Familja në vend të babës

Prishtinë | 03 Qer 2022 | 10:42 | Nga Afrim Kasolli

Hendikepi më i madh i opozitës sot në Kosovë, krahas pamundësisë së saj për t’u reformuar, mbase është edhe se kush e drejton atë.

Disa nga bartësit e saj, përjashto këtu kryetarin e AAK-së, sepse ky ka një jetëshkrim tjetër, të tjerët kurrë në jetën e tyre nuk kanë zhvilluar beteja politike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Ata as njëherë nuk ia kanë dalur të fitojnë pushtet nën drejtimin e tyre. Ata deri më sot kanë pasur vetëm pozita. Ndërkaq pushtetin për ta e fitonte dikush tjetër. Këta vetëm e gëzonin atë.

Akomodoheshin në qerthullin e tij. I rehatonin familjarët e tyre. I punësonin motrat në shërbime diplomatike. Krijonin firma fantome që me anë të tyre ta përvetësonin buxhetin e shtetit për interesa personale. Me kaq përfundonte misioni i tyre politik.

Prandaj, për ta politika nuk ishte medium i antagonizmit shoqëror, por mundësi për përfitim personal. Kjo praktikë e ka shoqëruar thuajse gjithë karrierën e tyre. Dhe nga kjo përvojë është kushtëzuar edhe vetëdija e tyre politike. Përshtatu me autoritetin dhe gëzoj të mirat që t’i shpërndan ai.

Mirëpo, sot kur ka ardhur koha, që nuk janë më ata në saje të cilëve kjo kastë i gëzon privilegjet e saj, u duhet të gjenden vetë në kohë dhe në hapësirë. Jeta e tyre në shumëçka u ngjason fëmijëve të llastuar, që të gjitha të mirat e kësaj bote i gëzojnë nga Baba.

Ndërkaq, në mungesë të tij, kaplohen nga ankthi, paniku dhe frika se si ta ruajnë jetën që e shijuan nën mbrojtjen e tij. Dhe në këtë situatë vihen në kërkim të autoritetit të ri, me qëllim që t’i plotësojnë këto nevoja të shumëfishta. Në këtë drejtim edhe disa nga protagonistët e opozitës duket sikur i ka pushtuar ky ankth.

Prandaj, këtë presion po tentojnë ta tejkalojnë në dy forma. Duke i rifuqizuar lidhjet familjare me një petk të ri politik dhe partiak. Pra, duke e shndërruar këtë fundit në hapësirë të kompromiseve dhe aleancave të reja familjare. Ku njëri angazhohet për djalin, tjetri për nipin, dikush për motrën, dikush tjetër për mbesën, e dikush tjetër për dhëndrin. Pozitat duhet të ndahen vetëm brenda familjes. Dhe në anën tjetër si të përshtaten me pushtetin e ri, që ta ruajani atë që e fituan në “regjimin e vjetër. Mirëqenien e tyre.

Mbase kjo është arsyeja që janë bërë shumë konsensual. Pajtues. Madje duke e mohuar politikën në esencën e saj. Dimensionin e saj agonistik, sic thotë, Chantal Mouffe. Kuptohet edhe “regjimit të ri” i nevojitet ky model i liderizmit opozitar. Që në vend se të merret me të, qëllim primar e ka mbrojtjen e vetvetes.

Kosova shembull eklatant i pajtimit të kundërtave. Sinteza ideale e një rendi post-ideologjik.

Të ngjashme