Fredrich Nietzche do të kthehet e rikthehet përherë në kulturën filozofike, dhe do të mbetet mendimtar i madh

Prishtinë | 27 Gus 2022 | 14:21 | Nga Afrim Kasolli

Me 25 gusht të vitit 1900 kishte vdekur filozofi i njohur gjerman, Fridrich Nietzche. Pesha e këtij filozofi në mendimin bashkëkohor mbetet e jashtëzakonshme. Me filozofimet e tij, ai ndryshoi një herë e përgjithmonë mënyrën e të menduarit modern.

Temat e rikthimit të amshueshme të së njëjtës, vullnetit për pushtet, mbinjeriut, si dhe kritika gjeanologjike e moralit, vdekjen e Zotit etj etj, sipas Hannah Arendt, së bashku me Marksin dhe Kierkegardin ndikuan në shembjen e traditës filozofike perëndimore (ndownse dy te fundit me tema tjera) dhe që nga ky moment ky mendim u ndodh pa “parmakët mbrojtjes”.

Kurse, për Heideggerin, Friedrich Nietzsche, ishte një mendimtar tipik i metafizikës perëndimore. Por që me të, kjo trashëgimi e kishte arritur fundin e saj. Filozofimet e tij mbi rikthimin e amshueshëm të së njëjtës dhe vullnetit për pushtet, janë shprehje eksplicite e kësaj tradite. Është cilësi e mendimtarëve të veçantë, thotë M.Heidegger në punimin e tij, “The Will to Power as Knowledge and as Metaphysics”, që ata ta kenë një mendim të vetëm, një mendim i cili është gjithmonë rreth qenieve si tërësi. Për dallim nga shkrimtarët, hulumtuesit dhe shkencëtarët që kanë shumë e shumë mendime, mendimtarët rrëmbehen nga një mendim i vetëm dhe i “njëanshëm”.

Dhe kjo traditë daton që nga fillesat e mendimit perëndimor. Ajo është pasqyruar, më mirë se nga askush tjetër, nga Periander-i i Corinth-it, i cili konsiderohej si një nga shtatët te urtët e parë, kur kishte pohuar “ Meleta to pan” “merri në shqyrtim qeniet në totalitin e tyre.

Aq e madhe ishte pesha e F.Nietzche-es mbi Heideggeri-in sa thuhet që vetë filozofi i “pikëlluar” nga harresa e qenies (seinsvergessenheit) kishte thënë se ballafaqimi me të e kishte konsumuar dhe shkatërruar tej mase (Nietzche hat mich kaputt gemacht)

Kurse tezat e Michel Foucault lidhur me gjeanologjinë e pushtetit dhe arkeologjinë e dijes, as që mund të paramendohen pa influencën e filozofit “enigmatik” gjerman të shekullit 19, por që kaloi në amshim në fillim të shekullit 20.

Aq domethënëse janë perisiatjet e tij, sa lirisht mund të themi se askujt me mirë se vetë atij, nuk i shkon për shtati teza për rikthimin e amshueshëm të së njëjtës.

Fredrich Nietzche tashmë është i tillë, ai do kthehet e rikthehet në mënyrë të përhershme në kulturën filozofike. Dhe do mbetet i njëjti. Një mendimtar i madh i kësaj kulture.

Të ngjashme