Euforia e fitores nganjëherë po ua turbullon mendjen shefave të VV-së

Prishtinë | 05 Shk 2021 | 11:17 | Nga Enver Robelli

Duan shërbim të detyrueshëm ushtarak, por nuk kanë ide si ta financojnë. Asnjë plan për këtë projekt nuk ekziston. Përveç fjalisë boshe: “Do ta rishikojmë buxhetin aktual”. E buxheti është po aq i lartë sa i një firme mesatare perëndimore, ndërkohë sistemi shëndetësor dhe arsimor janë në kolaps permanent qe 20 vjet. Disa vendime Kosova s’mund t’i marrë vetë, kokë më vete. Siç s’mund t’i marrin as disa vende me shtetësi edhe më të konsoliduar se Kosova. Partneriteti, koordinimi dhe bashkëpunimi me NATO-n mbeten jetik për sigurinë e Kosovës. Andaj çështja e ushtrisë dhe konsolidimit të saj të mëtutjeshëm kërkon qasje më serioze. 3 mijë, 5 mijë apo 8 mijë ushtarë duhet ushqyer çdo ditë. Së paku. Duhet të strehohen diku. Duhet të kenë veshmbathje. Edhe ndonjë armë. Ka edhe modele të tjera, për shembull ushtri profesioniste. Investime serioze për t’u mbrojtur nga luftërat hibride. Dhe jo këngë në stilin: “Unë po shkoj me gëzim në ushtri…”.

Çështja e Ambasadës në Jerusalem është delikate dhe nuk mund të sqarohet në debate elektorale televizive. Politika e jashtme nuk është vetëm punë e një partie, pa marrë parasysh sa vota fiton. Duhet një shoshitje më e thellë e mendimeve dhe një debat më i gjerë brenda partive dhe akterëve të tjerë institucionalë. Asnjë shtet i BE-së nuk e ka Ambasadën në Jerusalem, ndërsa Joe Biden ka paralajmëruar se nuk do ta ndryshojë vendimin e paraardhësit të tij (ndonëse atë vendim e ka quajtur të gabueshëm). Argumenti se “po na kushtëzoi Brukseli anëtarësimin në BE me zhvendosjen e Ambasadës, atëherë do ta rishqyrtojmë zhvendosjen e Ambasadës nga Jerusalemi” tani për tani as që mund të merret me mend. Procesi i zgjerimit të BE-së ka marrë fund – në perspektivën afatmesme apo ndoshta edhe afatgjatë. BE është duke kërkuar modele të tjera për të integruar Ballkanin, pa anëtarësim në BE. Rrjedhimisht as kushtëzim për punën e Ambasadës nuk do të ketë. Së paku jo në 10 vitet e ardhshme. Lëvizjes Vetëvendosje i duhet kompetencë shumë më e madhe në politikën e jashtme. Tani për tani këtë kompetencë nuk e ka. Qysh pati thënë Winston Churchilli? “Diplomat i vërtetë është ai që dy herë mendon para se të mos thotë asgjë”. Nganjëherë heshtja është kulmi i sinqeritetit dhe largpamësisë.

Të ngjashme