A është Shqipëria, Turqi?

Prishtinë | 29 Nën 2016 | 23:43 | Nga Fadil Lepaja

Nga kush u pavarësua Shqipëria më 28 nëntor 1912? Kështu pyetet një gazetar i famshëm nga Kosova në profilin e tij në Facebook. Kjo ndodh pikërisht ditën e Festës së Flamurit. Përgjigjen, në fakt, e di çdo fëmijë i klasës së parë të shkollës fillore – në Kosovë dhe në Shqipëri. Ashtu si edhe çdo fëmijë nga Kosova e di se nga kush u pavarësua Kosova më 17 shkurt të vitit 2008. Deri këtu është gjithçka e qartë dhe pyetja e gazetarit edhe mund të duket e pavend, por si çdo gjë tjetër e lidhur me marrëdhëniet me ish-pushtuesit, edhe kjo pyetje e ka bishtin e vet.

Në fakt, të gjithë e dimë se asokohe , pra më 1912, u shpall shteti i pavarur shqiptar, vetëm në një pjesë të territorit të banuar nga shqiptarët në Ballkan, të cilat për pesë shekuj ndodheshin nën sundimin e Perandorisë Osmane e cila po rrënohej. Më shumë se gjysma e shqiptarëve nuk u përfshi në këtë shtet, i cili për vete zgjodhi emrin Shqipëri.

Vetëm një vit më vonë, nga kthetrat e ish Perandorisë, u “çlirua” edhe pjesa e tjetër e tokave shqiptare, nga ana e Ushtrisë serbe, e cila këtë territor, më të madh se Shqipëria e pavarur, e futi në përbërje të shtetit të quajtur Serbi, pasi në këtë vrull “çlirimtar” kishte vrarë dhe shpërngulur me dhjetëra e mijëra shqiptarë nga Kosova dhe nga Maqedonia e sotme.

Gjatë shekullit XX, pavarësisht se shtetet do të ndërroheshin, ideologët dhe udhëheqësit serbë vazhduan me këtë politikë shfarosjeje ndaj shqiptarëve, deri më 1999, kur Kosova u çlirua me të vërtetë falë përpjekjeve të sajë, falë NATO-s, dhe në mes tjerash falë edhe ndihmës së madhe të Ushtrisë turke në kuadër të forcave të NATO-s. Shteti i cili kishte trashëguar ish-perandorinë, tashmë si shtet i aleancës më të fuqishme ushtarake të globit, kishte marrë rolin e çlirimtarit të shqiptarëve dhe kishte njohur ndër të parët edhe shtetin e Kosovës kur e shpalli pavarësinë më 2008. I njëjti shtet kishte luajtur një rol parësor në ruajtjen e kufijve të Shqipërisë edhe në krizën e madhe të vitit 1997, kur shqiptarët politikë po punonin më me zell se të gjithë armiqtë e tyre kundër Shqipërisë, duke e shkatërruar shtetin e vet. Madje, krejt vonë, kryeministri, e tash kryetari i këtij shteti, i mahnitur me pritjen në kryeqytetin e “Lidhjes Shqiptare” në Prizren, klithi se “Kosova është Turqi”, nën duartrokitjet e entuziaste të vet kryeministrit shqiptarë të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, si dhe disa mijëra qytetarëve të Prizrenit.

Pyetja se nga kush u pavarësua Shqipëria, pra, nuk duket aq e thjeshtë sa e trajtojnë disa ithtarë të përgjigjeve të shpejta dhe si rrjedhojë edhe gjysmake. Pyetja duhet të shtrohet, për mendjen time, ndryshe: nga kush u pavarësuan shqiptarët? A janë pavarësuar ende të gjithë shqiptarët?

Emri Shqipëri fatkeqësisht nuk nënkupton shtetin e shqiptarëve, por vetëm shtetin e një pjese të shqiptarëve. Po aq sa Shqipëria mund të quhet Shqipëri, po aq mund të quhet edhe Kosova, dhe pjesët shqiptare në Maqedoni, por nuk quhen. Duket se pyetja këtë bisht kishte, në fakt edhe pse autori i saj mund të ketë pasur edhe motive personale.

Shkas i këtyre bisedave të sotme rreth pavarësisë, dhe marrëdhënieve të shqiptarëve me ish-pushtuesit ishte një incident gjithsesi kriminal, pavarësisht motiveve, që ndodhi në Konsullatën turke në Prizren, si dhe vendimi i Komunës së Prizrenit që për Ditën e Pavarësisë në qytet të valojnë bashkë flamuri shqiptar dhe ai turk.

