Fenomenologjia e krizës

Prishtinë | 04 Qer 2022 | 17:22 | Nga Afrim Kasolli

Shpeshherë jemi mësuar ta shohim krizën e përgjithshme sociale dhe politike si pasojë e mungesës së zhvillimit ekonomik të vendit, e bllokimit të shtetit në një proces rraskapitës të dialogut me Serbinë, fragmentarizmit shoqëror dhe mosdurimit politik dhe psikologjik që drejtuesit politikë kanë demonstruar ndaj njëri-tjetrit në vazhdimësi.

Faktorë të tillë pa dyshim se i kanë ushqyer tensionet e brendshme politike, dhe kanë shërbyer si një tharm për ta shtuar trysninë publike, megjithatë është interesante që rrënjët e kësaj krize të hetohen edhe në vetëdijen tonë politike dhe raportet e kësaj të fundit me realitetin objektiv institucional dhe shtetëror, që ka dominuar në Kosovë që nga përfundimi i luftës e deri më sot. Sepse kjo e fundit e përbën “substratin” e sjelljes sonë politike. Prandaj, edhe cilësia e veprimit politik kushtëzohet në masë të madhe nga format e vetëdijes sonë.

Në këtë kontekst, mbase një esktrapolim i disa prej kategorive fundamentale fenomenologjike, sipas skemave hegeliane, do të na ndihmonte për të përshkruar frymën që na ka shoqëruar për mbi dy dekada. Dhe nga kjo frymë përafërsisht mund të veçohen katër paradigma kryesore të vetëdijes sonë të deritanishme politike.

(Mentaliteti Kalorësiak)

Një pjesë e spektrit tonë politik është dominuar nga mentaliteti kalorësiak. Aksioni që inspirohet nga ky mentalitet në mënyrë tipike i ngjason figurës letrare të Don Kishotit. Konfrontimi me botën është tipar i kësaj sjelljeje. Në përpjekjen e tij për të jetësuar vizonin dhe qëllimet që i proklamon ai revoltohet kundër botës. Mirëpo, është pikërisht bota në të cilën ky “kalorës i virtyteve” që pareshtur e “lufton”, e denoncon si burim të komplotit dhe konspiracionit, e cila në të vërtetë shërben si medium për të realizuar agjendën e proklamuar. Iluzione të tilla janë të destinuara për dështim. Retorika e kësaj qasjeje mund të jetë eksituese vetëm në funksion të vetvetes dhe të ketë karakter mbushllues emocional vetëm për një rreth të ngushtë të dishepujve të kalorësit, por ajo është e zbrazët nga përmbajta racionale publike.

(Pastërtia e Imagjinare e Shpirtit)

Një pjesë tjetër të skenës sonë politike e ka përshkruar ajo frymë e vetëdijes që mund të quhet, si “pastërti e shpirtit” (beauty of soul).

Ky model shprehjen e vetë konkrete e gjen në formacione inerte politike. Këtë frymë e karakterizon paaftësia për të vepruar dhe për të marrë përgjegjësi konkrete në rrethana partikulare historike.

Bartësit e këtij mentaliteti struken brenda iluzioneve të pafajësisë së tyre shpirtërore dhe abstenojnë nga veprimi politik. Duke “vegjetuar” në këtë mënyrë, individët që jetojnë sipas këtij mentaliteti harrojnë atë thënien e njohur se vetëm “jo aktiviteti është i pafajshëm”.

Prandaj, ata që sillen në përputhje me këtë imazh dhe që e mishërojnë këtë frymë në fund marrin karakter apolitik dhe ahistorik. Sepse si politika, shoqëria ashtu edhe historia ndryshojnë vetëm nga veprimi konkret. Ky fakt ka bërë që aksioni shpeshherë të ketë karakter tragjik. Ndërkaq epilogu i protagonistëve të vetëdijes joaktive, çdoherë është komik. Në fund personazhet e kësaj fryme i kthehen lamentetit të tyre të njohur, duke i akuzuar të tjerët, sesi sa ata u bënë pengesë për qëllimet e tyre sublime. Të pushtuar nga resantimanti psikologjik dhe moral, për shkak të mungesës së vullnetit për veprim, atëherë dobësinë dhe gjendjen e tyre depresive, tentojnë ta kompensojnë me akuza ndaj atyre që nuk pajtohen me pritjen e pafund. Fatkeqësisht, nën efektet e këtij mentaliteti edhe shoqëria pushtohet nga një paralizë e përgjithshme.

Shpeshherë në histori është dëshmuar se si ata që e kanë privuar vetën nga veprimi, për të ruajtur iluzionet e pastërtisë së qenies së tyre, të kenë krijuar një vakum të madh. Dhe me këtë qasje ata u kanë dhënë hapësirë vetëm formave radikale të negacionit. Rrjedhimisht, edhe ky botëkuptim romantik jopolitik, nuk ofron shtegdalje nga kriza.

(Liria Absolute dhe Terrori)

Diskursin publik në Kosovë po ashtu e ka karakterizuar edhe një formë e vetëdijes politike që bazohet mbi parimet e “lirisë absolute”. Variantet e ndryshme të mendësisë anarkiste, nacional-populliste, etj, e kanë origjinën në këtë trashëgimi mentale.

Kjo liri e cila e njeh vetëm vetveten, liria absolute, synon të realizohet në mënyrë imediate, përtej realiteti objektiv shtetëror, pra nëpërmjet vrullit revolucionar.

Nën emrin e vullnetit të përgjithshëm politik mohohet roli i strukturave sociale, politike, ligjore dhe kushtetuese të vendit. Aspiratat e kësaj strukture e afirmojnë participimin total dhe homogjenitetin e plotë të shoqërisë. Diferencat luftohen. Duke qenë armiqësor ndaj çdo artikulimi tjetër politik dhe social, kjo frymë jo vetëm që nuk është në gjendje ta rindërtojë shoqërinë, shtetin dhe institucionet, siç edhe pretendon, por ajo në fund rezulton me kolaps.

Kjo frymë e koncepton veten si mishërim të vullnetit të përgjithshëm. Kushdo që nuk i përshtatet kësaj skeme konsiderohet fraksion. Të tjerët trajtohen me dyshim: si armiq të popullit, vullnetit të përgjithshëm dhe kërcënim për këtë fundit; si grupe që dëshirojnë ta shkëpusin veten nga vullneti i përgjithshëm. Pra, të gjithë të tjerët definohen si vullnete private që duhet eliminuar dhe shtypur.

Doktrina e lirisë absolute vetëm sa e thellon krizën. Asaj madje nuk mund t’i shpëtojnë pa u shkatërruar as fëmijët e revolucionit, pasi më parë nuk i ka ikur asgjë furisë së saj destruktive dhe negativitetit të zbrazët që proklamon. Sepse, siç ka thënë Hegeli, “vetëm nga shkatërrimi i asaj që është objektive ky vullnet negativ e përjeton sensin e të qenit ekzistent”.

(Vetëdija e tjetërsuar)

Ky model i vetëdijes politike që shtetin dhe politikën nuk i sheh si asgjë tjetër, pos si mjet për pasurim individual dhe grupor e ka dominuar në masë të madhe frymën publike në Kosovë. Nën ndikimin e kësaj paradigme nderi, krenaria, detyrimi dhe përgjegjësia për t’i shërbyer shtetit, këmbehet me kalkulimin për përvetësim të pasurisë të tij. Kjo e fundit bëhet forca shtytëse për aksion politik. Si pasojë e kësaj fryme, çdo gjë tjetërsohet. Krijohen dy realitete paralele ndërmjet shtetit dhe shoqërisë. I pari më nuk shihet si shprehje e vullnetit politik të dytit. Por si diçka e shkëputur prej tij. Dhe vetëm si një mjet që i shërben një elite të caktuar financiare dhe politike.

(Vetëdija politike shtetërore)

Ndërkohë, pikërisht kjo vetëdije e domosdoshme, mjerisht deri më sot nuk ka arritur të materializohet si parim i përgjithshm politik dhe shtetëror. Ku me anë të kësaj vetëdije racionale do të tejkaloheshin të gjitha njëanshmëritë dhe “aporitë” ku e kanë katandisur vendin skemat pararendëse politike.

Pra, në vend të zhytjes në skemat iluzore romantike, ky model është koshient se aktualizimi i potencialeve të shtetit të Kosovës nuk mund të bëhet pa vepruar. Sepse politika është edhe aksion për të filluar veprime të reja, mundësi për të ndërmarrë iniciativa dhe vullnet për të promovuar ndryshime të nevojshme shoqërore dhe ekonomike në përputhje me ‘nevojat e kohës’.

Po ashtu, mirëmbajta konstante e një raporti dinamik ndërmjet aksionit si ‘spontanitet’ rregullimit institucional dhe sundimit të ligjit përbën thelbin e kësaj fryme. Ky tipar e veçon këtë model nga ato pararendëse. Bie fjala, liria si qëllim i jetës politike nuk mund të realizohet duke kultivuar armiqësinë ndaj shtetit dhe rendit kushtetues dhe ligjor, por mund të realizohet vetëm mbi premisa ligjore. Liria që mbrohet me ligj përbën antitezën e lirisë absolute dhe terrorit.

Përfundimisht aspiratat e kësaj vetëdije politike mbesin të qarta, pra përfundimi me sukses i evolucionit historik të shtet-ndërtimit të Kosovës. Dhe ky qëllim madhor mund të arrihet vetëm duke i kombinuar në një mënyrë të suksesshme parimet e kësaj fryme racionale shtetërore.

Kurse nga fronëzimi i kësaj vetëdije politike më në fund do të mund të tejkaloheshin aksidencat e pakuptimta politike të deritanishme. Sepse, vetëm në këtë mënyrë ajo që është e domosdoshme bëhet aktuale. E sot për sot, nuk ka asgjë më të domosdoshme se sa afirmimi i një vetëdije të ndryshme politike dhe shtetërore, nga ato që e kanë dominuar deri më tani vendin dhe që janë përgjegjëse për krizën e shumë anshme në këtë shoqëri.

Të ngjashme