gjithë dhe që të gjithë i kemi parë këto pamje. Në një mënyrë, që të gjithë ishim të tronditur, asaj mesnate.

Në ndërkohë, shteti arrestoi gjashtë të dyshuar, anëtarë të LVV-së, me pretekstin se mund të kishin qenë autorë të atij sulmi në mesnatë, kundër institucioneve. Astrit Dehari, ishte i dyshuari kryesor. Sipas akuzës, ata dyshoheshin për kryerjen e veprës penale të terrorizmit. Por, a ishin Astriti dhe shokët e tij, autorët e vërtetë të atij akti?

Ne këtë nuk e dimë, askush, deri më tani.

LVV e kishte mohuar dhe e mohon në vazhdimësi këtë. Ajo e akuzoi dhe e akuzon pushtetin se ua mveshi veprën, me qëllim që ta godasë vetë VV-në dhe aktivistët e saj.

As këtë ne s’e dimë, deri më tani, nëse qëndron apo jo. Vetëm se e kemi dëgjuar brenda retorikës së politikanëve.

Një ditë tragjike, pas disa muajsh paraburgimi, në pavijonet e Burgut të Prizrenit, ndërroi Astrit Dehari. Lajmi mori dhenë. Vdekja, fillimisht u raportua si rezultat i mbidozimit me medikamente. Kjo u tha nga hiq më pak se drejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit. Pastaj, në mesin e shumë debateve, fjalëve të ndryshme e spekulimeve, krahas dhimbjes për këtë tragjedi, doli një lajm tjetër. Kryeprokurori i Prizrenit tha se obduksioni ka nxjerrë përfundimin se Dehari ka ndërruar jetë shkaku i asfiksisë, mungesës së ajrit. Pra, ai e demantoi kryepolicin e Prizrenit se Dehari ka ndërruar jetë shkaku u medikamenteve.

Në këtë segment kohor – nga deklarata e kryepolicit deri te ajo e kryeprokurorit të Prizrenit, mal spekulimesh përfshiu vendin dhe opinionin. Dhe gjithçka sillej midis konkluzioneve të vrasjes dhe të vetëvrasjes, dy spekulimeve të skajshme rreth një të vërtete që i mori jetën Astrit Deharit, në qelinë e burgut e Prizrenit.

Pak orë pas kryeprokurorit, në ekran u shfaq deputeti, ideatori dhe kreatori i Vetëvendosje!-s, i cili e përjashtoi argumentin e vetëvrasjes dhe i dha zjarr atij të vrasjes së Astritit. Hodhi gurë e dru mbi shtetin e pushtetin, përmes një retorike të përflakshme, e cila, për mendimin tim, nuk i shkonte asaj nate. E njëjta retorikë, nga po i njëjti, u përdor edhe në varrimin e Astritit. Prapë, as aty, ajo nuk shkonte dhe sikur s’e kishte vendin.

Fati tragjik i Astrit Deharit dhe familjes së tij, edhe sot po vazhdon të përtypet politikisht. Dhe, prapë, duket sikur po teprohet.

Por, argumentet e ofruara deri më tani në publik, më shumë flasin për aktin makabër të vrasjes së Astritit, por pa e dëshmuar deri në fund këtë. Këto argumente, ndërkaq, nuk janë edhe aq bindëse, sa për ta rrëzuar krejtësisht tezën se Astriti mund të ketë bërë edhe vetëvrasje.

Deklarimet më të fundit të familjes Dehari, por edhe të LVV-së se hetimet e mëtejme për zbardhjen e kësaj enigme të dhimbshme e plot terr, duhet të zhvillohen nga hetues të pavarur dhe ndërkombëtarë, gjithashtu duket të kenë logjikë. Arsyet për këtë, mbase edhe nuk është e nevojshme t’i numërojmë këtu. Janë të shumta. Dhe ata kanë të drejtë në këtë.

Tek e fundit, se a ka kryer vetëvrasje apo është vrarë nga dikush Astriti, kjo është veç njëra e vërtetë që duhet zbardhur.

Nëse vërtetohet se Astriti ka kryer vetëvrasje, nëse jo krejt, atëherë pjesa më e madhe e enigmës është e zgjidhur. Por, nëse vërtetohet se Astriti është vrarë nga dikush, kjo nuk do të thotë se automatikisht është vërtetuar edhe se kush është vrasësi apo kush është shtytësi dhe kreatori i kësaj tragjedie, edhe pse politikisht po teprohet me spekulimet dhe aluzionet, nga të gjitha anët.

Në të njëjtën kohë, parahistoria e një akti kaq të rëndë, konsideroj se do të duhej zbardhur paralelisht. Gjykata do të duhej të sqarojë, jo vonë, nëse Astriti dhe pesë shokët e tij, që ende janë në burgje e nën hetime, vërtet kanë qenë autorët e sulmit me “zollë” mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës. Zbardhja e një të vërtete të tillë kish me qenë shumë e rëndësishme për ta plotësuar tablonë e krejt kësaj tragjedie, apo këtë shëmti të përshkallëzuar, që na goditi të gjithëve.

Dhimbja do të ishte po ajo, pavarësisht se cila do të ishte e vërteta, por mendimi dhe përceptimi ynë apo i secilit prej nesh, për realitetin tonë politik e shoqëror, do të ishte më i saktë dhe i zhveshur nga spekulimet dhe nga aluzionet e deformuara në të gjitha anët.

Nuk dua ta paragjykoj kauzën e formimit dhe të ekzistencës së VV-së dhe të asnjë subjekti politik. Së paku, kur flasim për tema kaq serioze. Por, dua të them se kauzat dhe kauzëzat mund të zhduken, të harrohen, të marrin trajta të tjera rrugës, ndërkaq Astrit Dehari nuk do të jetë më në mesin tonë, që t’i shohë këto. Ai u rrit e u edukua në një familje patriotike, që e ëndërroi dhe dha vitet e saj më të mira, nga të dy prindërit, për këtë Kosovë dhe për këtë liri.

E, ai, nuk do të duhej të ishte nën dhe, sot. Ai, e meritonte të jetë i gjallë e të shohë dikur, nëse, eventualisht, rrugët që e kanë çuar në varr (me metodën e vrasjes apo të vetëvrasjes), kanë qenë të vërteta apo të shpifura.

Unë s’e kam njohur nga afër. Por, me sa kam dëgjuar e mësuar këto ditë për të, ai ishte një student i shkëlqyeshëm dhe shumë inteligjent, një personalitet i fortë, një idealist i pakompromis dhe një atdhetar i madh. Se a ka ekzistuar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, këtë nuk e di.

Di vetëm se ka vdekur në mënyrë jo të duhur, në vend jo të duhur dhe në kohë jo të duhur. Di, gjithashtu, se fati i tij tragjik po shndërrohet në monedhë kusuritjesh politike.

Me fatin tragjik të Astrit Deharit – këtij humbësi të madh, dikush po synon të majmet politikisht e dikush po përkujdeset për dietë, po ashtu, politike.

Astrit Dehari, pos familjes, më së shumti do t’i duhej i gjallë vendit, shoqërisë dhe komunitetit të tij, nisur prej lagjes deri në qytet, gjithkah, nëpër të cilin janë gjurmët e punës së tij.

Atje ku është, po i hyn në punë vetëm retorikës politike, e cila ka për cak fuqizimin e njërit dhe goditjen e tjetrit taborr politik – përmes fatit tragjik të këtij humbësi të madh, Astrit Deharit dhe Deharëve. (Gazeta Express)

Të ngjashme