Edhe pse e filluam me një pyetje të thjeshtë , përgjigjen e se cilës e di çdo fëmijë i klasës së parë fillore, megjithatë historia e marrëdhënieve të shqiptarëve me Turqinë, të cilat kur i ngatërrojmë kohët dhe faktorët, rrufeshëm marrin formën e një “ nyje gordiane”. Por të ndjekim radhën…!

Dikush, duke e parë si krejtësisht të pavend, aktin e kryetarit të Prizrenit për ngritjen bashkë të flamujve të Shqipërisë dhe Turqisë, pikërisht më 28 nëntor, në Prizren, gazetari prishtinas u shpreh se kjo do të ishte njëjtë sikur me 17 shkurt, krahas flamurit të Kosovës të valonte edhe ai i Serbisë. Me këtë rast ai shau politikën lokale, për këtë. Shau edhe kryetarin e Komunës i cili edhe pse i dënuar për korrupsion dhe i urryer nga një pjesë e madhe e qytetarëve megjithatë vazhdon të jetë aty, falë fuqisë së pakontrolluar të klaneve joformale. Pra, ngjarje dhe personalitete nga kohë të ndryshme u ndërlidhen në mënyrë artificiale. Duke u nxjerrë arsye të gabuara, mjegullohen edhe gabime dhe krime tjera të sotme, shumë më të rënda se kjo valëvitje flamujsh, gjithsesi e pafajshme në kuptimin e efekteve që mund të prodhojë ajo.

Çfarë do të ndodhte nëse në Tiranë, apo në Kukës, me 17 shkurt do të valonte flamuri i Kosovës, bashkë me atë të Serbisë, në qytetin i cili ende mbetet simbol i eksodit të kosovarëve , të përzënë nga toka e tyre? Padyshim se kjo do të ngjallte zemërim te një pjesë e madhe e qytetarëve të cilët kishin ikur këmbë, me dhjetëra kilometra, duke bërë sllallom nëpër postblloqet e shumta të policisë serbe, ku ishin dhunuar dhe plaçkitur, pasi kishin lënë shtëpitë e djegura .

Pra, nga kush është pavarësuar Shqipëria, ishte pyetja fillestare?! Cila Shqipëri? Kur? Pa këto pyetje plotësuese vështirë se mund të japim përgjigje të plotë dhe të qëndrueshme. Pjesa më e madhe e Shqipërisë ende nuk ishte çliruar më 1912! Me çfarë të drejte disa intelektual shqiptarë në Tiranë përvetësojnë emrin Shqipëri për një vend të krijuar artificialisht, duke lënë pjesën më të madhe të kombit jashtë dhe me çfarë të drejte ata mbajnë leksione për patriotizmin pjesës tjetër, më të madhe, e cila përkundër luftës dhe sakrificave të mëdha nuk u përfshi në këtë shtet me këtë emër.

Pra, çfarë do të ndodhte sikur në Prishtinë, përkrah flamurit të Kosovës të valonte edhe ai i Serbisë, më 17 shkurt 2017?

Asgjë, besoj, nëse ndërkohë Serbia e njeh Kosovën, çka është e vështirë të paramendohet. Vështirë është të paramendohet se në Prishtinë pra, me 17 shkurt mund të valojë flamuri serb, bashkë me atë të Kosovës, por gati është po aq e sigurt se edhe në pjesë të Kosovës do të valojë flamuri i Serbisë, pa atë të Kosovës, sepse serbët lokalë ende nuk e njohin shtetin e Kosovës si shtetin e tyre. Ata pohojnë se Kosova është Serbi!

Gjithashtu, me 17 shkurt në institucionet zyrtare të Kosovës do të valojë flamuri i Kosovës, i BE-së, dhe SHBA-ve, dhe ndoshta i të gjitha vendeve të botës, me përjashtim të atij të Republikës së Shqipërisë, përpos ndoshta në Prishtinë ku qeverisë një parti e cila ende mendon se Kosova është Shqipëri. Është?

Pyetja se “a është Shqipëria Turqi” duket krejtësisht me vend, duke marrë parasysh duartrokitjet entuziaste të kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës, të cilat pasuan deklaratën e famshme të kryeministrit të atëhershëm të Turqisë se “Kosova është Turqi”! Kjo deklaratë ishte bërë në kryeqytetin historik të Shqipërisë!

Mbetet e paqartë se çfarë deshi të thotë, me flamujt shqiptarë dhe turq, që valëviteshin vëllazërisht rrugëve të Prizrenit, pikërisht më 28 nëntor 2016?! Çfarë deshi të thotë kryetari i dënuar për korrupsion, i kryeqytetit të “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”? Prizreni është Shqipëri apo Prizreni është Turqi?
Ju duket e komplikuar? Nuk keni faj! Është! E komplikuar!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme