Evropa ime: Një peshk me mushkëri

Prishtinë | 15 Pri 2017 | 10:31 | Nga

Mos ki frikë, po të ngeci anija në bregun gjerman, o i huaj! Të pret një metamorfozë, njësoj si mua, kur u largova nga atdheu im, Bullgaria.

Atëherë “isha peshk. Ndihesha mirë në ujë. Por papritur, një ditë, verzat e mia nuk punuan më. Dhe u konstatua: unë isha peshk me mushkëri. U afrua një karrem. Kur u zgjova brenda në shportë, flisja gjuhën e njerëzve. Më pranuan – një specie të çuditshme – një peshk me zë dhe me mushkëri. Te unë ka ndodhur ajo që ndodh prej mijëra vjetësh nga peshku te njeriu. Ia kam dalë mbanë: ka kohë që nuk jam më specie e çuditshme. Vetëm se ende nuk jam në gjendje të notoj si duhet.”

Atdheu i dytë

46 vjet të shkuara, ne të huajt na vështronin në Gjermani si specie të çuditshme. Edhe sot vazhdoj të jem e habitur për këtë – në kuptimin pozitiv të fjalës. Në Gjermani nuk të duhet të kesh mbaruar studimet për të qenë një qytetar me prestigj. Këtu respektohen minoritetet etnike, si romët dhe hebrenjtë, në mënyrë shumë më të vetëkuptueshme dhe konsekuente si në ish-shtetet e Bllokut Lindor.

Këtu të huajt ndahen më pak në “të huaj të mirë” dhe “të huaj të këqij”, se sa ndodh kjo “atje matanë”, në ish-RDGJ dhe “atje poshtë” tek ne në Ballkan. Edhe personat me aftësi të kufizuara në Gjermani janë anëtarë të barasvlershëm të familjes dhe shoqërisë – për këtë përvojë unë jam mirënjohëse!

“Frika ime nuk ka pasaportë. Nuk ka nënshtetësi. Për të lindur ajo lind çdo ditë, me fjalë të tjera: sot. Ku lind? Ndoshta në Lindje, do të ishte përgjigja për këtë pyetje. Ose këtu, në vendin e gjuhëve amtare të humbura. Në prag të një prekjeje. Para ekranit në mbrëmje, në orën tetë. Frika ime arrin të dalë në sipërfaqe. Leje qëndrimi – e pa kufizuar, me të drejtë për angazhim vetjak. Tipar i veçantë – ngjyra e syve: pa kufi.”

Është e vërtetë, Gjermaninë, atdheun tim të dytë, njëherë e kam quajtur “vendin e gjuhëve amtare të humbura”. Romanin tim të fëmijërisë “7 kilogram kohë” sapo e kam përkthyer në gjuhën time amtare bullgarisht dhe e kam rishkruar, me tendencën për ta quajtur Gjermaninë “vendi i gjuhës amtare të rifituar”.

Gjuha është çelësi

Mos harro kurrë: gjermanishtja është këtu gjuha e njerëzve! Pavarësisht nga fakti se në cilin vend zgjohesh – gjuha e vendasve është çelësi që të hap dyert për në zemrat e tyre! Gjermanishtja është mjeti i parë dhe më i rëndësishëm i transportit, i cili do të të transportojë në portin e atdheut tënd të ri. Në Gjermani do ta respektojnë Të qenit ndryshe dhe nuk do të të detyrojnë të bëhesh më gjerman se gjermanët. Dhe ti, që ke braktisur ujërat e atdheut tënd, do ta shijosh lirinë e të pasurit një mendim vetjak dhe një alternativë, për të ndjekur një rrugë të re:

“Të mbetem gjallë, kjo ishte e para që i vajti në mendje peshkut, kur u zgjua në plazh, por ja që para tij po qëndronte një katërkëmbësh ose një dykëmbësh, që e rrotulloi disa herë në rërë. Peshku kutërbonte për të jashtë mase, ishte tepër i huaj dhe rrëshqitës, dhe ai e braktisi. I dëshpëruar peshku u ngrit dhe donte të bënte hapin e parë. Nuk do të mësosh kurrë të ecësh, i tha katërkëmbëshi ose dykëmbëshi peshkut. S’ka gjë, tha peshku, ajo që dua unë është të fluturoj!”

Rumjana Zacharieva është shkrimtare me origjinë bullgare që shkruan në gjermanisht, autore pjesësh për radio dhe përkthyese, anëtare e PEN Gjermane. Që prej vitit 1970 ajo jeton në Bonn.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme