Euro-entuziazmi në udhëkryq

Prishtinë | 09 Maj 2017 | 13:28 | Nga Besnik Tahiri

Në këtë 9 maj, procesi i integrimit evropian vazhdon të mbetet vetëm synim i shtetit më të ri në Evropë. Ajo që dua të theksoj, është se pjesa më e madhe e punës drejt këtij synimi arrihet këtu, në Kosovë, pa e anashkaluar edhe rolin e pashmangshëm të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar se procesi i integrimit evropian kërkon përkushtim të plotë për të venë në funksion gjithë mekanizmat institucional, politik, juridik dhe zhvillimor. Ky proces kërkon përkushtim, për më shumë kërkon veprime dhe të arritura konkrete, me më pak retorikë. Ne këtë kuadër, ne duhet të përgatitemi për një rrugë të gjatë dhe të mundimshme, por që njëkohësisht varet nga angazhimi ynë, që të shkurtojmë rrugën dhe kohën deri në anëtarësimi i plotë i Kosovës në Bashkimin Evropian. Thënë ndryshe, nëse ndjehemi komod dhe vazhdojmë me këtë ritëm me inercion, ky proces do të marr më shumë se një dekadë, por nëse i përvishemi punës ne mundemi ta rrumbullakojmë edhe brenda një dekade. Kryesisht, procesi i integrimit evropian udhëhiqet nga elita politike dhe institucionale, rrjedhimisht vonesat në këtë proces janë indikator i një elite të dështuar.

Ndryshe, qytetarët e Kosovës, sikurse bashkëqytetarët e vendeve tjera, do ta meritonin sot vendin në familjen evropiane, por kjo nuk po dëshmohet nga politika dhe institucionet që përfaqësojnë ata. Si pasojë, Kosova ngec prapa në secilin moment të integrimit, sikurse bie fjala liberalizimi i vizave, e mos të flasim për hapat real të integrimit. Vonesat përpos se janë tregues i mungesës së progresit, janë tregues i humbjeve të energjive. Kjo sepse nuk është bërë sa duhet, dhe nuk është bërë si duhet puna nga elita qeverisëse e Kosovës. Qytetarët duhet falënderuar që vazhdojnë të mbesin euro-entuziast, sepse qytetarët e vendeve tjera që kanë përshkuar këtë rrugëtim do të ishin lodhur kaherë. Dhe kjo më bënë të besojë se ne jemi kombi më vital në Evropë, por vitale duhet të jetë edhe elita dhe burokracia që administron hapat integrues. Kjo nuk po shihet, kjo po mungon.

Procesin e integrimit evropian, duhet ta shohim si shteg i daljes së Kosovës nga izolimi, si mundësi për zhvillim konsistent dhe mbështetje për Kosovën, si model demokratik të cilës duhet t’i referohemi, dhe si një kulturë dhe mentalitet ku vendet investojnë dhe kontribuojnë për një civilizim i cili nuk ndalet në problemet dhe sfidat, por sheh mundësitë dhe zgjidhjet. Në këtë drejtim, është i domosdoshëm përmirësimi i mëtejmë i funksionimit demokratik dhe efektiv të institucioneve, në mënyrë që atyre tu jepet mundësia për të kryer më mirë dhe brenda një kuadri institucional, detyrat që u janë besuar.

Procesi integrues duhet të na shërbej si udhërrëfyes i qartë për drejtimin e Kosovës se kah duhet të shkoj. Duke pasur parasysh ngecjet, si vend që aspiron integrimin e plotë në BE duhet të shtojë përkushtimin për të përmbushur në plotni objektivat e Integrimit Evropian. Institucionet e vendit pavarësisht se posedojnë “Plane”, ende nuk kanë arritur të adresojnë çështjet shqetësuese për Kosovën. Sfidat vazhdojnë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, dhe mbi të gjitha në kthimin e besimit në shtet.

Institucionet e vendit dhe mekanizmat tjerë në këtë proces për më tepër duhet ta shohin si mundësi për të ndikuar drejtpërsëdrejti në ngritjen e kualitetit të jetës së qytetarëve. Fillimisht, liberalizimi i vizave do të duhej arritur sa më shpejt, kjo duke qenë se Kosova ka bërë një progres të theksuar në drejtim të administrimit të këtij procesi dhe të përmbushjes së kritereve të caktuara, sado që mbetet të plotësohen të gjithat. Përderisa ne humbim kohë, kriteret e integrimit po ashpërsohen dita ditës, dhe këtu askush përpos nesh nuk është ‘fajtor’. Fundja ‘blloku’ ka logjikën e vet.

Procesi integrues është sfidues për të gjitha shtetet që aspirojnë këtë rrugë. Kosova në drejtim të përmbushjes së këtij qëllimi duhet t’i rrisë kapacitetet e veprimit dhe ta dinamizojë punën në gjitha institucionet. Me theks në kriteret kryesore në të cilat marrë përgjithësisht shtetet hasin vështirësi në zbatimin e tyre siç janë: zhvillimi ekonomik, ndërtimi i shtetit ligjor, profesionalizimin e administratës, respektimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin, adaptimin e Acqui të BE-së. Secila nga këto fusha është një mal me veprime dhe nën-veprime, por në duhet kaluar përtej.

Në këtë rrugëtim të Republikës së Kosovës, është tepër i rëndësishëm vullneti i akterëve institucional dhe politik në avancimin e proceseve integruese. Ngase mungesa e vullnetit krijon hendek në mes të pritjes së qytetarëve dhe kërkesave që dalin në zbatim të obligimeve të marra. Së fundmi si vend kemi arritur progres në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që do të na shërbej si bazë e mirë në procesin integrues. Megjithatë, na duhet përshpejtim që të ngrisim kapacitetet politike, juridike dhe ekonomike për t’ju bashkuar familjes evropiane. Pavarësisht ngecjeve ne duhet të jemi të vendosur për të vijuar procesin integrues si mundësia më e mirë e ofrimit në mes popujve të Evropës. Por nuk duhet të harrojmë se duhet angazhim i përbashkët në hapat e mëtejmë që duhet bërë përpara drejt integrimit evropian.

Në përmbyllje, i gjithë spektri politik dhe institucional i dalë nga zgjedhjet që po vijnë duhet që si prioritet të ketë mirë-qeverisjen, pasi që vetëm me një qeverisje të mirë, që jap llogari dhe punon me transparencë të plotë mundë të kthehej besimi dhe shpresën se edhe NE JEMI EVROPË, DHE DUHET T’I PËRVISHEMI PUNËS SERIOZISHT!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme