Filmi kosovar në gjumë!

Prishtinë | 28 Sht 2022 | 13:17 | Nga Msc Skender Berisha

Filmi kosovar në gjumë! Është bërë trend në kinematografinë kosovare, që pjesa dërmuese e filmave të pasluftës, të trajtohen vetëm tematika të cilat nuk japin shpresë, nuk japin motiv pozitiv, nuk po mund të shtyjnë publikun përpara me tema pozitive, duke vënë në pikëpyetje edhe zhvillimin e kinematografisë në ritme më të shpejta dhe konkurruese. Dihet qartë se ish regjimi, në ish Jugosllavi, nuk ka qenë i preokupuar në zhvillimin e kinemasë dhe filmit në këtë Kosovë, për arsye nga më të ndryshmet, por me kalimin e kohës, sidomos nga paslufta, filmi ka patur një zhvillim më ndryshe, por vështirësitë financiare e kanë vënë në dilemë mbarëvajtjen e punës dhe zhvillimeve në drejtimin e duhur.

Por, të shikojmë në një këndvështrim tjetër.

Fillimisht filmi i metrazhit të shkurtër, dhe ai i metrazhit të gjatë, janë fokusuar në trajtimin e tematikave të “zhanrit “që nuk japin motiv, që aq shumë ka patur nevojë ky popull, nevoja për pozitivitet, për kulturën, për familjen e shëndoshë, përmes filmit të përcillet dashuria e një familjeje ku mund të jetë ambicie e të gjithëve, sidomos për gjeneratat e reja, të cilët ndjekin filmin e skenës botërore dhe kanë përpara një mori alternativash, dhe ata as që provojnë të shohin një film vendor, ku pjesa dërmuese e tyre janë me tematika dhunimi. Natyrisht nuk duhet anashkaluar as këto tema pa i trajtuar, por jo pjesa e madhe e tyre të jetë e këtij zhanri.

Është shumë e natyrshme që nuk mundet të përcillet trendi i zhvillimeve të kinematografisë botërore, por një gjë është e mundur, që tematika e përzgjedhur të jetë motivuese, me tema që jep shpresë për vendin dhe jep kënaqësi kur ulesh para ekranit. Lufta ka lënë pasojat e saj, por asnjëherë nuk duhet konsideruar se gjithçka duhet të lidhet me luftën. Ushqimi i ndjenjës së të qenit patriot me tema të së kaluarës jo domosdoshmërisht është obligim i një personi. Njeriu patriotizmin e tij e shpreh edhe me respektin ndaj tjetrit, respektin ndaj vendit të tij, duke qenë taksapagues i rregullt, duke përfshirë veten e tij edhe në punë vullnetare me aktivitete të ndryshme, duke respektuar Institucionet e vendit e kështu me radhë. Prandaj, filmi vendorë ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve, e veçmas nga Institucionet e shtetit, e që më pas ky bashkëpunim sjell para publikut filma të zhanreve të ndryshme dhe me motive nga më të ndryshmet.

Të ngjashme